E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetjet e vështira ndaj politikanëve

Diana Ndrenika

-Një dialog që e vë z. Rama në pozitë vramendjeje, ku të ndihet jashtë zonës së tij të komfortit, ngjall interes, dhe e ndihmon ndërkohë atë vetë për më të mirën e tij. Në fund të ditës nuk është mëkat nëse e pyet në publik për ndonjë pyetje të vështirë Fakti që lideri i opozitës dialogon në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan është diçka që duhet të na gëzojë e jo të na trembë. Larg nga mendjembylljet e nga politikat në llogore të bunkerizuara: “Unë nuk vij në Tv Klan, ti nuk shkel në Top Channel”. Nëse studiot e emisioneve politike të mediave televizive nuk do të na zbulonin portretet e dritëhijet e personazheve madhorë të politikës shqiptare, për çfarë do të na nevojiteshin këto studio? Është i vetmi vend ku qytetari i thjeshtë mund t’i shohë disi të sfiduar ata. Disi tokësorë. Përndryshe rrezikojnë të na fluturojnë nëpër re, të gjithëpushtetshëm siç ndihen shumicën e kohës. Në rast të kundërt, do të kishim shumë më mirë zëdhënëset përkatëse që do të intervistonin liderët politikë në zyrat e tyre të rehatshme, e me kaseta të na i shpërndanin intervistat nëpër edicionet e lajmeve. Po a do kishte kush interes? Jemi aq të lodhur e të mërzitur nga monolog-recitimet e shefave e zëvendësve imitantë të tyre e nga dalje ikjet e deputeteve - zëdhënës që me sulm batare hedhin helm përditë ndaj njëri-tjetrit sa nuk na bën më përshtypje. Nuk na ngjallin me interes. Jemi të mpirë nga ata. Fakti që një emision politik si Opinion pas një rrugëtimi të gjatë, ia del të mbahet ende në këmbë sot suksesshëm, (pa dyshim është emisioni politik me audiencën me të lartë në vend), në stuhinë e zhgulm - vrer hedhjeve për pozitë - opozitën e anasjelltas dhe media grupet mbështetëse te tyre, është për t’u përshëndetur. Dhe sigurisht që autori i tij është për t’u falënderuar që vazhdon ende të rrezikojë në këtë treg gati-gladiatorësh kur mund të shohë një jetë komode e të botojë shkrimet e librat e veta në qetësi. ǒkërkojmë me këtë vrer të ri? Të mbyllim Opinionin e Top Story-in ? Ti mbyllim studiot me debatin politik me audiencën më të lartë në Shqipëri? Vihet në shënjestër Fevziu se mbase këshillon në hije kryeministrin?! E kush kryeministër nuk do t’i donte këshillën gazetarit më të sukesshëm në Shqipëri? E cili gazetar do ia refuzonte atë në rast të një kërkese të tillë? Nesër Kryeministër, Rama nuk ka pse të mos i referohet. Të këshillosh edhe ndonjëherë kryeministrin e vendit është një pozicion i dëshiruar që fitohet e nuk ta dhuron kush, prandaj të mos fshihemi pafundësisht prapa gishtit. Mbase ka ardhur koha në këtë vend të provojmë t’i thërrasim vlerat me emrin e tyre të vërtetë. Jo ti anatemojmë ato. Nuk mundet të vazhdojmë strategjinë e intimidimit që ai x-i, Fevziu në këtë rast, të bëjë më shumë për ne se për ata. Jo, nëse e vlerëson vërtet bëje që ai të të dojë e të vlerësojë për politikat e qëndrimet e tua. Një gazetar profesionist mendjemprehtë e i thellë si Fevziu e ka të pamundur të mos dëgjojë zërin e thellë të arsyes në gjithë qëndrimet e tij larg ndikimeve të politizuara të grup mediave. Nuk do të mund të ekzistonte ndryshe. Pra duke qenë që udhëheqia nga arsyeja e qëndrimi i hapur e bën Fevziun të dialogojë profesionalisht me Ramën, nuk mund të presim që t’i serviloset në Opinion. Ne të parët si spektatorë nuk kemi asnjë interes për këtë. Përkundrazi një dialog që e vë Ramën në pozitë vramendjeje, ku të ndihet jashtë zonës së tij të komfortit, ngjall interes, dhe e ndihmon ndërkohë atë vetë për më të mirën e tij. Në fund të ditës nuk është mëkat nëse e pyet në publik për ndonjë pyetje të vështirë. Për asnjë çast zoti Rama nuk duhet të mendojë se audienca e gjerë nuk do donte t’ia bënte ca pyetje të vështira si ato të Blendit, ndoshta dhe më shumë se aq. Për hir të së vërtetës pyetje të vështira i ka bërë shpesh Fevziu edhe Berishës përpara kamerave të paktën, por akuzohet se tregohet më i rreptë me Ramën se me të. Mbase dhe ka ndodhur. Por kjo s’duhet ta trembë zotin Rama. Kjo i shërben dhe duhet t’i shërbejë atij për motivim. Në fund të fundit është ai që duhet të vijë në pushtet. Zoti Berisha aty është. Blendi Fevziu i takon Shqipërisë së mirë që duam, të Ardian Klosit që humbëm, por edhe të Fatos Lubonjës, Spartak Ngjelës, Artan Fugës, Maks Velos, Mustafa Nanos etj, që me artikulimin e mendimit të tyre ndihmojnë në ndriçimmendjet e qytetarëve e opinion bërjet e tyre.

Titulli origjinal: Faleminderit Blendi Fevziut


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›