E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një president në ikje dhe asnjë gjurmë

26-06-2012 / Nga Bujar Nallbani

Zakonisht burrështetasit lënë gjurmë edhe pasi ikin, ata mbeten në kujtesën kolektive si njerëz që bënë diçka, thanë diçka, qoftë një shprehje të caktuar, e kjo sjell vetvetiu gjurmën e tyre, po kjo vlen për ata njerëz që e çarë vetë rrugën e tyre, nuk u katapultuan dhe nuk erdhën në një vend të caktuar nga pista të tjera po vetëm nga profili i tyre. Sot kujtohen aspekte nga jeta e Çërçillit, e nga Sharl De Goli apo figura të tjera presidentësh botërorë. Realiteti shqiptar njerëz të tillë i ka me pakicë, në mos fare. Pse? Njerëz të tillë me një profil amorf si Bamir Topi, as mish as peshk, as kështu, as ashtu nuk kanë pasur mundësi të ndërtojnë staturën e shtetarit, jo se fati nuk i ka përkëdhelur, por se ata këtë miklim të fatit e kanë kuptuar si pozicion të komoditetit dhe të botës së tyre të ngushtë shpirtërore. Presidenti Topi, që kur erdhi në karrigen e presidentit me votëbesimin e të djathtëve të PD-së, menjëherë e hoqi nga mendja këtë, dhe arriti deri aty sa të votojë edhe për të majtën. Menjëherë ai mendoi sesi mund të krijonte një parti, sesi mund të planifikonte rrugët e së ardhmes duke shfrytëzuar mundësitë që të jep karrigia. Me pak përjashtime, është në mendësinë e njerëzve mediokër mosmirënjohja dhe tradhtia, mendësi që shtjellohet me idenë e keqe se sa do të fitoj pastaj sa do të punoj dhe jo anasjelltas. Kështu presidentit duke pasur mundësinë nga posti si shpërndarës dekoratash, dekoronte njerëz të panjohur me kontribute të dyshimta në demokraci ose pa kontribut fare, por kjo për të nuk kishte rëndësi, rëndësi kishte kopertura dhe interesi i gjërave e jo çfarë sillte realiteti në tërësinë e tij, në thellësi të problemeve dhe të vërtetave të pakontestuara. Vetëm këto të vërteta s`ka dashur t`i njohë presidenti, duke i paragjykuar gjërat, sepse ato nuk çonin ujë tek mulliri i tij. Po cili është mulliri i tij? Është mulliri që bluan misrin e kuq të komunizmit, është mulliri i ëndrrave të thara që mundohet ta marrë ujin nga zgafellat e së keqes. Ky president që erdhi nga e djathta e që tani pretendon që ka ngritur një parti të djathtë, jo vetëm që nuk i respektoi ëndrrat dhe principet e së djathtës, por nuk u mor vesh se çfarë tha. Madje i ironizoi të djathtët, krijoi realitete virtuale duke spekuluar sikur përkrahte të djathtët dhe të persekutuarit, duke u dhënë merita atyre njerëzve që nuk i pranonte opinioni publik. Në këto raste loja e tij e kamufluar jo vetëm që s`pinte ujë por na qe një lojë e cila i bën vetë të djathtët të mendohen e duhet të mendohen mirë para se të atashojnë në detyra të larta e të rëndësishme njerëz të tillë, sepse në Shqipëri njeriun e nis për engjëll dhe të del djall. Atashimi i njerëzve të tillë që stisin të vërtetat duhet të marrë fund. Natyrisht kjo përvojë e realiteteve jetësore duhet të vleje, në mënyrë që politika shqiptare dhe realizmi politik të ndjehen sa më afër e të përputhen për të arritur standarte të reja që ne të mos vuajmë nga njerëz të tillë amorfë, si Topi, që topin e politikës e zvarriti në fushën e saj duke bërë autogola të trishtë. Konkretisht, mua, Bujar Nallbanin, ky president më refuzoi dhënien e dekoratës, ose e mbajti një heshtje. Bëri një farë komploti të heshtur ndaj vlerave të mia, duke anashkaluar propozimin dinjitoz të vërtetë dhe të vlershëm të Shoqatës të Trashëgimtarëve të të Pushkatuarve Politikë të Shqipërisë me kryetar Gjoç Gjoçin. Ai bën sikur harron gjithë vlerësimet dhe referencat e dhëna për aktivitetin dhe kontributin tim në rrëzimin e komunizmit, dhe për këtë s`besoj të provojë ndonjë ndjesi të fortë, sepse kur unë vija kokën në thes, dhe kryeja atentatin e parë ndaj monumentit të Stalinit, Topi flinte e zgjohej me ëndrrën që komunizmi të mos rrëzohej, ndonëse e kishte marrë ferra uratën. Ishte marsi i vitit 1990 kur vura dinamitin që tronditi monumentin e gjakatarit Stalin, në qendër të Tiranës, kur intervistat e mia tek Zëri i Amerikës sillnin kumte e mesazhe shpresëdhënëse dhe atëherë çfarë bëje ti zoti Topi? Kjo dihet, s`bëje asgjë sepse s`ke ditur të bësh ndonjë gjë, por fshiheshe pas fustaneve të grave, që aq me pasion i ke patur dhe rregulloje punët e tua me veprimet e një mikroborgjezi të provincës.
