E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Si janë e si duhet të jenë shkollat e Kosovës?

Përkundër faktit se të gjithë pajtohemi me thënien e lartë shënuar të Naimit, domethënë me rëndsinë e madhe të arsimit për zhvillim dhe përparim të gjithmbarshëm, si dhe faktit se Qeveria aktuale arsimin e ka prioritet mbi prioritete e se Ministria e Arsimit po lavdërohet, me të drejt, nga të gjithë për punën e madhe që po e bënë, për krijimin e kushteve më të mira për punë dhe ngritjen e cilësisë, me gjithë atë gjendja në arsim është ende larg nga ajo çka synohet.
Gjersa në vendet e zhvilluara mësimi zhvillohet vetëm në një ndërrim, ndërsa nxënësit qëndrojnë në shkollë nga 7-8 orë e numri i nxënësve në klasë  nuk e kalon tridhjetëshin, kurse orët e mësimit zgjasin 60 minuta, dhe mësimi zhvillohet në kabinete e laboratorë, e mësimit praktik i kushtohet rëndësi e madhe. Shkollat profesionale dhe drejtimet në kuadër të tyre hapen vetëm duke u bazuar në nevojat e tregut dhe ato përgatisin kuadrot të cilat janë në gjendje të kryejnë punë të caktuara profesionale. Ndërsa, inspektorët dhe zyrtarët e tjerë e monitorojnë dhe e vlersojnë punën, si dhe i ndajnë  mësimdhënësit punëtor nga ata që nuk punojnë sa e si duhet, madje edhe duke i larguar këta të fundit edhe nga procesi mësimor. Vlen veçmas të theksohet funksionimi jashtëzakonisht i mirë i trkëndëshit: nxënës, mësues, prind. Në Kosovë, mësimi zhvillohet në dy-tri e ndonjëherë edhe në katër ndërrime, nuk janë të rralla rastet kur në një klasë mësimin e ndjekin 40-45 nxënës e ku ora zgjat 30 e ka raste edhe 25 minuta. Në shkollat tona ndodh që gjatë tërë vitit shkollor të mos mbahet as edhe një mbledhje me prind e madje të mos mbahen as orët e kujdestarisë. Ka raste kur  shkollat të propozojnë masën përjashtim për nxënësit të cilëve asnjëherë më parë nuk u është tërhequr vërejtja e për mungesat ose sjelljet e tyre të mos jenë të njohtuar më herët  prindit. Mësimi praktik shpesh nuk është në nivelin e duhur, ndërsa mungesa e kabineteve dhe laboratorëve është dukuri e shpeshtë. Drejtimet e caktuara në shkollat profesionale, shpesh hapen jo si rezultat i analizave dhe planifikimit të bazuara në nevojën e tregut të punës, por si pasojë e presionit të nxënësve dhe prindërve për t’u regjistruar në drejtimin e caktuar, pa menduar për mundësinë e të zënit me punë. Në shkollat tona ka kohë që mungojnë mekanizmat e mirëfillt të monitorimit e sidomos ato  të vlerësimit e që kanë ndikuar në rënien e disiplinës e sidomos të cilësisë. Vlerësimi në shkollat tona shpesh nuk është real, prandaj ndodh që përafërsisht 1% e nxënësve që e kryejnë  shkollën fillore nuk din shkrim e lexim.  
Gjatë vizitës së paradokohshme që u bëmë institucioneve arsimore në Angli dhe Zvicër përshtypje të veçantë delegacionit tonë na bëri: bashkëpunimi intensiv i mësuesëve me prindër, (komunikimi i rregullt i tyre përmes letrave ose kontakteve të drejtpërdrejta). Angazhimi vullnetar i prindërve  në shkolla, angazhimi i psikologëve, mjekëve, pedagogëve etj. në shkolla. Na bëri përshtypje të veçantë edhe pyetja që e hasëm të shkruar nëpër shumë klasë: “Çka kam mësuar unë sot në shkollë?” Këtë pyetje duhet ne t’ia shtrojmë vetvetes. Në shtetet e lartpërmendura as nuk mund të merret me mend që dikush nga jashtë ta pengojë procesin mësimor.
Dhe në fund dëshiroj ta nënvizoj një fakt me rëndësi e që është se investimet për kokë të nxënësit në Angli janë 25 deri 30 herë më të mëdha se në Kosovë. Por shteti i ri synon integrimin në Evropë dhe zhvillimin ekonomik, prandaj, për realizimin e këtyre synimeve është shumë i  rëndësishëm kualiteti i shkollimit të brezave të rinj të cilët do të jenë bartës të këtyre zhvillimeve. Ne nuk mund të flasim për ngritje të cilësisë me 45 nxënës në klasë e me orë mësimi që zgjasin vetëm 25 minuta, prandaj ndërtimi i shkollave të pajisura mirë me kabinete e laboratorë, e me mësim në dy ndërrime, me orë mësimi që zgjasin 45 minuta e klasë me 30 nxënës është shumë i domosdoshëm. Po ashtu është shumë i domosdoshëm edhe mësimi i mirëfilltë praktik, si dhe hapja e drejtimeve të planifikuara mirë, për të cilat ka nevojë tregu i punës, sepse vetëm kështu nxirren kuadro të afta, zvogëlohet papunësia, si dhe rritet motivimi i nxënësve për shkollim. Përveç nxënies së dijes në shkollë duhet t’i kushtohet rëndësi edhe edukimit të nxënësve. Luftimit të dukurive negative nga ana e mësuesëve, si pirja e duhanit, alkoolit madje edhe drogës, duhet të jetë  njëra nga detyrat parësore të shkollave tona. Bashkëpunimi me prindër është i domosdoshëm ashtu siq  është i domosdoshëm edhe krijimi i mekanizmave të monitorimit dhe vlerësimit, korrigjimit të kohë pas kohëshme të plan - programeve, të cilët duhet t’ju përgjigjen nevojave të kohës, si dhe kompletimi i infrastrukturës ligjore.
Tanimë, të gjithë e dinë se nga kjo situatë e rëndë ekonomike mund të dilet vetëm përmes shkollimit cilësor të brezave të rinj të cilët duhet të përgatiten të konkurojnë  në tregun evropian të punës. Synimet e lartpërmendura do të mundemi t’i realizojmë përmes investimeve shumë me te mëdha, organizimit me të mirë dhe punës se përkushtuar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›