E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidershipi i opozitës, një “automobil” i dalë jashtë mode

26-06-2012 / Redaksionale

Një shprehje popullore tiranase thotë se ai “bën numra” kur do të nënkuptojë një njeri me naze e jo serioz, i cili që luan si fëmijë me fjalët duke thënë njëherë “po” e një herë jo”. Pikërisht kështu mund të cilësohet opozita më e madhe numerike e 20 viteve pluralizëm demokratik. Si për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Republikës, ashtu dhe për çështjen e reformave integruese, Opozita e sotme e përfaqësuar nga Partia Socialiste ka dëshmuar për një amatorizëm në shpalosjen e alternativës. Kapaciteti i saj politik është dërrmuar prej sloganeve imagjinare që fshehin mungesën e përmbajtjes dhe mos kapjen e thelbit të çështjeve sociale dhe ekonomike.
Prandaj, krerët e partive të vogla të opozitës po bëjnë numra dhe po “flirtojnë” së fundmi me liderin historik të socialistëve, Fatos Nano. Po, pse? Arsyen e tregon në një intervistë të fundit aleati më i ngushtë i Ramës, Skënder Gjinushi: “Unë mund të them që PS ka dështuar sistematikisht në taktikat elektorale dhe sot shohim një çorientim të PS-së në kërkim të aleancave dhe nuk dimë të dallojmë aleatët realë nga aleatët e rremë”. Natyrisht shantazhi i tyre ndaj Ramës duket ashiqare, por kjo opozitë e drejtuar prej tij ka dëftyer pamundësinë për të qenë e besueshme.
Kuptohet vetiu objektivat politike të opozitës mbeten të paplotësuara, jashtë sferës së debatit publik. Kjo për shkak të paaftësisë për të prodhuar ide të reja e origjinale. Gjithçka përqendrohet në demonizimin e qeverisë Berisha, si e keqja e madhe. Investimi në këtë strategji politike ka nxjerrë në pah dy gjëra: së pari opozita të tregon me gisht se kush e ka fajin (Saliu?) dhe së dyti synon klimës ne frikës. Reagimet e opozitës ndaj çështjeve thelbësore të vendit janë një hap prapa medias dhe dy hapa prapa ndërkombëtarëve që rivalizojnë me të për një sensibilizim më të fortë shoqëror. Parakalimi në të majtë i opozitës vjen si pasojë e humbjes së ekuilibrit politik të Partisë Socialiste, e cila është një ngrehinë e vjetër ideologjike e kthyer në një diskotekë për 99-shat e Ramës. Mjerisht polemikat e fundit të brendshëm në gjirin e Forumi rinor eurosocialist veçse konfirmuan thellimin e përçarjes brezore të Partisë Socialiste.
Papjekuria e lidershipit opozitar shfaqet edhe në komisionet e reformave integruese. Braktisja e tryezës së reformës zgjedhore nga ana e përfaqësuesve të PS-së shmang miratimin në kohë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Kjo sjellje antireformiste dëshmon interesin e ngushtë të përfitimit të kapitalit politik në dëm të proceseve integruese të Shqipërisë. Ndonëse është një sjellje recidive  e konstatuar më parë gjatë anëtarësimit në NATO apo/dhe heqjes së vizave.
Sido që të jetë përfundimi i “kursit të ri” apo “rilindjes”, një gjë është e sigurt: të pafuqishmit vështirë se e mbarojnë garën e nisur tre vjet më parë. Opozita ka shpenzuar shumë energji në iniciativa të përfunduara në falimentim. Mjafton të kujtosh fundin e sipërmarrjes së protestave për të hapur kutitë, për të çliruar vizat apo fundin e grevës së urisë dhe pasojat e demonstratës së dhunshme të 21 janarit 2011, për të kuptuar shpërdorimin e kapitalit fiziologjik të besueshmërisë së opozitës. PS-ja është një automobil i dalë jashtë standardeve europiane që po parakalohet nga moderniteti.    

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›