Historiani dhe shkrimtari i madh anglez Simon Sebag Montefiore, duke më dhuruar librin për Stalinin, do të shprehej në autografin e tij: “...ti e godite Stalinin me dinamit, ndërsa unë me libra”. U befasova nga këto fjalë jo për faktin që më dedikoheshin mua, po thashë me vete se si kishte mundësi që një i huaj t`i dinte aq mirë gjërat, më mirë se pushtetarët tanë të cilët bëjnë sikur jetojnë çdo ditë me hallet dhe problemet tona. Por pas tronditjes së çastit, pas atyre fjalëve plot miradi e respekt, arrita në konkluzionin se të huajt e njohin mirë realitetin shqiptar, atyre u intereson vetëm e vërteta si dëshmi, janë pa komplekse dhe kanë gjerësi në pikëpamje të vlerësimit. Kjo nuk është thjesht një edukatë e tyre, po një princip pune prej nga vjen pastaj edukata, finesa dhe respekti. Montefiore dinte shumë mirë shkrimet e shumta që janë shkruar për personin tim, intervistat e mia, qëndrimet e mia dhe mbi të gjitha rëndësinë domethënëse të këtij akti, kur në Ukrainë Stalinin e rrëzuan tani, pas njëzet vitesh demokraci. Nëse një veprim nuk gjykohet në kohë, duke marrë peshën dhe rëndësinë e realiteteve që përcjell, atëherë ky veprim nuk ka sesi të gjykohet në çdo kohë. Por në realitetet e sotme shqiptare veprime dhe akte të tilla madhore, që atëhere jo kushdo i bënte, siç duket i prishin punë dikujt, atij që nuk dëshiron që t’i përcillet e përkrahet siç duhet roli i njerëzve që vunë kokën në rrezik dhe shpejtuan proceset demokratike me veprën e tyre. Natyrisht, shumë njerëz e kanë gjetur veten në fusha e drejtime të krijuara përmes zotësisë së tyre, aty ku hyj edhe unë, por atyre patjetër u duhet dhënë një sadisfaksion moral nga institucionet e vlerësimit dhe kjo është shenjë e dinjitetit dhe e vlerës, dhe këtë nuk mund ta bënte Topi edhe pse iu kërkua atij. Arsyet që thamë më lart, dhe ato që do rreshtohen më poshtë e gjejnë çdo shpjegim jashtë këtij shpjegimi, po nuk mund të gjejnë të vërtetën e trishtuar se si është e mundur që në institucionet tona të vegjetojnë njerëz të tillë, njerëz që siç hyjnë në to “nul” ashtu edhe dalin, e kur kthehen në njerëz të zakonshëm bëhen aq të parëndësishëm sa të duket se ato nuk kanë qenë kurrë në ato shkallë të hierarkisë së drejtimit. Kjo është një mallkim që vjen nga mungesa e formëzimit të personalitetit, nga rendja drejt pushtetit si një parajsë ku të duhet të marrësh vetëm të mirat, nga dehja prej një lavdie fallso që nuk e kupton sa qesharake është, etj etj. Në një mendësi u gjend edhe presidenti Topi duke harruar demokratët e vërtetë duke harruar mbështetësit e tij, aktivistët e parë të demokracisë, ata njerëz që në kohë të vështira u përleshën dhëmb për dhëmb me kulçedrën e kuqe, morën plagë nga ajo dhe sot janë dinjitozë e kryelartë, pavarësisht se njerëz si Topi kalojnë herë pas herë nëpër institucionet tona si një ëndërr e ligë, e keqe dhe trallisëse. Pra ku ishe, hiçgjëkundi, çfarë bëre, aq sa nuk mundi. Mundi të bënte ca gjëra për vete, një parti gjoja si frymë demokratike ku del grahma e atyre njerëzve që kanë gogësirë për një kohë të gjatë pas darkave të shijshme e rrogave të majme, e tani gjoja vijnë të na japin një frymë të re, po dihet çfarë fryme vjen prej gogësimës. E njeriu që gogësiu më tepër duke mos i besuar as vetes që ishte president na qenkësh njëherë zoti Topi, personazh i një përralle të trishtë të realitetit shqiptar, i cili edhe pse na u proklamua si i djathtë, nuk i përfilli të dënuarit politikë dhe aktivistët e demokracisë, e që duke ardhur nga një parti e fuqishme së cilës i ktheu shpinën, befas u kujtua se duhej krijuar një parti tjetër, si një trampolinë për t`u katapultuar tjetërkund. Besoj se kësaj radhe ëndrrat e tij të mykura s`do ecin, sepse ai nuk e ka treguar integritetin e një shtetari realist, ka dekoruar pinjollë të diktaturës, njerëz me kontribute të dyshimta, vetëm e vetëm të njollosë ata njerëz që i dolën në ballë demokracisë, të dekurajojë realizmin përcaktues në sistemin e vlerave të një shoqërie moderne, demokratike siç është pjesërisht shoqëria shqiptare. Ditën kur të dorëzojë karrigen me siguri do ndjehet pak keq, se nuk pati mundësi të dekoronte një komunist më tepër, e të shtonte edhe një njollë tjetër në sistemin e vlerave…

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›