Një reformë strukturore për pronën
23 vjet pas ndarjes nga sistemi centralizuar, privatizimi i tokës është bërë vetëm për tokën bujqësore që ndodhet në fushë, toka e malësorëve në veri e jug, historikisht e qeverisur prej tyre ka mbetur pronë shtetërore. Ajo është kryesisht tokë pyjore dhe administrohet me ligje komuniste. Si rezultat në pjesën më të madhe pyjet e vendit tonë janë prerë, djegur e shkatërruar. Verilindja dhe veriu janë të varfër pasi fshatarëve u është mohuar padrejtësisht privatizimi i tokës së tyre, vetëm se përdorimi aktual i saj, quhet pyll. Në Pukë fshatarëve u është privatizuar 4% e tokës së tyre, ndërsa në Fier 96 % e tokës. Ligji aktual reflekton shkelje të rënda të parimeve demokratike të ekonomisë së tregut. Shteti (Ministria) harton ligjin bën politika dhe merr përsipër shfrytëzimin e pyllit, kontrollon zbatimin e ligjit, por askush nuk e kontrollon atë?! Kompetencat dhe përgjegjësitë, të vendosura me ligj në nivel qendror, janë pengesë për të realizuar menaxhimin në nivel vendor. Në Shqipëri priten 3 herë më tepër drurë në pyje se mundësia e tyre e rritjes dhe shfrytëzimit. Nga 2 milion m3 dru që priten në vit, shteti shet më pak se 200 mijë m3 dhe e gjithë pjesa tjetër pritet ilegalisht e shteti kontrollon më pak se 10% të prerjeve. Të ardhurat që merren shkojnë për kontrabandistët. Shqipëria humbet për çdo vit 17-60 milion m3 tokë për hektar nga erozioni, shkatërrohen rrugë, përmbyten fusha, mbushen rezervuarët e hidrocentraleve. Me mijëra hektarë pyje e kullota digjen vetëm se kanë mbetur mall pa zot.
Çfarë rekomandojmë ne?
Zgjidhjen e çështjeve pronësore në pyjet private dhe komunale. Transferimi i pronave, qartësimi, regjistrimi në kadastër dhe fragmentarizimi i tokës duhet të adresohen më tej. Një proces transferimi, nga përdorimi në pronësi (privatizim) për fermerët, në raste të tilla, kur mirë-menaxhimi dhe mbrojtja e pyllit të dhënë në përdorim është mbikëqyrur për disa vite rresht rezulton shumë pozitiv. Eksperienca të mira tashmë ekzistojnë në të gjitha rajonet e Shqipërisë dhe publikohen çdo ditë nga ana jonë. Njohja legale me dokumente (privatizimi me pronar atë që sot e quajmë përdorues të fundit- fermeri), sipas kufijve tradicionalë që fermerët ia njohin njëri-tjetrit, por edhe kryesia e fshatit, në zonat malore e kodrinore e që nuk kanë asnjë konflikt, jo vetëm nuk shkakton fragmentim të pyjeve (pretendimi i derisotëm i administratës në nivel ministrie), por siguron menaxhimin e qëndrueshëm (provuar me modelet në të gjitha rajonet e Shqipërisë). Ata (zyrtarët dhe ekspertët) që mbështesin dhe sugjerojnë uzufruktin (vetëm të drejtën e përdorimit duke e lënë shtetin apo komunën pronare, një praktikë më shumë otomane e komuniste e shtetit pronar) si mënyrën më të mirë duke patur private produktin pyjore, por jo tokën pyjore tek fermeri ose fshati, janë të dështuar për faktin se fermeri nuk i beson shtetit, që herë pas here i shkel marrëveshjet. Për pasojë pati shumë mbipërdorime, djegie dhe katastrofa nga keqpërdorimi gjatë këtyre 23 viteve.
•Intensifikimin e kontrollit për të kaluar nga shfrytëzimi i paligjshëm në një sistem mbarështimi të qëndrueshëm. Kjo mund të arrihet me luftimin e korrupsionit nëpërmjet: (i) rritjes së transparencës dhe besueshmërisë së shërbimeve pyjore në të gjitha nivelet administrative, (ii) marrjes së masave parandaluese që dekurajojnë korrupsionin (p.sh. rregullimi i pagave, kontrolli i sistemit të kontrollit), (iii) fuqizimit të forcës zbatuese të ligjit, (iv) rritjes së zërit dhe pjesëmarrjes së publikut, grupeve të interesit, komunitetit të biznesit, medias, dhe në veçanti të varfërve.
