Makthi për një gjurmë në historinë e shtetit
Kryeministri Berisha ka provokuar një debat fallco mbi një përmendore të Pavarësisë në 100 vjetorin e saj. E thënë me atë rastësinë e tij, shpesh herë vrasëse për seriozitetin e një kryeministri, ai foli dje vërtet për një përmendore me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Provokimi i parë që vjen nga Vlora, por dhe nga kundërshtarë të kryeministrit, ka të bëjë me faktin se përfytyrojnë prishjen e Monumentit të Pavarësisë në Vlorë dhe bërjen e një Monumenti të ri. E parë në vazhdën e premtimeve për të prishur gjithçka nga historia dhe për të rindërtuar gjurmë të reja në histori, Berisha ka lehtësinë e padurueshme që të ngjallë debat me çdo fjali të tillë. Në fakt në këtë rast mund të mos ketë ndërmend të prishë përmendoren, por të bëjë ndoshta një tjetër. Si në çdo gjë, dhe në histori ai kërkon shenjat e veta dhe shenjat e të tjerëve. Në këtë rast besoj se ai ka parasysh diçka të re, diçka që në Vlorë njerëzit të thonë, këtë e ka bërë Berisha.
Fiksimi i tij për të lënë shenjat e veta në histori është i fortë dhe gati mbizotërues në veprimet e tij të çoroditura si politikan. Bile ky fiksim është gjeneratori që mban të ndezur egon e tij për të qëndruar me çdo çmim në pushtet deri sa të bëjë diçka që të mbetet.
Ishte ky fiksim i tij për të qeverisur gjatë dhe i parrezikuar nga opozita që në vitin 1996 shkatërroi zgjedhjet e lira, institucionin më të rëndësishëm të një shteti demokratik, dhe degradoi vendin në një territor jashtë kontrollit administrativ, politik dhe social, duke kthyer Vlorën në qytetin monument të trazirave dhe krimit në vitin 1997. Ky është dhe monumenti real që Berisha ka ndërtuar në Vlorë dhe ai qytet do tia mbajë mend gjatë, shumë gjatë, edhe pasi ky njeri të ketë mbushur 100 vjetorin e vdekjes. Viti 97 është përmendorja e vetme dhe gjurma më e fortë që Berisha ka lënë në historinë e shtetit shqiptar dhe këtë nuk ja rrëzon dot askush, as ai vetë.
Por fiksimi për të lënë gjurmë në histori vazhdoi dhe pas vitit 1997. I mbetur në opozitë, ai i mbijetoi një thatësire të gjatë votash dhe mbështetje për të, derisa e majta shqiptarë hëngri vetveten dhe Berisha u rikthye në pushtet. Fiksimi që ai të linte sërish diçka në histori e shtyu atë drejt një skeme të re të përdorimit të pushtetit. Me një çmim rekord për çdo vend të pasur të botës ai ndërtoi një segment rrugor 60 km me një çmim prej mbi 1 miliard euro, me shpresën se do mbetej në histori. Filloi të flasë për superfuqi energjetike, për central bërthamor, për Zvicër me det, për arrorë, shegore, peshkore e gështenjore, të gjitha për të lënë dhe ai një shenjë. Por fiksimi për të lënë në shenjë në histori, në të vërtetë po linte shenja vetëm në gjeografi. Rruga e shtrenjtë e Kombit u bë një varrezë për ekonominë shqiptare dhe një salsiçe e pangrënshme për rrjetin rrugor primitiv shqiptar. Arrorët, shegoret, peshkoret, centralet bërthamore, Zvicra me det dhe gjepurat e tjera janë vetëm në mendjen e tij të sëmurë nga ideja se po ndryshon Shqipërinë. I vetmi ndryshim i fortë gjeografik prej tij dhe familjes së tij ndodhi disa kilometra larg Tiranës kur një fabrikë e mbështetur prej djalit të tij shpërtheu dhe vrau 26 vetë.
