E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i xhunglës në panairin e librit

Ndriçim Kulla 

Evokimi i hapur i kufizimit në mentalitetin e ngushtë të artit të cunguar Duke qenë se libri shqip për vetë kushtet e vështira ekonomike që trashëgon dhe veçoritë specifike që ka është një produkt i vështirë kulturor, përgjatë gjithë aktiviteteve të tij ekspozuese, e ka pasur tepër të nevojshëm ndihmën financiare nga sponsorë privatë dhe shtetëror, por edhe nga kontribuues të tjerë.
Megjithëse vlera që kanë manifestuar këto aktivitete ka qenë e ndjeshme në drejtim të rritjes së aktivitetit botues të librit shqip dhe sidomos përmirësimit të cilësisë së tij, për shkak të dinamikës që ka pasur kjo veprimtari kulturore, mënyra e organizimit të këtyre aktiviteteve nuk mund të garantojë në të ardhmen një normalitet në kryerjen e këtyre aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare, në rast se lihet në dorë të Shoqatave të Botuesve. Prandaj, mënyra e organizimit të panaireve të librit duhet që edhe në vendin tonë t’u përshtatet patjetër rregullave, ligjeve dhe praktikave të vendeve të tjera  demokratike që veprojnë në një ekonomi të tregut të lirë. Në të  gjithë botën demokratike, panairet qofshin këto ekonomike apo kulturore, i organizojnë qendrat fitimprurëse dhe të licencuara me këtë qëllim. Ato janë të specializuara dhe i organizojnë panairet sipas një programi dhe oferte të caktuar, në një kohë që gjatë gjithë këtyre viteve është provuar diferencimi i subjekteve dhe prishja e konkurrencës ndërmjet tyre. Dhe po këto qendra bëjnë dhe reklamën e duhur për të informuar dhe tërhequr edhe vizitorët dhe blerësit e këtij aktiviteti. Kështu funksionon Panairi ndërkombëtar i Librit në Frankfurt dhe të gjithë panairet e librit në Evropë, Kanada, Amerikë dhe në të gjitha vendet e rajonit tonë. Qendrat pasi përcaktojnë  afatin e kryerjes së veprimtarisë, bëjnë lajmërimet përkatëse, të së gjitha subjekteve, bashkë me aplikimet dhe pagesat sipas ofertës së qendrës, duke bërë sigurisht edhe koordinimet përkatëse me grupet e ndryshme të interesit, që janë të interesuara drejtpërdrejt ose indirekt për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve kulturore. Kjo është eksperienca që kemi parë të funksionojë për çdo panair kudo ku kemi qenë. Sigurisht që shoqatat kanë një rol të madh, bëhen konsulente dhe  ndihmojnë në organizimin dhe përsosjen e këtyre veprimtarive, por nuk ka se si të jenë organizatore të drejtpërdrejta për arsyen e thjeshtë që drejtuesit e këtyre shoqatave janë së pari botues. Ata kanë qenë gjithmonë pjesëtar aktivë të këtyre aktiviteteve, kanë pasur stendat dhe librat e tyre në “lojë”, nëqoftëse mund ta quajmë kështu, kanë pasur nevojën për kredenciale dhe prandaj janë interesuar, duke shfrytëzuar këtë bashkorganizim që reklama për ta të buçiste në raport me të tjerët, kur realisht duhej të ishin në çdo gjë të barabartë dhe rregulltat e “lojës” t’i vendoste cilësia dhe jo madhësia jo e proporcionuar me vlerat reale të stendës. Sido që ta trajtosh problemin këtu kemi të bëjmë me një konflikt të pastër të interesave dhe kjo s’mund të  vazhdojë më. Ndoshta shumë gjëra janë bërë për emergjencë ose ndoshta disa kanë vazhduar edhe për mungesë eksperience. Por kështu, nuk duhet të vazhdojmë më. Ne duhet të mësohemi me rregullat e demokracisë. Aq me tepër që kjo i humbet vlerën edhe konceptit të demokracisë, pasi mund të ketë edhe mjaft botues të paorganizuar nëpër këto shoqata, të cilët duhet të kenë të drejta si edhe të tjerët.