•Mbështetjen e agropylltarisë, mbjellje anës kanaleve e rrugëve në Ultësirën nga Shkodra në Vlorë
Agropylltaria është burimi kyç për komunitetet lokale. Ajo kontribuon për plotësim të nevojave shumë të mëdha të tyre për dru zjarri, bazë ushqimore për bagëtinë, dhe përdorime të tjera të ndryshme, duke ndikuar në mbrojtjen e Pyjeve të lartë. Fushë Kruja është një model se si mund të shtohet biomasa në hapësirat bujqësore, duke pasuruar biodversitetin, përmirësuar regjimin hidrik të tokës dhe shtuar biomasën. Kjo skemë mund të projektohet për të gjithë Ultësirën Perëndimore dhe fermerët të aplikojnë me projekte të thjeshta për pyllëzim, pa prishur dimensionet normale të parcelave bujqësore. Kjo do të çonte në shtim të menjëhershëm të biomasës me rritje të shpejtë e cikël të ulët për prodhim energjie. Kjo do mundësonte rigjenerim të maleve dhe pakësim relativ të presionit mbi ta.
•Destinimin e pyjeve të ulëta dhe shkurreve në sisteme për prodhimin e materialeve të imta si druri dhe biomasa për ngrohje e bioenergji. Të gjitha pyjet e ulëta dhe formacionet e shkurreve mesdhetare në Shqipërinë e mesme, kanë mbi 50 vjet që shfrytëzohen në mënyrë spontane jashtë sistemeve të menaxhimit të organizuar. Kjo ka çuar në degradim të vazhdueshëm të tyre. Ata kanë potencial të jashtëzakonshëm prodhues, nëse kjo e drejtë i delegohet fermerit. Kjo mundëson përmirësim të shpejtë të tyre, shtim të vlerave të biodiversitetit dhe fiksimit të karbonit si dhe prodhim të lartë të drurit për ngrohje e punësim të fermerit.
• Zvogëlimin e kërkesës për dru zjarri. Për zvogëlimin e kërkesës për dru zjarri ne propozojmë mbështetje të energjisë diellore, termoizolimin e banesave, dhënien e subvencioneve për termoizolime, dhe përmirësim të standardeve të ndërtimit. Po ashtu përdorimin e mbeturinave të biomasës për central për ngrohje qendrore të banesave.
•Përmirësimin e aksesit në informacionin e tregut dhe ndalimi i eksportit. Qeveria duhet të mendojë futjen e shërbimeve për publikimin dhe shpërndarjen e informacioneve të tregut si pjesë e një programi të gjerë kërkimesh. Akoma nuk është bërë regjistrimi i pronave as ato në pronësi të Këshillit të Ministrave dhe as ato në pronësi të Njësive të Qeverisjes Vendore. Për pasojë duhet një regjistrim total dhe inventarizim për të shmangur abuzimet në vazhdim. Në këto kushte, eksporti duhet ndaluar deri në mundësinë e balancimit ose përmirësimit të raportit të rritjes vjetore me prerjen e lejuar.
• Përmirësimin dhe rritjen e kapaciteteve mbi njohuritë pyjore, edukimin dhe ndërgjegjësimin. Kërkim shkencor duhet interpretuar, vlerësuar e implementuar, në kombinim me praktikat konkrete. Ka nevojë për ndryshimin e kurrikulave, në përputhje me ndryshimet intensive që kanë ndodhur vitet e fundit në vendin tonë.
