E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentohen lehtë me makinë katër persona

Fundjava ka shënuar sërish aksidente. Kështu, një ngjarje e rëndë automobilistike ka ndodhur mëngjesin e së dielës në aksin kombëtar Fier-Vlorë. Katër persona janë plagosur si pasojë e përplasjes së dy makinave. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 08.00, në kilometrin e tretë nga qendra e Fierit, në afërsi të kthesës së quajtur Qafa e Koshovicës. Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se në aksident janë përfshirë një automjet i tipit "Golf" me targa të Vlorës, VL 3494C dhe një tjetër i tipit "Mercedez Benz" me targa të Fierit, FR9257B. Përplasja e këtyre dy makinave ka qenë e rëndë dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur katër persona, të cilët ndodheshin në të dyja makinat, përfshi mes të aksidentuarve edhe dy drejtuesit e makinave. Në vendngjarje ka shkuar menjëherë policia e qarkullimit rrugor, e cila ka dërguar të lënduarit për në spitalin rajonal të Fierit. Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, afro 3 orë pas aksidentit, të katër të plagosurit kanë dalë nga spitali. Aksidenti në fjalë në këtë aks rrugor kombëtar, me qarkullim të dendur, sidomos gjatë fundjavës pas frekuentimit të plazhit të Vlorës dhe atij të Pishporos, ka shkaktuar bllokim të rrugës për afro 3 orë. Radha e makinave të krijuara në të dyja kahet e drejtimit i kalonte të katër kilometrat. Segmenti rrugor është zhbllokuar vetëm pas mesditës, menjëherë pas largimit nga aksi rrugor i dy makinave të përplasura.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›