E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një politikë e mbrapshtë në kryeqytet

Lavdosh Ferruni

 “…më shumë shanse për të rinjtë e kryeqytetit”- tha Basha,  pas nënshkrimit të marrëveshjes, sipas të cilës çdo qytetar i Tiranës nga mosha 23 deri në 35 vjeç, që kërkon të hapë apo zgjerojë biznesin e tij, mund të përfitojë nga fondi i garancive të vënë në dispozicion nga Bashkia e Tiranës për të marrë një kredi. Duke qenë se Lulzim Basha është jo vetëm kryebashkiak, por tash dhe kryetar i opozitës së vendit ja vlen të komentosh këtë iniciativë. Edhe pse shumëkush e sheh këtë iniciativë vendimmarrëse si moment pozitiv, e parë në plan kombëtar ajo është një politikë e mbrapshtë. Më shumë shanse për të rinjtë e kryeqytetit përkthehet më pak shanse për të rinjtë e qyteteve e fshatrave të mbarë vendit, madje mund të konsiderohet diskriminim social- ekonomik i tyre. Politikat e zhvillimit të kryeqyteteve nuk janë asnjëherë vetëm lokale. Ato kanë impakt të fortë kombëtar. Dhe e thënë qysh në fillim, politikat bashkëkohore kudo në botën e zhvilluar janë krejtësisht e kundërta. Inkurajimi me politika favorizuese nuk bëhet për kryeqytetet e qendrat e mëdha, por përkundrazi, për rajone më pak të zhvilluara e të rrezikuara nga rrjedhja e resurseve humane, financiare, inefiçenca ekonomike dhe përkeqësimi i parametrave socialë. Në kushtet e Shqipërisë, ku Tirana ka thithur me shpejtësi, në mënyrë të paprecedentë, brenda 2 dekadave, afro 1/3 e popullsisë së vendit, ndjeshmëria për politikat e kryeqytetit në raport me zhvillimin kombëtar është rritur shumë, madje është bërë alarmante. Pikërisht në këtë kohë vinë e po prezantohen në Tiranë politika që nuk bëjnë gjë tjetër veçse inkurajojnë një përshpejtim të braktisjes së mëtejshme të popullsisë së rajoneve të tjera të vendit drejt Tiranës, duke ngacmuar madje pikërisht kategorinë më vitale e më të gatshme për të rrezikuar drejt aventurës në kryeqytet, rininë. Në këtë kontekst duhet parë ky vendim i fundit për lehtësimin financiar, të të rinjve të kryeqytetit për kredi biznesi, ku ka shumë të ngjarë që papunësia të shtohet, në vend që të pakësohet, si rrjedhojë e fluksit më të madh të të ardhurve drejt Tiranës nga politikat joshëse ndaj oportuniteteve të punësimit, se sa të vetë të punësuarve. Projekti tjetër i shpallur në fushatë për zgjedhjet lokale në 2011, ai për mbulimin me paratë publike të kredive lehtësuese për strehim për çiftet e reja në Tiranë, si dhe vetë-miratimi i Planit Rregullues të Tiranës (PRRT) janë gjithashtu në këtë linjë. Nëse vërtet vihen në jetë do e fusin vendin në një qerthull, nga ku nuk mund të bëhet më fjalë për zhvillim të qëndrueshëm. Sipas PRRT-së rritet më tej intensiteti i ndërtimit dhe denduria e ndërtimeve në Tiranë, duke projektuar një shtim popullsie prej 400 mijë banorësh të tjerë në më pak se 10 vjet, e duke e çuar Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, në një qytet me një dendësi nga 15,000 banorë për km2. Kjo është sot, kundrejt 3000-4000 që është standardi për kryeqytetet europiane, në rreth 25000 banorë për km2, duke e renditur Shqipërinë, ndoshta në vend të parë në botë, falë kësaj politike të mbrapshtë që ka filluar të zbatohet. Qysh tani, Tirana ka një ajër që është në kufijtë e ajrit të rrezikshëm për jetën, në një nivel 7, nga 4 që është standardi sipas indeksit ndërkombëtar të ndotjes së ajrit. Në aspektin ekonomik nuk mund të mos përmendim këtu fenomenin që po ndodh në Greqinë e sotme, ku shumë të rinj po e lënë Athinën e po shkojnë të fillojnë biznese në zonat rurale, atje ku prodhohet, atje ku janë resurset, nga ku mund të gjenerohet prodhim i të mirave materiale. Çfarë kuptimi ka, për shembull, që të favorizosh një djalë që do hap një zdrukthëtari në Tiranë dhe lëndën e drurit do e marrë nga Puka? A nuk do ishte ekonomikisht më efektive të favorizohej djali nga Puka, i cili ka aty dhe drurin dhe fuqinë punëtore më të lirë, që ka dhe internetin për të zgjedhur dizajne të bukura dhe për të komunikuar me skype me klientët kudo që ata të jenë? Më tej, djali nga Puka do ndërtojë një shtëpi të re në Pukë ( sa mirë do ishte ishte sikur ai dhe gruaja e tij të favorizoheshin me kredi edhe për shtëpinë!). Shumë të tjerë të punësuar prej tij do kishin mundësi të bënin të njëjtën gjë, dhe shumë të tjerë do prodhonin më shumë prodhime bujqësore e do bënin më shumë shërbime për nevojat e djalit dhe të punësuarve në Puka. Shumë biznese si ky do gjeneronin më shumë të ardhura për Bashkinë e varfër të Pukës, që ajo të mund të kish një buxhet për të investuar në territorin e saj e mos të merret vetëm me ndarjen e ndihmave. Dhe mos të harrojmë e gjithë kjo imagjinatë zhvillohet në prani të një faktori jetik të sigurt, ajrit super të pastër të Pukës. Dihet që z. Pencabligil, drejtor i Bankës që firmosi marrëveshjen me Bashën, dhe që do e marrë interesin e plotë në të 2 rastet, do të zgjidhte djalin nga Tirana. Nëse ka lidership dhe vizion favori i takon djalit nga Puka. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›