E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa vlen lobimi për një politikë të dështuar?

Bashkim Pitarka/ Ish-ambasador në OKB

-Së fundmi në median e shkruar po tërhiqet vëmendja e publikut për një problem shumë të rëndësishëm politik e financiar, siç janë shpenzimet marramendëse të qeverisë, e të partive politike shqiptare për lobim pranë organeve të larta qeverisëse e legjislative, e në përgjithësi në SHBA. Unë nuk di sesi qëndron e vërteta për shumat tepër të larta që përmenden se janë shpenzuar ndër vite, të cilat për një shtet të vogël, të varfër e hallemadh si Shqipëria, janë tepër të tejkaluara, qoftë edhe për qëllimet e synimet që janë përdorur. Mbi të gjitha ato implikojnë katërcipërisht në dy aspekte themelore: synimet për përdorimin e lobimeve dhe arritjet prej tyre, pra në kriteret dhe përfitimet logjike e konkrete dhe në mungesën e një transparence të plotë për këto shpenzim. Sipas mendimit dhe njohurive të mia në këtë fushë, lobimi në shtete të mëdha, është një praktikë e njohur ndërkombëtare dhe është përdorur në shtete superfuqi si SHBA, BE, ish-BRSS, Japoni e Kinë apo gjetkë. Kryesisht lobet janë përdorur me synimin tradicional të kërkimit e sigurimit të mbështetjes dhe favoreve të një qeverie ose parlamenti, apo qoftë edhe të institucioneve financiaro-tregtare vendase e ndërkombëtare, për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe preferenca daganore, siç është sigurimi i trajtimit të "kombit më të favorizuar në tregti"etj., për mbështje politiko-diplomatike, për arritjen e qëllimeve politike, siç janë rastet e kandidaturave për në Këshillin e Sigurimit në OKB dhe Gjykatën Ndërkombëtare, kryesitë e organeve të OKB-së dhe organizatave të mëdha. Ne si shqiptarë i kemi të freskëta "zullumet" dhe të këqijat e lobeve greke e serbe në SHBA e Europë, për copëtimin e Shqipërisë, për bllokadat kundër Shqipërisë, për mosfutjen e Shqipërisë në OKB e në Konferencën e Sigurimit e të Bashkëpunimit Europian, për mosfutjen në NATO, në BE, heqjen e vizave, njohjen e Kosovës etj.. Lobingje të dobishme për vendin tonë, qoftë nga miq të sinqertë dhe pa pagesë, apo qoftë edhe me pagesa të justifikuara, do të kishin qenë ato për rritjen e mbështetjes së SHBA-së e vendeve të tjera të mëdha, për forcimin e demokracisë dhe zhvillim ekonomik të Shqipërisë, forcimit të institucioneve demokratike të vendit, ngritjes së një ekonomie dhe infrastrukture edhe më moderne, për përmirësimin dhe rritjen e vazhdueshme të mirëqenies së popullit tonë, nëpërmjet sigurimit të investimeve ndërkombëtare në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe kulturës sonë, për mbështje në pranimin e vendit tonë në BE dhe mbështeje të gjithanshme nga personalitete dhe shtypi i shteteve të mëdha për arritje e zhvillime pozitive në Shqipëri. Këto e fusha të tjera, do të ishin ato që do të justifikonin çdo investim financiar apo intelektual për arritjen e synimeve të tilla. Të dhënat që paraqiten nga shtypi për lobimet e ndryshme në SHBA dhe shumat kolosale që përmenden, më bëjnë të mendohem e të trishtohem thellë si qytetar e patriot shqiptar, kur analizoj "arritjet" e këtyre lobimeve pa bukë. Në analizë të fundit vërej se duke ndjekur shtypin shqiptar dhe atë amerikan, dhe duke analizuar me vëmendje çdo veprimtari politiko-diplomatike amerikane dhe në përgjithësi atë ndërkombëtare, qeveritare apo te mjeteve të shtypit e propagandës së huaj, se ato para kanë vajtur për dhjame qeni, siç thotë populli. Kanë shkuar dëm, se unë nuk shoh arritje për synimet themelore që duhet të përdoren lobingjet. Në rastin e SHBA, unë vërej një ngadalësim apo pakësim të ndjeshëm të tregtisë dhe investimeve nga SHBA, një rritje të kritikave, vërejtjeve e "këshillimeve miqësore" nga qeveria amerikane dhe ato të vendeve të BE-së; vërej rritje të propagandës, per të mos thënë armiqësore, në disa organe të mass-medias së huaj e deri te shkrime e teori nga më negativet për nacionalizmin shqiptar dhe rrezikun që gjoja vjen prej tij. Autoriteti i vendit dhe i udhëheqësive shqiptare varen nga puna dhe rezultatet që japin në politikën e brendshme dhe atë ndërkombëtare, pasi askush nuk të do e të mbështet kur shohin ndasitë dhe grindjet tona të brendshme. Dikur(siç na thonë disa diplomatë të huaj) përfaqësuesit tanë diplomatikë mburrnin Shqipërinë "e lumtur", të arritjeve të mëdha, të "fanarit të socializmit" në Europë e në botë, apo të mirëqenies dhe barazisë. Mos vallë po bëjmë të njëjtën gjë, të njëjtën propagandë vetë shkatërruese?.Atëherë del pyetja: a ka lob që na ndihmon të ecim përpara e të ngremë kokën lart?


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›