E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëtimi në gjurmët e Dantes i shkrimtarit Palahniuk

11-11-2011 / Gazeta 55

Në një intervistë të posaçme për La Stampën, nën titullin “Tё dashur lexues ju çoj nё ferr”, shkrimtari amerikan Chuck Palahniuk flet për romanin-sfidë “Mallkimi”, i pari në udhëtimin e tij nё gjurmën e Dantes

Në atë pikë, autori braktis mbajtësen e librit prej druri dhe fillon të hedhë tullumbace në formë truri për publikun, që hidhet para skenës për ta rrëmbyer atë. Loja është që t’i godasin sa më shpejt të jetë e mundur, sepse tre të parët që e shfryjnë fitojnë një seleksionim librash. Metafora është e thjeshtë dhe efikase: autori i ka premtuar fansave të tij një roman sfidues, i aftë “të godasë mendjen tuaj” dhe në këtë mënyrë i kërkon lexuesve ta fitojnë duke shpuar me të vërtetë tullumbace në formë truri. Më pas, i pakënaqur nga turma në sallë,  fillon e hedh dhe çokollata mbi kokat e fansave, sepse libri i tij i fundit është ambientuar në ferr, ku “ëmbëlsirat”, dihet, që përfaqësojnë paratë e thata për çdo transaksion. Në fund, pasi leximi ndodh një ditë pas Halloweenit, autori i hedh lexuesve tullumbace në formë skeleti, që mund t’i shpojnë ose t’i marrin me vete në shtëpi si trofe e suvenirë të mbrëmjes.
Nuk është e lehtë t’i japësh një kuptim kësaj çmendurie të dukshme, mbi të gjitha sepse jemi duke folur për një shkrimtar që sapo ka vendosur të nisë një udhëtim në gjurmët e Dantes. Pikërisht kështu: një trilogji e inspiruar nga Komedia Hyjnore, për t’u kthyer në ferr, në purgator e në parajsë, të shoqëruar nga një vajzë 13-vjeçare amerikane e vdekur nga një mbidozë marihuane. I tillë është Chuck Palahniuk, i njohur tek publiku i madh si autor i Fight Club, që tashmë e kanë transformuar vetveten në një fenomen abuziv. I aftë të shesë mijëra kopje dhe të krijojë një vazhdim që nuk është i vështirë të krahasohet me një kult. Skena që sapo përshkruam është e vërtetë, në detaje, nga të cilat kemi hequr disa që ndokujt mund t’i dukeshin fyese. Kjo ndodhi 1 nëntorin e kaluar në sallën e madhe të Cooper Union në Nju Jork, një vend i shenjtë, ku kanë mbajtur fjalime disa nga presidentët e Shteteve të Bashkuara, nga Abraham Linkolni tek Barack Obama. Natën tjetër në podium hipi Palahniuk për të prezantuar romanin e tij të fundit “Damned” (mallkim) dhe gati sa nuk u hapën portat e ferrit.
Dy ditë më vonë, folëm me të për ta pyetur se çfarë kishte ndodhur: “Asnjë shkrimtar nuk bën gjëra të tilla, e kuptoj”, por është me dëshirë: është një ftesë për të marrë pjesë. Nëse unë përulem dhe bëj rolin e idiotit gjatë një leximi edhe lexuesit janë të lirë ta bëjnë një gjë të tillë e të argëtohen.
A është e dobishme që njerëzit ta shohin letërsinë si një kënaqësi e argëtim”? Nuk ju intereson ajo që kritikët thonë për ju?
“Me thënë të vërtetën nuk më intereson as ajo që thonë lexuesit. Unë shkruaj sepse dua ta bëj këtë. Më pas nëse ajo që publikoj u pëlqen kritikëve e publikut, atëherë mirë, nëse jo, prapë mirë. Unë ende shkoj përpara”.
Po ajo puna e tullumbaceve në formë truri?
“Duke lënë mënjanë shakanë, unë mendoj se një libër përfaqëson një sfidë për atë që e lexon: kjo është një përgjegjësi precize e autorit. Duhet të stimulojë, duke prekur edhe korda që mund të japin bezdi. Përndryshe është kohë e humbur”.
Pra, ju keni shkruar një roman që tregon historinë e një vajze 13-vjeçare, Madison, vajza e një prodhuesi filmash shumë të pasur në Los Angeles, e cila vdes nga një mbidozë marihuane në kolegjin e saj zviceran e përfundon në ferr.
“E keni parasysh romanin le requem? Janë libra të trilluar, të cilët janë shkruar për të bërë llogaritë me humbjen e një personi të dashur. Max Brooks, biri i Mel, ka shkruar një në të cilin flet për zombit që pushtojnë tokën, sepse në të vërtetë donte të përshkruante dhimbjen që kishte provuar kur i vdiq mamaja, Anne Bancroft. E njëjta Anne Rice, kur publikoi intervistë me vampirin, e bëri për të kaluar vdekjen ë së bijës nga leucemia. Unë e kisha humbur babanë, i vrarë nga ish i dashuri i të fejuarës së tij dhe në vitin 2008 i diagnostikuan nënës time një kancer në mushkëri. I qëndrova pranë derisa vdiq e më pas ndjeva nevojën për të shkruar këtë libër”.
Përse?
“Ferri që unë përshkruaj dhe pse duket mjaft argëtues në fillim, është një vend i trishtuar që na kujton spitalet tona. Protagonistja, Madison, shkon atje pasi vdes në moshën 13-vjeçare, kur një jetë ishte pranë adoleshencës e kishte frikë se mos humbiste kontrollin e trupit të saj. Vuan për ndarjen e prindërve të saj, por gjatë historisë rritet e ka gjithnjë e më shumë besim tek vetja”.
Madison jeni ju, ashtu siç thoshte Flaubert për Madame Bovary?
“Unë do të thosha po, me role të përmbysur. Tek Mallkimi vdes e bija, që ka nostalgji për prindërit. Mua më kanë vdekur prindërit dhe jam unë që vuaj për humbjen e tyre: është një tragjedi që e kam të vështirë ta pranoj. E kalon jetën duke u përpjekur të lirohesh prej kontrollit të tyre, ose duke u përpjekur të sillesh në atë mënyrë që t’i bësh të ndihen krenarë. Më pas, kur i humbet e më në fund mund të sillesh si të duash, ndjen papritur peshën se ke ngelur i vetëm në këtë botë. Ke përbrenda një ndjenjë boshllëku, që unë nuk dija se si ta mbushja”.
Mallkimi mbyllet me fjalën “vazhdon”. Çfarë duhet të presim?
“Një trilogji. Do të pasojë një roman në purgator dhe një në parajsë. Me gjithë respektin dhe dallimet e dukshme, jam frymëzuar nga Dante e Gulliver. Dua të tregoj një udhëtim të gjatë, që në të vërtetë është transformimi i brendshëm i një personi”.
Nuk ju duket se po ekzagjeroni?
“Në të kundërt, kam shumë nevojë të shkëputem nga një dhimbje që e kam të vështirë ta kapërcej. Mendoj se tre libra janë një kohë e mjaftueshme për të bërë llogaritë me vuajtjen për humbjen e prindërve të mi”.
Marrë nga “La Stampa”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›