• Integrimin e pylltarisë në Zhvillimin Rural. Përfaqësuesi i Bashkimit Europian për zhvillimin rural, prezantoi këtë vit në takimin e IUFRO (Unioni Ndërkombëtar i Organizatave Kërkimore në Pyje) në Tiranë qasjen për subvencionimin në të ardhmen (2014) të pylltarisë si pjesë e zhvillimit rural. Pylltaria është e lidhur ngushtë përgjatë historisë me bujqësinë duke përbërë dy komponentët më të rëndësishëm në përdorimin e territorit në zonat rurale. Brenda një pellgu ujëmbledhës, fshatarët zakonisht përdorin pjesën e sipërme për pylltari (prodhime drusore dhe mbrojtje nga erozioni) dhe kullotë dhe pjesën e poshtme për kultura bujqësore. Në disa zona, pylltaria është e vetmja mundësi punësimi, duke u kthyer në një faktor kryesor në zbutjen e varfërisë dhe emigracionit.
• Reformë institucionale. Është e nevojshme të konsiderohet ndryshimi i roleve për agjencitë shtetërore duke hequr dorë kështu nga pozicioni ekzekutiv dominues në favor të një partnershipi me bazë të gjerë të aktorëve vendorë të sektorit. Kjo të realizohet duke ndryshuar rolet në ligjin e ri të Pyjeve dhe Kullotave për të cilën është bërë drafti dhe po diskutohet me grupet e interesit. Në kuadrin e asistencës teknike dhënë nga Banka Botërore është propozuar që pyjet shtetërore të menaxhohen nga një Agjenci. Numri dhe madhësia e Agjencive Rajonale të Pyjeve Shtetërore do të varet nga sipërfaqja e pyjeve shtetërore dhe cilësia e pyjeve që ato kanë dhe të shkohet drejtë vetëfinancimit. Zyrat lokale të Agjencisë Rajonale të vendosen në zonat pyjore, në shërbim dhe pranë pyjeve. Meqenëse toka bujqësore, pylli dhe kullota kanë qenë gjithnjë së bashku baza e kushteve për jetesë të fshatarit tonë dhe për një bashkërendim e qeverisje më të mirë të pasurive natyrore, propozohet që sektori i pyjeve dhe kullotave të rikthehet në vartësi të Ministrisë së Bujqësisë. Atje të krijohet e të funksionojë Agjencia Kombëtare e Pyjeve dhe e Kullotave, si strukturë më vete në varësi të Ministrisë së Bujqësisë për pyjet në pronësi të Këshillit të Ministrave dhe në administrim të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve dhe Kullotave. Ndërsa për pyjet në pronësi të Komunave e Bashkive në administrim të Shoqatave të Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave Komunale duhet të krijohet strukturë në Ministrinë e Brendshme dhe deri në çdo komunë e bashki. Ndërsa Ministria e Mjedisit të ketë rolin e monitorimit. Theksojmë se ekspertiza kombëtare dhe ndërkombëtare mbi ligjin e pyjeve dhe kullotave, reformën institucionale dhe rishikimin e shpenzimeve në sektorin e pyjeve do ndihmojnë grupin Tuaj të punës, në përcaktimin e praktikave më të mira të decentralizimit e privatizimit, drejt afrimit të pyllit me përdoruesit dhe sigurimin e qëndrueshmërisë dhe efiçencës ekonomike. Partnerët tanë ndërkombëtarë, si Banka Botërore, Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar po e asistojnë Shqipërinë në identifikimin dhe zbatimin e një projekti, i cili do të bazohet në pagesat për shërbimet mjedisore, (për të krijuar modelin se si duhen organizuar e mbështetur kujdestarët e ripërtëritjes së tokës e të mbulesës së saj). Harmonizimi i politikave mbështetëse si dhe përcaktimi i saktë i të drejtave e detyrimeve të përdorimit apo të pronësisë, janë guri i themelit. Çdo progres e sukses i mundëson projektit shtrirjen e mëtejshme territoriale, shtimin e pjesëmarrësve (punësim) dhe kontribuuesve në këtë projekt. Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave Komunale shpreson në mbështetjen tuaj të plotë dhe shpreh gatishmërinë e saj për të kontribuar në thellimin e reformave për decentralizimin e qeverisjes së pyjeve dhe kullotave, afrimin e tyre sa më afër përdoruesve, me synim rritjen e mirëqenies sidomos në zonat e varfra rurale, si dhe mbrojtjen më të mirë të mjedisit në vendin tonë.
SHËNIM: Ky draft propozim i është dërguar nga Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave Komunale edhe kryeministrit të ardhshëm, Z. Edi Rama si Memo për problematikën e pronës bujqësore dhe pyjeve.