Një perde alla Eurosong!
Kur nesër në mbrëmje hap perden festivali i 48-të i këngës së lehtë në RTSH, që njihet si festivali i dimrit, regjisori Osman Mula tregon se spektakli i këtij edicioni do të jetë i ngjashëm me festivalin evropian. Nuk është imitim, por një “perde” alla Eurosong, me traditën e orkestrës së madhe në skenë që ka festivali, do t’i bëjë këngëtarët të ndjehen si në një skenë evropiane. Kj o është e reja që na shpjegon regjisori Mula, si ndryshim dhe risi nga vitet e paraardhëse. Me një kosto prej 25 milionë lekësh të reja, ky festival nuk do të ketë asnjë të ftuar nga jashtë. Është konceptuar thjesht si një festival mes miqsh, ndonëse shihet një rikthim i këngëtarëve VIP, po ashtu dhe kompozitorëve më me emër - që siç duket karrem kanë Eurosong-un. Por, Mula na shpjegon se vëmendja ndaj të rinjve është strategjia, ku jo vetëm janë hedhur paratë që vitet e tjera ishin planifikuar për të ftuarit (me gati 30 mijë euro) – por duke i parë këta të rinj dhe si pretendentët më të suksesshëm drejt festivalit evropian. Dëshmi janë paraqitjet që këngëtarë të rinj kanë pasur në Eurosong, si Anjeza Shahini, Olta Boka, Kejsi Tola etj.
Nesër mbrëma nis transmetimin festivali i 48-të i këngës. Për ju si regjisori i këtij evenimenti, a është gjithçka gati për spektaklin?
Mendoj se festivali do të fillojë me bindje të plotë dhe drejt suksesit, sepse të gjithë kompozitorët më të mirë janë të pranishëm me krijimet e tyre. Në këtë mënyrë, kënga është e garantuar. Mund të përgatisësh një skenografi, një dekor shumë të bukur, por kur nuk ka dialog, publiku largohet i zhgënjyer. Duke menduar se po konkurrojnë këngëtarët më të mirë, me kompozitorë profesionistë, mendoj se kolona e parë që quhet krijimtari është e arrirë. Kjo siguron festivalin. Sa i përket hapit të dytë, ku përfshihen këngëtarët e rinj, këtë vit përbën një risi. Në njërën prej netëve të festivalit, ne u përkushtohemi vetëm të rinjve, si këngëtarë të rinj, kompozitorë, poet, orkestrantë, po ashtu të rinjve u besohet një botë krejt tjetër. Pra, do të ikim pak nga serioziteti, logjika e njëjtë e këngës, duke ardhur në një botë të sinqertë, amatore. Dikush mirë, një tjetër pak më mirë, por kjo është diçka e veçantë që do të shikohet në këtë festival.
Meqë jemi tek të rinjtë, si është bërë përzgjedhja e tyre?
Sigurisht që kemi bërë një përzgjedhje shumë të rreptë. Ka pasur shumë të rinj të interesuar. Kanë qenë rreth 80 kërkesa prej këngëtarësh të rinj, ndërsa ne kemi përzgjedhur mes tyre vetëm 18 më të mirët. Këngët e tyre në natën e tretë do të kalojnë në procesin e dueteve, ku fillon gara mes të rriturve dhe të rinjve.
Çfarë dëshmon kjo lloj gare?
Kjo tregon se nëse dikush është vërtet i ri, kjo nuk do të thotë që ai s’duhet të dalë i pari. Nëse shikojmë mbrapa në kohë, nëpër festivalet e Evropës, përveç Ledina Çelos dhe Frederik Ndocit, të tjerët kanë qenë të rinj dhe për ta ishte edhe hera e parë që këndonin në festivalin e RTSH-së. Të rinjtë nuk do të punojnë me orkestër, por do të marrin me vete një kitarë, flaut, bateri, sepse përfaqëson idetë e tyre rinore, pra me një formacion të reduktuar, por që edhe ata këndojnë “dal’vivo”. Kështu që rruga është e hapur dhe i kanë të gjitha mundësitë që në krah të të rriturve në natën finale të konkurrojnë me anë të vlerave të vërteta artistike.
Si janë konceptuar netët e festivalit, në ndryshim nga edicionet e kaluara?
Në natën e parë do të këndojnë VIP-at me orkestër, dirigjentë etj., në natën e dytë janë të rinjtë, në natën e tretë këndojnë VIP-at bashkë me këngëtarët më të njohur ndër vite. S’ka gjë më të bukur se të shikosh Juliana Pashën në krah me Ardit Gjebrean, pra merr edhe një të ftuar gjatë konkurrimit. Në natë e katërt dhe në finale ndahet çmimi.
Po skenografia si do vijë, si është përshtatur me spektaklin?
