E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një parti ku të aderoj...

Niqifor Doda

-Partia politike është një bashkim njerëzish të së njëjtës filozofie dhe ideologjie, që aspiron në marrjen e pushtetit dhe ushtrimin e tij. Si e tillë dhe duke e parë si një detyrë dhe përgjegjshmëri të domosdoshme, nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj aderimit në një parti: është domosdoshmëri dhe detyrë patriotike, po aq sa edhe pjesëmarrja në zgjedhje. Duke qenë 20 vjet në emigracion, edhe pse asnjëherë nuk kam qenë indiferent ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri, nuk kam patur mundësinë e aderimit në një parti. Por pas riatdhesimit e shoh si një detyrë aderimin në një parti politike. Por le të më thotë dikush në cilën parti? Kam pretendimet e mia modeste edhe unë... dua të më propozoni një parti:

•Që drejtuesit dhe deputetët e saj në parlament dhe pushtetarët të hyjnë të pasur (d.m.th. jo të uritur) dhe të mbeten të tillë. Dhe jo të hyjnë “rreckamanë” dhe të dalin milionerë apo miliarderë

•Që të më garantojë votën e lirë dhe respektimin e saj

•Që premtimet i bën realitet dhe jo të pompojë realitetin për fushatë elektorale

•Që gjakun e martirëve të kombit ta respektojë dhe jo ta quajë aventurë

•Që tradhtarët dhe kriminelët mos t’i bëjë dëshmorë

•Që siguron konkurrencën e lirë dhe të ndershme dhe jo të zhvillojë tenderë me emër

•Që urren censurën dhe është për shprehjen e lirë të mendimeve dhe ideve të të gjithë spektrit politik në media

•Që pensionistit i jep dinjitet dhe nuk e poshtëron

•Që respekton të vobektin dhe nuk e përbuz

•Që nënën ta konsiderojë nënë dhe jo skllave të familjes

•Që spitalet të japin dhe jo të marrin jetë në njërën apo tjetrën mënyrë

•Që shkollat t’i bëjë vatra të dijes dhe jo të injorancës

•Që konsesusin mos ta konsiderojë nënshtrim

•Që i gëzon fitores elektorale, por dhe që pranon humbjen

•Që të më bëjë të udhëtojë jashtë shtetit me dinjitet dhe jo i përbuzur.

•Që në fund të fundit të më bëjë ta ndjejë veten krenar që jam shqiptar. Ju lutem shumë, më propozoni një Parti të tillë dhe unë do t’iu jem mirënjohës.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›