Në historinë e Panaireve të Librit në Shqipëri, Shoqata e Botuesve apo Shoqatat e tjera që kanë funksionuar, janë përfshirë jo vetëm si konsulente për organizimin e këtyre aktiviteteve, por realisht edhe si bashkadministrues të këtyre veprimtarive. Panairet e gjithë këtyre viteve të fundit janë qartësisht veprimtari të hapura që kanë prishur rregullat e konkurrencës në kurriz të shumë botuesve shqiptarë, ku me sa po duket, palë në këtë prishje janë direkt edhe institucionet shtetërore. Kështu, pavarësisht fanfarave propaganduese të organizatorëve, unë si një botues serioz, duke shprehur edhe shqetësimin e zemëratën e mjaft kolegëve të tjerë, për klimën që është krijuar në këtë veprimtari, shpreh shqetësimin se në këtë pabarazi është bërë palë edhe qeveria. Kontributi i qeverisë në këtë drejtim, përveç të tjerash, qëndron tek tolerimi i kësaj parregullsie për faktin e thjeshtë se si ish-piramida, por edhe Pallati i Kongreseve, ku po organizohen ky aktivitet, janë pronë shtetërore. Si është e mundur që shteti të bëjë kontrata për një aktivitet fitimprurës me një shoqatë? Si është e mundur që edhe pse statusi ligjor nuk ia lejon një administrim të tillë, shteti nënshkruan kontratë me të? Mos vallë në rastin konkret kemi të bëjmë me një aferë korruptive që e kryen qendra që administron ish-Pallatin e Kongreseve? Le ta provojë më së fundi Kontrolli i Shtetit ligjshmërinë e këtij pretendimi, nëse kemi të bëjmë me një veprimtari të ligjshme apo të paligjshme, por ajo që kërkoj unë është barazia e prishur në këtë garë, duke ndjerë keqardhje, pasi shteti, i cili duhej të bënte të kundërtën, ka ndihmuar historinë e vazhdimësisë së xhunglës. Jam edhe unë drejtuesi i një shoqate botuesish, por nuk mund të guxoj të kryej një aktivitet të tillë jashtë ligjeve dhe rregullave. Para 4 vjetësh, edhe ne si botues, prishjes se vazhdueshme të këtij rregulli, iu përgjigjëm me një panair paralel dhe pothuajse falas, për t’iu dhënë të paktën një mesazh kolegëve tanë botues që të shkonim tek rregulli. Kjo solli si përfundim që të paktën të arrihej në një konsensus për organizime të tilla. Por ky pakt i pashkruar mes kolegësh u prish në mënyrë hileqare nga organizatorët e Panairit si vitin e kaluar ashtu dhe sivjet. Në rast se do ta argumentoja një gjë të tillë me mbresat e mia personale në raport me këtë veprimtari, mund të them se ato kolana të mendimit filozofik botëror, të mendimit albanologjik apo shqiptar, i zbehu prishja e kësaj konkurrence, të cilën unë jam munduar gjithmonë ta respektoj.
Po si duket organizatorët e këtij panairi kishin për synim kryesor fitimin dhe eliminimin e konkurrencës dhe reklamës për shumë të tjerë, duke lënë si dëshmi ngritjen e çmimeve, madje duke e dyfishuar atë për qiranë, klientelizmin në përzgjedhjen e vendit dhe fshehtësinë e pashembullt në organizimin e këtij panairi, problem i cili mund të qartësohet mirë me një debat të hapur.
Pra, për vetë ngërçin në të cilin është mbërthyer ky problem dhe për vetë rëndësinë vitale që kanë organizimet e mira të panaireve të librit për kulturën tonë, me qëllim që të shkojmë përpara e të mos kthehemi akoma dhe më prapa, ne duhet të adaptojmë menjëherë praktikat e përparuara që funksionojnë në të gjitha vendet e përparuara dhe demokratike pa përjashtim. Ka ardhur koha që edhe në këtë drejtim të mos vazhdojmë më me rregullat dhe stilet tona allashqiptarçe. Ministra e Kulturës ka përgjegjësinë e saj në ruajtjen kaq gjatë të kësaj statuskuoje, prandaj ajo duhet që t’i verifikojë këto praktika të cilat nuk janë në përputhje me parimet dhe rregullat e tregut të lirë, për të ndërhyrë kështu menjëherë e për të rënë në kontakt me qendrat e organizimeve të Panaireve, me synim ndihmesën e tyre ekonomike (ose me anë të mjeteve të tjera që ajo ka në dispozicion) në zhvillimin sa më cilësor të këtij aktiviteti.
Tek ne janë dy qendrat e specializuara të këtij lloji: Qendra e organizimit të panaireve pranë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës-Piramida, e cila aktualisht është në rikonstruksion dhe qendra e organizimit të panaireve-Pallati i Kongreseve. Por kjo nuk mbetet shteruese, se megjithë problemet që kemi, shoqëria jonë ka dinamikë zhvillimi, çka hap perspektivën edhe të krijimit të qendrave të reja. 
Pra, së pari lipset që të ndryshojë kryekëput praktika e organizimit të panaireve, ku administrues të panaireve të librit të jenë vetëm Qëndrat e organizimit të këtyre veprimtarive dhe çdo ndihmë financiare që do t’i jepet organizatorëve, lipset trajtuar si ndihmë për çdo botues, i madh apo i vogël qoftë, është apo nuk është anëtar shoqatash; Vetëm kështu kjo ndihmë do të reflektojë drejtpërdrejtë në çmimin që detyrohet çdo botues për stendën dhe publicitetin e këtij panairi.
Dhe së fundi, nga  Ministria e Kulturës mund të kërkohet që të mbetet frymëzuese dhe ndihmuese ekonomike e këtyre aktiviteteve për vetë veçoritë që ka libri në përgjithësi e sidomos libri shqip në veçanti. Si hartuese dhe koordinatore e politikave qeveritare ajo ka misionin dhe detyrën e organizmit të drejtpërdrejtë të këtyre aktiviteteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›