Pas spitaleve, vaksinimi sot në të gjitha poliklinikat
Efektet anësorë të lehta që shfaqen brenda 24 orëve të para: temperaturë e lehtë, skuqje në vendin e injektimit apo gjëra të tilla të ngjashme
Pas mjekëve të spitaleve, sot vaksinimi kundër virusit A/H1N1 do të vazhdojë të bëhet nëpër poliklinika. Drejtori i Politikave dhe Planifikimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, deklaroi se vaksina është shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore të Tiranës. Sipas Piperos, edhe ditën e sotme do të vazhdohet me vaksinimin e stafit mjekësor të parësorit si kategori e rriskuar nga kontakti i drejtpërdrejtë me pacientët e prekur me gripin e derrit dhe më pas do të mund të vaksinohen ndaj këtij virusi grupet e riskut, si: fëmijët, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna.
Spitalet
Të parët e vaksinuar dje nga H1N1 kanë qenë stafi mjekësor i spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Të parët janë vaksinuar mjekët, infermierët dhe më pas pjesa tjetër e stafit që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët e prekur me gripin e derrit.
“Personeli shëndetësor i shërbimeve të infektivit i qendrave të terapisë intensive në të gjithë vendin, në të 12 spitalet rajonale dhe QSUT ka filluar vaksinimin e personelit mjekësor. Sot vaksina do të jetë disponibël edhe për qendrat shëndetësore të Tiranës dhe të rretheve të tjera gradualisht për t’u vënë në dispozicion të grupeve të tjera të riskut, siç janë, fëmijët e vegjël apo të sëmurët kronikë. Vaksina dhe vaksinimi është falas”, - shpjegon drejtori i Politikave dhe Planifikimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero.
Efektet
Pas vaksinimit të stafeve mjekësore të spitaleve dhe poliklinikave, vaksina do të bëhet edhe tek grupet e përcaktuara nga MSH dhe OBSH si të rriskuara. Edhe ditën e djeshme mjekët që bënë vaksinën, por edhe krerë të lartë të ministrisë theksuan se vaksina dhe vaksinimi është falas. Sipas tyre, është në vullnetin e secilit prej personave që bëjnë pjesë në grupet e rriskuara që të vaksinohen ose jo. Nga ana tjetër, ata përsërisin se tek personat që vaksinohen efektet anësore që evidentohen në 24 orët e para, simptomat janë të lehta dhe shfaqen kryesisht me temperaturë të lehtë, skuqje në vendin e injektimit apo gjëra të tilla të ngjashme. Deri tani në vendin tonë situata e përgjithshme e gripit të derrit tregon për prekjen e rreth 300 personave nga virusi A/H1N1, ndërsa numërohen 6 viktima, mes të cilëve edhe një grua shtatzënë.
UISH
Strategji për kualifikimin e infermierëve
Kualifikimi i mëtejshëm i stafit infermieror është një ndër pikat kyçe, pjesë e strategjisë së hartuar nga Urdhri i Infermierëve për vitin e ardhshëm. Gjatë një mbledhjeje të posaçme të aktivitetit të tij kombëtar me 100 përfaqësues të degëve si edhe të institucioneve kryesore shëndetësore në vend, Urdhri i Infermierit të Shqipërisë publikoi strategjinë e tij për vitin e ardhshëm nen moton “Viti 2010, viti i infermierisë”. Sipas kreut të UISH-së, Sabriu: “Duhet rritur cilësia e kujdeseve infermierore në të gjithë vendin, si dhe duhen rritur më tej aftësitë profesionale të këtyre profesionistëve”. Për këtë, sipas tij, duhet rritur informimi i pacientëve shqiptarë për të drejtat e tyre dhe për cilësinë e kujdesit shëndetësor që duhet të kërkojnë. Gjithashtu, duhet të ketë pjesëmarrje të pacientëve në këtë sipërmarrje të madhe për rritjen e cilësisë së kujdesit. Aktualisht, në vend, kujdesi infermieror nuk është në nivelin e duhur, kjo për arsyet e trashëguara si dhe për vlerësimin e pakët që kanë pasur ato ndër vite dhe në tranzicionin e gjatë që po kalojmë, si për nivelin e formimit bazë edhe për nivelin etiko-profesional të këtyre profesionistëve. Strategjia “Viti 2010, viti i infermierisë”, një eveniment që ndodh për herë të parë në vend, sipas krerëve të këtij institucioni pritet të japë rezultate pozitive në përmirësimin e cilësisë së këtyre kujdeseve.
Lëvizja “Zgjohu”
Rama shet trojet me dy standarde, njëri për miqtë dhe tjetri individëve
Lëvizja “Zgjohu” ditën e djeshme ka organizuar një protestë në model ankandi përpara Bashkisë së Tiranës. Në mënyrë figurative transmetoi mesazhin e dy standardeve të kryebashkiakut Edi Rama. Shitja e aseteve publike dhe shitja e trojeve në dy standarde, njëra me 99 euro për miqtë e kryetarit dhe deputetët e partisë dhe tjetra çmimin 1600 euro/m2. Dy karriget simbolizuan standardet e dyfishta, podiumi i ankandit në mesin e dy tabelave të mbuluara me perde te zeza ashtu si dhe interesat dhe marrëveshjet e përfshira në këtë institucion. Zbulimi i dy tabelave pasqyronte disa nga faktet e sjella nga lëvizja “Zgjohu” gjatë vitit 2009, firmat dhe atelietë që kanë përfituar në konflikte të qarta interesi, lejet e ndërtimit dhënë Delijorgjit, lejet e ndërtimit të dhëna biznes-deputetëve të Partisë Socialiste.
Në vijim të shembujve të sjellë të politikës së dopio-standardeve, lëvizja “Zgjohu” kishte ekstraktuar vizionin e paraqitur në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, ku Redi Petushi dhe Zirkon Disha, si aktivistë të saj, e paraqitën duke e vënë përballë realitetit. Aty thuhej: “Për një Tiranë të bashkëjetesës qytetare, për një Tiranë të shanseve të barabarta (ku vetëm shanse të barabarta nuk ka) për individin e çfarëdo bindjeje politike (ku leje ndërtimi marrin vetëm biznes-deputetët e partisë”.