Mendoj se skenografia është e realizuar me një frymë krejt ndryshe, ku prezent është edhe një orkestër e madhe. Nuk do të shohim një skenë të thatë për një këngëtar që këndon me superpozim dhe një kamerë që bën manierat e saj me qëllim që të japë sado pak ritëm, me aq mundësi sa ka. Kësaj here, këngëtari do të ketë komoditetin e pranisë së një orkestre të madhe, një trupë në dispozicion, ka kuartet, “back-vokal”, numra koreografikë, por edhe një perde të stilit të festivalit evropian, që i krijojnë këngëtarit gjendje. Skena ndryshon në varësi të këngëve, ku secila prej tyre shoqërohet me figuracione të ndryshme pas shpatullave të pjesëmarrësit, sfondin e tij dhe ndriçimin po ashtu. Ky është një koncept i ri këtë vit. Festivali po i afrohet shumë një koncepti të ri, modern dhe shumë pranë Eurosong-ut.
Mos doni të thoni që po imitojmë si pa dashur organizimin e festivalit të Eurosong-ut?
Jo, sepse Eurosong-u nuk ka orkestër në skenë. Aty shfaqen pothuajse videoklipe skenike dhe vetëm një pjesë e perdes që koncepton skenën. Duhet theksuar se me gjithë këto risi, ne nuk kemi ikur nga tradita, përballë frymës moderne. Brenda konceptit të festivalit tonë implementojmë edhe elemente të reja, por pa dalë nga tradicionalja jonë. Konkretisht, po të vëmë re vitet e fundit në festival po punohet shumë edhe me ndriçimin. Ajo nuk vjen vetëm si një dritë e hapur, e me disa detaje tek-tuk, por tashmë çdo këngë vjen me ndriçimin e saj specifik.
Të gjitha këto koncepte që renditët më lart, kanë qenë idetë tuaja, apo s’keni qenë i vetmi në konceptimin e frymës së re?
Unë kam një eksperiencë prej shumë vitesh, ndërsa ky shënon festivalin e 12-të që organizoj. Idetë kanë qenë pjesë e platformës së regjisorit, e mbështetur sigurisht nga drejtori Petrit Beci, drejtoresha e radios, Zamira Koleci, e drejtoresha e televizionit, Mirela Oktrova. Është normale që kam pasur mbështetjen e kolegëve, pasi në evente të tilla nuk mund të punohet vetëm.
Këtë vit prezantuesit e festivalit do të jenë emra të njohur të muzikës moderne shqiptare, çifti Alban Skënderaj dhe Miriam Cani. Pse kjo përzgjedhje?
Unë gjithmonë kam dashur prezantues të rinj në skenë. Nëse kthehemi pak mbrapa në kohë, për herë të parë kam qenë unë ai që kam mundësuar që çifti Ilir Bibolli dhe Zana Çeliku të dalë në skenë, kur të dy ishin gjimnazistë. Më vonë Anisa Markajani, edhe kjo gjimnaziste, Dhurata Kasmi, shumë e re në moshë, e cila më vonë ndoqi rrugën e filmit, Ndriçim Xhepa, Dhimitër Gjoka. Ndërkohë Albani është një djalosh që këndon dhe ka një zë të bukur, është i paraqitshëm dhe në krah ka një vajzë shumë të përgatitur, e cila në të njëjtën kohë drejton edhe një spektakël në Gjermani. Ata jo vetëm do të prezantojnë, por edhe do të këndojnë së bashku, apo edhe veç, apo muzikal.
A do të ketë të ftuar kësaj here?
Jo, kësaj here nuk kemi marrë ndonjë këngëtar nga jashtë Shqipërisë. Por ato 30 mijë eurot që do t’i kushtoheshin pikërisht këtij të ftuari, i kemi kompensuar duke realizuar sa më mirë natën e të rinjve. Mendoj se është më mirë që të kemi rreth 20 këngëtarë të rinj, që prej tyre dy apo qoftë edhe vetëm një mund të vazhdojë rrugën më së miri vitin tjetër. Mendoj se kemi vepruar mirë, duke parë edhe prurjet e këtij viti, sepse thyem pak edhe atë konceptin e tre netëve të zakonshëm të festivalit, një natë këngë, duete dhe në fund çmimi. Kemi kaq vite që sjellim këngëtarë nga Italia apo vende të tjera dhe kam vënë re që publiku nuk është treguar shumë entuziast. Më mirë, çdo gjë të organizohet mes miqsh, mes këngëtarëve shqiptarë.
Cila është kostoja e festivalit të këtij viti?
Festivali ka një kosto prej 250 milionë lekësh të vjetra. Është një shumë e akorduar nga shteti dhe sponsor privat në të njëjtën kohë. Çdo këngë me katër zëra paguhet me një milion lekë të vjetra, plus dekori, skenografia e shumë elementë të tjerë që kushtojnë shumë. Mendoj se kemi bërë një punë për t’u marrë në konsideratë.