E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një program si kurrë më parë

Socialistët po i japin dorën e fundit programit të tyre zgjedhor. Gjithçka merr fund brenda muajit gusht

Në Partinë Socialiste thonë se brenda korrikut ose gushtit do të jetë gati drafti i programit të cilin kjo parti do t’u shpalosë shqiptarëve përpara zgjedhjeve të 2009-ës. Një ekip është duke punuar intensivisht dhe Sekretari i Programit Politik në PS, Andis Harasani i tha mbrëmë “Korrieri”-t se puna ka hyrë tashmë në një fazë vendimtare.

“Menjëherë pas përpilimit të draftit, programi i ri do të hidhet për diskutim”, tha Harasani i cili pranoi të zbardhë disa elementë të rinj sipas të cilëve do të ngrihet tërë infrastruktura e këtij programi.

Ndonëse në themel të tij programi do të ruajë strukturën e ndarjes sipas sektorëve të ndryshëm të zhvillimit të vendit, si ekonomia, shërbimi social, financat, rendi etj, socialistët kanë menduar të sjellin edhe disa risi të cilat në thelb kanë të bëjnë së pari me sistemin e ri zgjedhor që do të aplikohet në vend dhe së dyti me nevojat përherë e më në rritje të qytetarëve për të dëgjuar nga forcat politike adresim konkret të kërkesave të tyre dhe jo thjesht premtime të parealizueshme.

Ndërkohë që sistemi i ri zgjedhor do të jetë proporcional rajonal, edhe programi i ri i PS do të ketë dimensionin e vet rajonal. “Programi është i ndarë sipas sektorëve, por njëkohësisht edhe sipas rretheve, duke adresuar nevojat e tyre specifike”, tha Harasani. Rajone të ndryshme të vendit kanë ekzigjenca të ndryshme dhe duket se në PS po mendojnë të jenë më pranë interesave reale të qytetarëve në zona të ndryshme të vendit. Natyrisht ky kusht, e ka bërë programin më të specifikuar dhe me një gjuhë më pak akademike dhe përgjithësuese, por në PS janë të bindur se kjo është rruga e vetme për të arritur një rezultat vërtet racional dhe të dobishëm për qytetarët.

Gjithashtu, pas një përvoje të gjatë premtimesh boshe dhe fjalësh të mëdha që nuk realizohen kurrë, sindromë kjo nga e cila po vuan prej 17 vjetësh pluralizmi shqiptar, kësaj radhe programi i ri në PS merr përsipër edhe një element tjetër tepër të rëndësishëm. “Në vetvete programi është një tërësi projektesh. Por në ndryshim nga çdo herë tjetër, kësaj radhe çdo projekt i propozuar do të shoqërohet edhe me faturën e vet financiare”, thotë Harasani.

Sigurisht është e lehtë të mahnisësh zgjedhësit e një fshati të humbur nëse u premton atyre ndërtimin e një baze raketash apo të një kombinati autotraktorësh. Por nëse ndalon për një moment dhe paraqet para banorëve një llogari të saktë të nevojave të tyre, projekteve që mund t’u shërbenin si dhe koston e secilit projekt, atëherë sigurisht që edhe qytetarët do të nisnin të kuptonin se më në fund dikush po u flet seriozisht. Por risija e programit që po hartohet në PS qëndron edhe në burimin e të ardhurave nga do të financohen projektet. “Përveç faturës financiare të projekteve, në program do të paraqitet edhe burimi i fondeve me të cilat do të paguhen ato”, thotë Harasani.

Puna po vazhdon me intensitet dhe programi i cili në fillim i ngjante një puzzle të pakuptueshëm, tashmë pothuajse ka marrë formë dhe pret dorën e fundit për t’u plotësuar para se të paraqitet për diskutim në strukturat socialiste. Sistemi i ri zgjedhor dhe kushtet e reja në të cilat ndodhet vendi, sigurisht do të ofrojnë shumë elementë të rinj nga forcat e ndryshme politike. Shpërfaqja e tyre më elokuente dhe gara më e fortë, duket se do të jenë pikërisht, programet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›