Qeveria, projekt shpronesimesh

Pas amendamenteve për ligjin e legalizimeve, në Parlament do të paraqitet edhe drafti i ri për “Shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”. Drafti, i cili është parashikuar të futet për votim në Parlament në fillim të javës së ardhshme, është përgatitur pas negociatave mes Partisë Demokratike dhe asaj Republikane. Ky draft ligjor parashikon “filtrimin” e të gjitha sipërfaqeve të tokave të ndërmarrjeve bujqësore dhe të zonave turistike dhe verifikimin e titujve të pronësisë. Zonat të cilat do të futen nën “filtër” janë zonat turistike dhe ndërmarrjet bujqësore. Në rastet kur do të rezultojë që subjektet kanë përfituar padrejtësisht sipërfaqen e tokës, atëherë atyre do t’u hiqet prona, e cila do të përdoret si kompensim për ish-pronarët. Vetë hartuesi i draftit, republikani Arian Madhi, shpjegon se heqja e titullit të pronësisë do të bëhet nëpërmjet rrugëve ligjore dhe jo nëpërmjet administratës shtetërore, e cila vetëm konstaton përfitimin në mënyrë të padrejtë të titullit të pronësisë. “Kemi parashikuar që ky proces të përmbyllet brenda tre viteve nga hyrja në fuqi, për shkak se ky është një proces jashtëzakonisht i vështirë dhe kërkon kohë të mjaftueshme për të garantuar edhe për sa i përket problemit të përcaktimit të personave, të cilët kanë përfituar padrejtësisht”, thotë republikani Arian Madhi. Sipas tij, tashmë është formuluar dhe drafti përkatës do të paraqitet i plotë, së bashku me propozimin e qeverisë në Parlament. Ndërkohë, qeveria ka përgatitur edhe ngritjen e komisionit, i cili do të merret me verifikimin e titujve të pronësisë për tokat bujqësore. Sistemi i kontrollit nga komisioni do të funksionojë në rastet kur ka informacione nga subjekte të cenuara. Në këtë rast, komisioni parashikohet që të bëjë verifikimin e informacionit, kudo që të jetë sipërfaqja e tokës. Por puna specifike e këtij komisioni do të përqendrohet në zonat në të cilat pretendohet të jetë kryer edhe abuzimi më i madh me pronat: në zonat turistike dhe në tokat bujqësore të ndërmarrjeve bujqësore të njohura si ferma. Ndërkohë, në bazë të draftit, duket se ata që kanë përfituar më pak prona në mënyrë të padrejtë, do të jenë edhe pjesa e fituar. Ato subjekte të cilët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë tokë bujqësore mund të ligjërojnë vetëm 10 për qind të sipërfaqes, ndërsa pjesa tjetër do të vihet në shërbim të procesit të kthimit dhe kompensimit fizik. “Është gjykuar në këtë mënyrë,sepse nuk do të ishte aspak efektive që për xhepa, ngastra dhe ishuj të vegjël që përbëhen nga 30 apo 40 metra katrorë, të kryhet ky proces, sepse po t’i veçonim këto prona, nuk do të ishte e mundur për t’u shfrytëzuar. Në raste të tjera, kur ato e kapërcejnë masën e 10 përqindëshit për frymë, atëherë kjo është një sipërfaqe që mund të vihet në shërbim të procesit”, shpjegon republikani Madhi. Ai shpjegon se, në rast se “në një fshat shpërndarja e tokës bujqësore ka qenë 600 metra katrorë për frymë, do të thotë që përfituesi mund të mbajë vetëm 10 për qind të këtyre 600 metrave, pra 60 metra katrorë”. Sipas tij, “nëse do të jetë mbi këtë sipërfaqe, sipërfaqja e përfituar në mënyrë të kundraligjshme, atëherë këtij do t’i hiqet kjo sipërfaqe dhe do të vihet në shërbim të procesit të kthimit dhe kompensimit fizik”.