E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushteti i turmave

18-03-2013 / Nga Sibel Halimi

Logjika e turmave nuk bën të nënçmohet, ngase ajo përbën zakonet tona kolektive. Në rast se nuk trajtohen dhe nuk merren seriozisht, brenda një periudhe të shkurtër mund ta dominojnë jetën tonë

Është deformim që funksionimin e shoqërisë po përpiqemi ta njohim vetëm nga kronikat e shkëputura të lajmeve, të cilat shpesh shfaqen me paqartësi alarmante.Logjika e masave ka filluar të ndërtojë fuqinë e organizimit të saj nëpërmjet formave të ndryshme. Në Kosovë më shumë janë aktive grupet të cilat hermetizojnë mediokritetin sesa elita, e cila mund t`i japë frymën dhe kulturën e së vërtetës. Prandaj, rrjedhimisht Kosova bëhet vend shumë i përshtatshëm për t`u jetësuar çfarëdo iniciative, e cila në emër të demokracisë zë vend, ndërsa me gjuhë e veprim është antidemokratike. Kësisoj logjika e turmave nuk bën të nënçmohet, ngase ajo përbën zakonet tona kolektive. Në rast se nuk trajtohen dhe nuk merren seriozisht, brenda një periudhe të shkurtër mund ta dominojnë jetën tonë. Shndërrimi i Lëvizjes Bashkohu në parti politike, incidenti i promovimit të “Kosovo 2.0” në Pallatin e Rinisë, dhe së fundmi edhe përfshirja e mendësisë së turmës në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), janë fakte të mjaftueshme për të besuar në këtë tendencë. Në Kosovë aksidentalisht apo si rrjedhojë e organizimit të mirë të kësaj mendësie, prapa tyre qëndrojnë institucione të rëndësishme. Lëvizja Bashkohu, me gjithë opinionin sistematik të të parit të saj, i cili në esencë godet themelin e shtetit laik dhe me gjithë diskursin nxitës në relacion me tjetrin, qoftë ai edhe pjesëtar i të njëjtit komunitet, pa asnjë telash transformohet në një subjekt politik. Ky veprim është një sfidë serioze për KQZ-në, por edhe për shoqërinë kosovare, e cila sikurse edhe në shumë raste nuk ka një qëndrim të qartë ndaj zhvillimeve të çfarëdoshme. Megjithatë, terreni për t`i artikuluar kërkesat religjioze të paketuara me sfond politik u gjet.
Pra, padyshim është një hapje dere e “logjikës” së turmës, rrjedhimisht një lloj pushteti paralel, promovim i një grupimi që flet në emër të masës, ani që nuk ka mandat për një gjë të tillë. Ata shndërrohen në kamikazë të moralit, të promovimit, dhe gjithashtu të përcaktimit të parametrave të tij matës, pra se deri në çfarë mase një veprim mund të cilësohet i moralshëm. Jo tipike për një shoqëri konstitucionale, ngase morali është kategori religjioze, porse joligjore. Kjo për shkakun se në një shtet qytetar njerëzit duhet t`i përmbahen ligjit, i cili njëherësh ngërthehet brenda atij që quhet moral publik. Njësoj vepruan edhe pjesëtarë të tifozëve “Plisat”, muaj më parë, gjatë një incidenti në Pallat të Rinisë në promovimin e revistës “Kosovo 2.0”. Sërish në emër të mbrojtjes së vlerave të moralit publik shfaqet një grup personash, që jo se e kanë shumë hallin me këtë fenomen, ama thjesht sall për t`u promovuar ideja e pushtetit të turmës, kur ajo drejton procesin, duke vendosur njëherësh edhe rregullat. Këta tifozë u shndërruan në detektor të “moralit” të shoqërisë dhe kur problemi i tejkaloi përmasat e një promovimi, askush nga ta zyrtarisht nuk e mori përgjegjësinë për aktin-dhunën që u manifestua. Kësisoj, sërish shteti goditet pikërisht nga kjo logjikë e turmës, e cila përpiqet ta imitojë atë-shtetin. Së treti, 2 pjesëtarë të FSK-së dalin jashtë përshkrimit të punës së tyre, marrin pjesë në një garë për memorizim të Kuranit, një njësit fotografohet me gishtin tregues lart, mesazhi i kriptuar i të cilit do të thotë ‘Allahu është një’, dhe sërish shuplakë shtetit që përpëlitet në përpjekje për krijimin e identitetit ligjor. Ky është një alarm që logjika e turmës lehtë mund të shndërrohet në pushtet të tyre. Prandaj me të drejtë Ortega y Gaset, duke analizuar pushtetin e turmave, thotë se ardhja e turmave në një fuqi të plotë shoqërore në Evropën e sotme përbën krizën më të madhe që mund të godasë popujt, kombet dhe qytetërimin. “Nga vetë përkufizimi i tyre, turmat nuk duhet e nuk mund të drejtojnë as ekzistencën e tyre, e jo më të qeverisin shoqërinë në përgjithësi”, mendon Gaset. Kësisoj ai sugjeron që pushtetin e turmave të mos e njohin vetëm duke ia veshur fjalët si “rebelim”, “turmë” dhe “fuqi shoqërore”, por ta kuptojmë si domethënie përjashtimisht dhe parësisht intelektuale, morale, ekonomike dhe fetare. Në kontekstin kosovar, në rastin e FSK-së dhe “Kosovo 2.0”, meqë brohoritjet dhe thirrjet bëhen të qarta nëpërmjet proklamimit të fesë, del në shesh manipulimi nga perspektiva e ndërtimit të turmave. Në rastin e “Kosova 2.0”, nga perspektiva e Gaset, çështja ka të bëjë me hermetizmin e shpirtit që i shtyn turmat të ndërhyjnë në jetën publike, e pashmangshmërisht t`i udhëheqë ato drejt një procesi të vetëm ndërhyrjeje – aksionit të drejtpërdrejtë.
Prandaj çdo revoltë e turmave ka një strategji veprimi, të koordinuar dhe të planifikuar mirë, të unifikuar në idenë e apelit publik për mbrojtje të “moralit të përgjithshëm” të shoqërisë. Sipas Gaset “turma është njeriu mesatar”, ndaj ky njeri ka filluar të bëjë jetën, sepse janë faktorë të shumtë kulturorë dhe politikë që po e ndërtojnë këtë tip njeriu. Jo rastësisht, në esencë, si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin ekziston një luftë e vazhdueshme në mes turmës dhe pakicave. Prandaj opinionet dhe thirrja e liderit të Lëvizjes Bashkohu i kanë piketuar disa kategori shoqërore, të cilat funksionojnë mbi bazën e përzgjedhjes individuale. Për këtë shkak ai bën thirrje për rikthim të dinjitetit të gruas. Gruaja si objekt ilustrues i tubimit të masave nuk është e rastësishme, ngase nëpërmjet saj përhapet konformizmi dhe uniformizmi i shoqërisë jo vetëm si mendësi po edhe si dukje. Sipas Gaset, turmë janë të gjithë ata që nuk i parashtrojnë vetes asnjë vlerë qoftë të mirë ose të keqe – të bazuar mbi diçka specifike, po që pavarësisht nga kjo e ndiejnë veten “njësoj si të gjithë të tjerët” e për më tepër ndihen vërtet shumë të lumtur së qeni si çdokush tjetër. Prandaj, qytetari kosovar më shumë sesa me sistemin e kodeve të vetemëruara morale duhet të merret me padrejtësitë që mund të ndikojnë në përditshmërinë, veçanërisht në mirëqenien e tij!

Autorja është sociologe - menaxhere e projekteve në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›