Ishte fiksimi i tij për të qëndruar me çdo kusht në pushtet, në pritje të lënies së një gjurme në histori, që nxiti ndjenjën e burracakut brenda vetes, dhe qëlloi mbi katër qytetarë shqiptarë para kryeministrisë, duke lënë dhjetë monumente të gjalla të ngrira nga tmerri, si fëmijë tashmë jetimë. Ana, vajza e Ziverit, është një nga monumentet që do të mbajë mend Shqipëria duke lotuar për babin e saj të vrarë me duar në xhepa para kryeministrisë nga Sali Berisha dhe Lulëzim Basha. Ajo foto do të shëtisë në vite si shenjë e barbarisë së këtij njeriu ndaj qytetarëve të vet. Vajzat e Aleks Nikës, djali i Faik Myrtajt apo fëmijët e varfër të Hekuran Dedës, po ashtu kanë për të qenë statuja të gjalla të kontributit të tij për pushtetin në Shqipëri.
Makthi i tij se ende nuk ka mbërritur dot tek një vepër madhështore për 100 vjetorin e pavarësisë, po shtohet. Premtoi se në 100 vjetorin e pavarësisë do kishim një parlament të ri në vend të Piramidës. Por siç ka keqkatandisur buxhetin e shtetit, nuk ka më pare jo të bëjë parlament, por as pare të prishë Piramidën, vetëm në ja dhëntë shokëve të djalit të tij ta hedhin në erë me përvojën e Gërdecit. Po ashtu premtoi stadiumin e ri duke shkatërruar një monument kulture siç është stadiumi kombëtar në Tiranë, por as për këtë vepër shkatërruese nuk ka pare. Me sa duket i ka rënë shkurt dhe me ca pare xhepi do të bëjë ndonjë monument të ri në Vlorë, të lërë aty një shenjë atë ditë, të ketë një palë gërshërë në dorë si babai i kombit më 28 Nëntor.
E ka kot. Siç e thashë, përpjekjet e tij për të bërë një histori të re në Shqipëri, kanë bërë një gjeografi të re, që e ka shëmtuar më shumë atdheun tonë. Ai është shkatërruesi më i madh i institucioneve të shtetit shqiptar këto 100 vjet, pasi është shkatërruesi i institucionit të zgjedhjeve të lira, që është themeli i shtetit demokratik dhe dinjitoz në gjithë kohërat, dhe më pas shkatërrues dhe armik i gjithë institucioneve të shtetit shqiptar. Në historinë e Shqipërisë ai do kujtohet si kryeministri që ishte armik me gjithë presidentët e vendit, me gjithë kryeministrat e vendit, me gjithë kryeprokurorët e vendit, me gjithë gjykatat e vendit, me gjithë gazetarët kritikë të vendit, dhe me gjithë faktorët opozitarë në këtë vend kur ai ka qeverisur. Ai po ashtu është kryeministri që ka qenë armik me gjithë aleatët e mëdhenj të Shqipërisë gjatë karrierës së vet, SHBA dhe Bashkimin Evropian. Ai ka futur vendin në luftë civile për shkak të krizës së demokracisë dhe konfliktit të tij me SHBA, dhe ka çuar Shqipërinë në fund të listës së vendeve të Ballkanit në hapat drejt Bashkimit Evropian. Këto janë gjurmët që ai ka lënë në historinë e shtetit shqiptar. Këto gjurmë do mbeten në histori si pjesë e kontributit të tij dhe askush nuk e ndihmon dot që ti fshijë. Në gjeografi ndoshta do tia falim rrugët e gabuara e të shtrenjta për të fituar Familja e tij, gjëmat e demontimet me fabrika çimentosh, me impiante plehrash e TEC-e me qymyr, pasi kemi mundësi ti rindreqim pa ikjes së tij. I qartë për këtë bilanc tragjik, po bën përpjekje të ketë dhe ai një monument të vetin në Vlorë, në atë qytet ku nuk pranohet ende si burrë shteti. Mos e merrni me kaq zemërim përpjekjen e tij. Makthi që ka për humbjen e betejës për të hyrë në histori e çon gjithmonë tek keqkuptimi se në histori hyhet duke bërë statuja për veten. Le ta bëjë se do të kemi çfarë të rrëzojmë kur të kujtohemi që ai nuk është më.
