Një qasje ndryshe, në prag të tollovisë së zgjedhjeve në Maqedoni
Maqedonia ka 17 vite pavarësi dhe 17 vite pluralizëm politik dhe krejt pajtohemi se nuk është edhe aq kohë e mjaftueshme për të siguruar qoftë traditë të mirëfilltë si të trashëgimisë institucionale po edhe të respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Kësaj përvoje sado e vogël dhe e njomë i kontribuuan edhe shqiptarët me formimin e subjekteve të tyre politike, varësisht ndryshimeve ose ngjarjeve të kohërave. Ky nuk është edhe aq kontribut marramendës, por njëkohësisht edhe nuk duhet nënvlerësuar ngase shqiptarët në Maqedoni kishin qenë larg institucioneve të këtij vendi për gati një gjysmë shekulli. Tashmë kemi një realitet të ri në Maqedoni. Shqiptarët janë të pozicionuar deri diku mirë dhe kanë siguruar një Marrëveshje të Ohrit, e cila duhej dhe duhet të paraqesë si pikënisje e reformave të shumta në këtë vend. Marrëveshja e Ohrit nuk na u paraqit vetëm për reformat juridiko-civile, por ajo (për mendimin tim) u paraqit edhe për t'ju ofruar dy komuniteteve më të mëdha (maqedonasve dhe shqiptarëve) edhe një reformë tjetër. Kjo reformë, edhe pse u anashkalua nga liderët e subjekteve politike në vend, ishte e pazëvendësueshme dhe ishte jetike për vetë Maqedoninë. Kjo reformë kishte të bëjë me ndryshimin e mentalitetit të deritanishëm maqedonas, i cili mentalitet ishte etnocentrik dhe egoist. Ky mentalitet ishte i stërmbushur me paragjykime dhe stereotipe të të gjitha llojeve. Mosqasja e subjekteve politike ndaj kësaj reforme si duket kishte të bëjë me harrimin e interesave kolektive dhe dhënies përparësi interesit individualo-partiak. Ky interes, edhepse afatshkurt ka pasojat e tij që rezultojnë me shkatërrimin e proceseve të arritura deri më tani dhe mbjelljen e urrejtjeve ndëretnike. Tashmë krejt pajtohemi se maqedonasit i janë kthyer mendimit se shqiptarët janë qytetarë të kategorisë së dytë dhe ata duhet të jenë shërbyesit e kategorisë së parë. Edhepse tingëllon në mënyrë ekstreme, është një realitet që nuk mund të fshihet. Zhvendosja e vëmendjes së qytetarëve nga problemet e mëdha vendore, qofshin ekonomiko-politike, qofshin sociale-kulturore bëhet për interesa partiake dhe që, padyshim, janë si rezultat i shpirtngushtësisë personale të liderëve politik. Qasja ndaj rejtingjeve dhe tentativat "me çdo kusht" për rritjen e rejtingjeve partiake si nga partitë pushtetare dhe ata në opozitë, po rezulton me pasoja enorme, të cilat pasoja vazhdon t'i ndjejë popullata shqiptar. Kushtëzimi i qytetarëve me libreza partiake për punësim të tyre akoma mbetet aduti parimor i partive politike. Akoma nuk po shohim pjekuri të lartë politike, ku subjektet politike do të konkurronin me oferta të ndryshme dhe që qytetari të jetë në pozitë të zgjedhjes së ofertës, të cilës atij i përshtatet. Liderët politik shqiptarë duhet të jenë zemërgjerë. Ata duhet t'i shtrijnë dorën njëri tjetrit për një konkurrencë idesh, caqesh, programesh dhe synimesh. Promovimi i personaliteteve jopolitike me kapacitet të jashtëzakonshëm profesionale-shkencor mbetet vetëm si ide, por ja që asnjëherë nuk gjeti rrugën e realizimit. Dekurajimi i këtyre personaliteteve është gjithashtu rezultat i frikës së konkurrencës së diturisë dhe aftësive profesionale. Liderët politik shqiptarë duhet kuptuar se jo çdo send që fillon me ta duhet edhe të përfundon me ta. Anashkalimi i personaliteteve me vlera moderne ka shtyrë shumë nga intelektualët modern shqiptar që t'i qasen jetës private, duke mos pasur kurrfarë mundësie të gjetjes së mënyrave për dhënien e kontributit personal për shoqërinë shqiptare. Është më se e vërtetë se rruga e vetme, qoftë edhe për një projekt sado i vogël të jetë ai, është përmes portave partiake ku aty patjetër duhet t'ju nënshtrohen bërrylave të strukturave partiake, të cilat janë aty nga fati i nepotizmit dhe intervenimeve e jo i zgjedhjes në bazë të meritës. Kjo metodë e formimit strukturor partiak nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç atij të servilizmit të pakusht ndaj liderit. Imponim klasik se vetëm lideri ka të drejtë dhe din se çka është më e mirë për këtë ose atë çështje. Dhe jo rastësisht në Maqedoni subjektet politike janë të ashtuquajtura 'firma private'. Kësaj metode klasike i ka dalë afati, bile tashmë nuk përdoret as në kontinentin afrikan ku procesi i reformimit të shoqërisë pothuajse është stopuar. Jo rastësisht kemi stagnim pothuajse në të gjitha drejtimet. Hapja e dyerve ndaj kapaciteteve shoqërore duhet modeomos të realizohet. Njëherë e përgjithmonë duhet eliminuar metodat e promovimit diletant dhe amatoresk. Kjo metodë prodhon rezultate të mjera dhe jep mesazh joprofesional të punës dhe afirmimit të qytetarëve drejt atij subjekti politik. Lirisht mund të themi se pikërisht nga kjo metodë diletante ne sot ballafaqohemi me kritikat më të ashpra qoftë nga faktori rajonal, qoftë nga ai ndërkombëtar për gati se gjitha proceset. Metodat e dhunës, frikës dhe kërcënimeve duhet eliminuar. Këto metoda i takojnë shekullit të kaluar. Mjaft më me Skënderbeun në kalë. Duhet ndërtuar Skënderbeun e tavolinës ku firmos konventa, protokole, traktate, etj. Ka ardhur koha e liderëve diplomatik ku armën e tyre kryesore e kanë fjalimin, i cili fjalim është përplot ide, premtime dhe shpresa. Fjalim ky që ngjall interesim për qytetarët si në aspekt të afirmimit të tyre si në aspekt të dhënies së kontributit të tyre ndaj proceseve shoqërore moderne. Ka ardhur koha që përfundimisht qytetari të jetë ai që do të përfitojë nga betejat politike të subjekteve të ndryshme qoftë ideologjike qoftë programore. "Më shumë shërbime për qytetarin" le të jetë motoja e ardhshme e subjekteve politike në vend. Le të jenë subjektet politike urë lidhëse mes ëndrrave të qytetarit dhe realizimeve të atyre ëndrrave…
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”