E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një program është një kontratë

Ermonela Felaj

Kohë më parë më ka ngelur në mendje një shkrim lidhur me heqjen e vizave për shqiptarët dhe veçanërisht konsiderata se ky moment ishte njësoj sikur të ishim ftuar në kafen evropiane, por me detyrimin për të qëndruar në këmbë dhe jo ulur me të tjerë. E mora jo më kot këtë ndjesi të atij momenti.

Ne jemi shumë afër Evropës, gjeografikisht jemi në të, por ndahemi thelbësisht në demokracitë që kemi secili në vendin e tij, në mënyrën sesi zhvillohet ekonomia, sesi funksionon shoqëria dhe sesi drejtësia me të gjithë mekanizmat e saj i shërben qytetarit.

Duhet një program për këtë. Unë besoj se programi i PS-së është një dokument që përmban zgjidhje, veçanërisht për ekonominë si pika më e rëndësishme e jetës sonë. Në këto 6 vitet e fundit, familjet shqiptare kanë ndjerë sesi është pakësuar pesha e të ardhurave në xhepat e tyre, prej rritjes se pakontrolluar të çmimeve të produkteve bazë, të disa shërbimeve jetike, si shërbimi shëndetësor, furnizimi me ujë dhe energji elektrike.

Nuk ka nevojë për shumë analizë ekonomike, sepse realiteti që kemi parasysh është i zëshëm. Flet çmimi i naftës, flet çmimi i bukës, flasin çmimet e ushqimeve me radhë, flet çmimi i shënuar në fund të çdo fature, së bashku me tatimin e dyfishuar të Televizionit Publik Shqiptar, flasin çmimet e rritura me 10% të ilaçeve, flasin po ashtu çmimet e rritura po me 10% te vizitave spitalore në të quajturat spitalet tona

Është një realitet i hidhur, për të cilën ky program ofron një alternative, ofron një ekonomi që zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme e të planifikuar. Premtimet tona nuk kanë mbirë nga hiçi, ato janë realitete të provuara suksesshëm më parë në vende të tjera.

P.sh., taksa e sheshtë, e cila nënkupton tatimin e njëjtë të të ardhurave pavarësisht këtyre të fundit, nuk është as më pak e as më shumë, por mekanizmi, nëpërmjet të cilit sot qeveria po varfëron më tej të varfrit duke mbledhur më shumë para pikërisht nga ata që kanë më pak.

E kundërta e saj, taksa progresive që ne u propozojmë shqiptarëve, nuk do ti cenonte aspak bizneset, sikurse thotë qeveria e sotme, por mbledhja më shumë e të ardhurave prej tyre, do ti krijonte mundësinë qeverisë së ardhshme që të vejë në zbatim fjala vjen, më shumë projekte me interes publik, d.m.th., indirekt do tu hapte perspektiva të reja pune dhe fitimi shoqërive private, indirekt do të krijonte mundësi të tjera punësimi.

Siç edhe është vënë në dukje këto ditë, vendosja e taksës së sheshtë ka bërë që për 95% të shqiptarëve taksat të rriten dhe për 5% të tjerë ato të ulen. Pra, peshorja e asaj që konsiderohet si drejtësia sociale, është zhbalancuar skajshëm.

Në program kemi sanksionuar premtimin se do të kufizojmë apo heqim imunitetet e të zgjedhurve dhe funksionarëve publikë. Sepse një nga fushat ku programi Për një rilindje shqiptare synon ndryshime është padyshim Drejtësia.

Sot sistemi i Drejtësisë vuan nga korrupsioni dhe paaftësia në të gjithë nivelet. Është politika që ka rrënjosur në shoqëri kulturën e pandëshkueshmërisë, është po politika ajo që në vite nuk i ka siguruar drejtësisë kornizën e nevojshme ligjore, brenda së cilës ajo të formësojë rolin e vet.

Në program gjenden detajet e një ligji të ri për Gjykatën e Lartë, për Konferencën Gjyqësore, për Këshillin e Lartë të Drejtësisë; synohet fuqizimi i rolit të Prokurorisë (me një buxhet të rindërtuar, do ti japim mundësinë Prokurorisë të studiojë zhvillimin e strategjive dhe teknikave për luftën kundër krimit, veçanërisht atij të organizuar); ndryshime në ligjin organik, Kodin e Procedurës Penale, në ligjin Për policinë gjyqësore (duke e vënë këtë te fundit nën kontrollin e plotë të prokurorit) etj.

Ka shumë gjëra për të bërë në këtë Shqipërinë tonë të vogël e thuajse të dalë dore. Një program politik është një kontratë me popullin, është një detyrë që ne po e përmbushim. Është gjithashtu, një mënyrë për të mos heshtur ndaj një pushteti që po degradon çdo ditë bashkë me ekonominë; një mënyrë për ti ridhënë shpresë dhe dinjitet një Shqipërie të nëpërkëmbur.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›