E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një politikë që përfaqëson vetëm veten

Ketrina Duro/qytetare 

-Duke ndjerë se po bie kambana e fundit për ju bashkëpunëtorët e krimit të organizuar, për ju që uleni në një tavolinë me krimin, me hajdutët dhe kriminelët e këtij vendi, ju që udhëhiqni skenarët e fëlliqur të vrasjeve, të grabitjeve e pazarllëqeve të pamoralshme, ju udhëheqja e shtetit të këtij vendi të cilin po e degradoni çdo ditë e më shumë me veprimet dhe lojërat tuaja të djallëzuara, ju pra kërkoni medoemos të na njehsoni me veten tuaj. Por ne nuk jemi ju! Keni shkelur kombin të cilit i përkisni, keni rrënuar njerëzit nga të cilët keni dalë, keni varfëruar popullin që u ka besuar votën, keni shtënë me armë dhe keni marrë jetë të popullit tuaj. Po të tregonit sado pak dinjitet e pendesë për gabimet tuaja të patolerueshme do të largoheshit duke i kërkuar falje publike vendit të cilit i detyroheni kaq shumë. Prandaj mos i shtoni kile më tepër kandarit të fajësisë suaj! Drejtojuni këtij populli të paktën një herë me ndershmëri dhe seriozitet. Ne jemi një pjesë e brezit të ri të Shqipërisë, një brez që tanimë nuk mund t'i mbajë sytë të mbyllur, por një brez që gjithmonë do të reagojë. Jemi një brez që nuk kemi qenë as anëtarë të SHIK-ut, as sekretar organizatash e aq më pak nuk jemi komunistë të Diktaturës, ku shumë nga ju ishin dje dhe sot udhëheqin në të njëjtën formë, por me një emër ndryshe. Mundohen të mbajnë ligjërata për një demokraci që kurrë nuk ka ekzistuar. Ne jemi pjesë e atij brezi që sot po jeton i diskriminuar dhe i pasigurtë. Po shkojmë në shkolla dhe universitete, të cilat drejtohen nga ministritë tuaja, në shkolla ku na futin në rreshtin e detyruar të mitingjeve "demokratike". Jemi pjesë e atyre ish-të persekutuarve të cilët sot po persekutohen akoma me egërsisht, atyre që prindërit humbën djersën e tyre tek firmat tuaja piramidale, që u nxorën jashtë banese ditën e vitit të ri. Jemi pjesë e atyre që qëlluat në ‘97 e të mos mjaftonin ato jetë, shumë të tjera u humbën në tragjedinë e Gërdecit dhe më pas në 21 janar. Jemi pjesë e atyre që motrat, vëllezërit dhe prindërit e të cilëve po vriten çdo ditë në rrugët e Shqipërisë dhe pa u përgjigjur askush. Prandaj o njerëz pushtetarë! Pastrojeni fjalorin dhe mos u mundoni të mbroni ende fajësinë tuaj duke bërë të fajshëm njerëz të guximshëm që i mungojnë këtij vendi të cilët mundohen të pasqyrojnë tek populli shqiptar të vërtetat që ju i fshihni prej 20 vjetësh.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›