Reformat e forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Një ndër detyrat kryesore të administratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama është edhe shkurtimi i shpenzimeve. Një detyrë e rëndësishme për ekonominë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës por në të njëjtën kohë përcaktohet edhe si shumë e vështirë. Natyrisht shkurtimet e shpenzimeve, të cilat ndërkaq po debatohen, po kryhen në një kohë kur e tërë ekonomia globale, tashmë që prej vitit 2008, po përballet me krizën ekonomike. Për të rregulluar bilancet e vendeve të tyre qeveritë e ndryshme të vendeve të zhvilluara, anembanë globit, kanë marrë masat e tyre për uljen e shpenzimeve. Që prej datës 1 mars të këtij viti këto masa do të prekin edhe forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Natyrisht mungon ende një marrëveshje mes Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit por gjithsesi në këtë vit fiskal pritet që të shkurtohen rreth 45 miliardë dollarë. Thënë ndryshe, shpenzimeve që shkojnë për forcat e armatosura amerikane do t’i mungojnë burime që arrijnë në 10% të tyre. Problemet shfaqen sidomos për trupat e forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ndodhen jashtë vendit. Sipas gjeneralit Ray Odierno, i cili ka qenë edhe komandant në Irak, rreth 80% e forcave tokësore nuk do të mund të ushtrohen dhe stërviten për mangësi fondesh. Kjo do të sillte shqetësime edhe për forcat ushtarake që ndodhen në Afganistan. Edhe aeronautika do të prekej nga këto masa madje flitet se do të ketë 200 mijë orë fluturime më pak. Sipas specialistëve të aeronautikës këto masa do të sillnin si pasojë edhe një nivel më të ulët stërvitor për të paktën dy të tretat e pilotëve. Ndërkaq shumë aeroplanëmbajtëse Harri Truman po dërgohen në Gji ku aktualisht ndodhet vetëm një aeroplanmbajtëse. Shqetësimet me Iranin janë të përditshme dhe për këtë duhen edhe forca të shumta. Nga ana tjetër këto masa do të prekin edhe shumë prej prej personelit të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shifrat janë të larta dhe flitet për 800 mijë të punësuar në Pentagon të cilët mund të gjenden një ditë të papunë. “Nuk ka dyshim që natyra e ashpër e shkurtimeve dhe dimensioni i tyre do të provokonte shumë fuqinë e Pentagonit” – ka shkruar Leon Panetta sekretar i Mbrojtjes. A do të aplikohen vërtet shkurtimet? Punonjësit e Pentagonit do të njoftohen një muaj përpara se janë në përfundim të kontratës të tyre të punës? Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punohet shumë që kjo gjë mos të ndodhë. Ka shumë diskutime dhe po kërkohet që këto shkurtime mos të godasin stërvitjen e njerëzve që angazhohen për paqen por të shihet mundësia e shkurtimit të shpenzimeve për armët e reja. Shumë prej analistëve amerikanë nuk janë dakord që të ketë shkurtime në një sektor kaq të rëndësishëm. Po gjenden ndërkaq edhe zgjidhjet e mundshme dhe po kërkohet që shkurtimet të prekin burokracinë. Vetëm në komandën e Washingtonit nga 1300 nëpunës që ishin në vitin 2010, kjo shifër arriti në 4200 në vitin 2012. Një tezë tjetër që po merret në konsideratë është ajo e mosblerjes të armëve të reja dhe ndër to padyshim përshihen edhe bombarduesit F-35. Për këto të fundit janë vlerësuar si negative kostot e tepërta me programin e F - 35 sepse sipas specialistëve të fushës vetë forcat e armatosura nuk kanë nevojë për këta avionë. Por humbjet fillojnë pikërisht tek F - 35 sepse kostot e deritanishme do të shkonin dëm. Nga ana tjetër, është e rëndësishme që shumë prej avionëve të zëvëndësoheshin. Politika “shkurto dhe harro” do të aplikohet për paisjet tokësore dhe për brigadat e ushtrisë me një kosto të parashikuar prej 32 miliardë dollarë. Por nëse shumica e paisjeve ushtarake duhet zëvëndësuar tani për tani nuk dihet sesi do të evolojnë luftrat e ardhshme, për një periudhë të paktën 30 vjecare. Do të ketë konflikte koncencionale dhe forcat e armatosura nuk duhet të pregatiten vetëm për operacione të thjeshta. Nga ana tjetër kërkohet edhe modernizimi i tankeve M-1 Abrams, sepse sot më shumë se kurrë kërkohet që në betejat e mëdha të luftohet pikërisht me këto mjete. Natyrisht për një sektor të rëndësishmë si ai i forcave ushtarake shkurtimet nuk do të jenë kaq të shpejta sepse amerikanët por edhe aleatët e tyre presin shumë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ky është një sektor i rëndësishëm kombëtar, por po aq i rëndësishëm është edhe në arenën ndërkombëtare.