Një pikë reference për të vërtetën
Prezantohet në Tiranë "Fara e bimës së keqe" e Kim Mehmetit
...Kim Mehmeti nuk e konsideron veten gazetar profesionist, megjithëse esetë, analizat dhe komentet e tij janë prezent gjithandej në median shqiptare dhe më gjerë. Kjo nuk është një deklaratë modestie, tipike për ca gazetarë të llastuar apo shkrimtarë të shtirur. Ai nuk është gjithashtu, si disa të tjerë që janë në dilemë në përzgjedhjen mes gazetarit dhe shkrimtarit. Ambicia e tij e vërtetë është letërsia. Gazetaria për Kimin, është një aksion plus, për shkak të aktualitetit, realitetit dhe jo për shkak të idealit të tij profesional apo vokacionit politik. "Jam dhe do mbetem shkrimtar, - thotë Kim Mehmeti. Doja të bëhesha gazetar, por kurrë nuk ia arrita. Ajo që shkruaj unë nëpër gazeta, nuk është fare gazetari.
Shkrimet e mia më shumë, mund të quhen "Përshtatje, apo Ese politike". Edhe ato i shkruaj vetëm atëherë kur diçka më prek, mos them, thuajse njësoj si edhe krijimet letrare. Sa i përket krijimtarisë letrare, kam pretendime të krijoj vepra, të cilat nuk do fundosen aq shpejt në vorbullën e kohës. Nga shkrimet e botuara nëpër gazeta, nuk pres asgjë më shumë, përpos zëri im të bëhet pjesë e shumëzëshmërisë, lidhur me proceset në shoqërinë ku jetoj dhe në atë mbarëshqiptare".
E, megjithatë, gazetat më të mëdha në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe mediat ballkanike në përgjithësi, ndihen të privilegjuara me prezencën e Kim Mehmetit.
Sikur Kim Mehmeti të jetonte në një mjedis tjetër, për shembull, në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta, jo në Ballkan, në Maqedoninë ashtu si është ajo sot, ndoshta do të ishte i vetëmjaftueshëm si shkrimtar. Dhe ai është një nga prozatorët tanë më të emancipuar, "shkrimtari i shkallës kombëtare dhe personaliteti i shquar i kulturës shqiptare", siç e vlerëson akademiku Ali Aliu. Por i ndërtuar ashtu si është, Kim Mehmeti nuk mund të mos ishte dhe gazetar. Ai nuk futet në tregun e medias as për konkurrencë dhe sfidë personale apo profesionale, por thjesht si një intelektual i tipit iluminist.
Janë me fat jo vetëm shqiptarët, por edhe krejt popujt e atij vendi, që Kim Mehmeti angazhohet edhe si gazetar. Sepse me shkrimet e tij Kim Mehmeti ndikon jo vetëm në emancipimin dhe evropianizimin e Shqiptarëve, por edhe të Maqedonasve, Serbëve etj. Kimi nuk është shkrimtar province dhe as gazetar katundi. Në analizat kritike të tij Shqiptarët, Maqedonasit dhe Serbët nuk favorizohen apo nënçmohen, për shkak të dallimit etnik, gjuhësor, etj.
Kim Mehmeti është po aq i rreptë me Maqedonasit, sa edhe me Shqiptarët e tij. Kim Mehmeti është një pikë reference për të vërtetën në Maqedoni. Jam i sigurt se pasi të lexoni librin e tij, do të më jepni të drejtë për këtë.