E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfaqësuesit tanë që heshtin para dhunës

Erdion Maçolli

-Ai i cili duhet të ishte një tubim paqësor në mbrojtje të Lirive dhe të Drejtave Themelore të qytetarëve shqiptarë në Maqedoni, u shoqërua me provokime e më pas veprime të dhunshme nga ana e strukturave policore. Kushtetuta aktuale e Maqedonisë në nenin 21 të saj sanksionon :"Shtetasit kanë të drejtë në mënyrë të qetë të tubohen dhe të shprehin protestë publike pa paraqitje paraprake dhe pa leje të veçantë. Shfrytëzimi i kësaj të drejte mund të kufizohet vetëm në kushte të luftës dhe të gjendjes së jashtëzakonshme". Kushtet objektive, të cilat evidentoheshin sot në Shkup (para nisjes së veprimeve të dhunshme), nëse vihen përballë kësaj dispozite Kushtetuese, në mënyrë tepër të qartë dëshmojnë se: Qytetarët janë tubuar brenda kornizës që ligji u ofron dhe nuk kanë qenë në kapërcim të të Drejtave të tyre. Çka do të thotë se policia u urdhërua dhe më pas veproi pa të drejtë, ndërhyrje kjo e cila solli edhe precipitimin e situatës në dhunë. Por ky parim kushtetues, me sa duket pak u mor parasysh, e zbatimi tij edhe këtë herë në një mënyrë të shëmtuar i hapi rrugën një precedenti të rrezikshëm dhe përsëritës, siç është ai i nëpërkëmbjes dhe dhunimit të të drejtave të shqiptarëve. Dihet që e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së një shteti, e Maqedonia si një shtet në tratativat Euro-Atlantike, duhet të sillet e funksionojë në kornizat e këtij prizmi. Paqja në Ballkan përbën interesin më të lartë të ligjshëm të çdo Kombi. Duhet që traktatet dhe rezolutat e shumta të mos kenë vlerë vetëm në konotacionin letrar, por të materializohen duke u zbatuar në praktikë si një premisë e plotfuqishme për një bashkëjetesë vitale mes popujve. Rajoni do të ketë imunitet ndaj përsëritjes së akteve të shëmtuara të së shkuarës vetëm nëse akte të tilla të shëmtuara do të lihen mënjanë dhe do të sigurohet një zbatim i përplotë i Ligjit Ndërkombëtar, që në themel të tij vë të Drejtat e Njeriut dhe jo spastrimet e diskriminimet social-kulturore. Unë ndaj mendimin se situata e sotme është tepër serioze, e ashtu si çdo shkelje masive e të drejtave të njeriut duhet të trajtohet me seriozitet. Në këto kushte ato që duhet të rreshtohen të parat në linjën e promotorëve dhe garantuesve të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, duhet të ishin partitë politike, përkatësisht PDSH dhe BDI. Por sot jo vetëm që nuk pashë një solidaritet e mirëkuptim mes këtyre dy forcave për të punuar së bashku në të mirë të shqiptarëve, por në mënyrë qesharake deputetë dhe zyrtarë të lartë partiakë u sulën kundër njëri-tjetrit, me përbaltje dhe ofendime, duke harruar të mendojnë e të ofrojnë zgjidhje potenciale për problemet e qytetarëve të thjeshtë të cilët i kanë votëbesuar. Veprime të brishta këto, pasojat e të cilave më shumë se kushdo i vuajnë qytetarët e thjeshtë. Ka ardhur momenti që Klasat Politike të tregohen më të vendosura në vendimmarrje dhe në qëndrimet e tyre, pasi veprimet apo gabimet e deritanishme kanë ofruar dhe ofrojnë një realitet aspak të dëshirueshëm që qëndron vite dritë larg nga aspiratat e qytetarëve shqiptarë në Maqedoni.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›