Një rrëfim për pushtetin

Duke qenë në krye të detyrës gjatë mandatit të tetë presidentëve dhe tri luftërave, Hoover u shpalli luftë të gjitha kërcënimeve, shpesh edhe duke kapërcyer rregullat, për të mbrojtur qytetarët amerikanë. Ai u jepte shumë rëndësi sekreteve dhe nuk druhej t’i përdorte ato, ndërkohë që ruante me kujdes sekretet e tij. Këto dy anë të atij që mund të cilësohet si babai i FBI-së rrëfehen në filmin biopiko-dramatik “J.Edgar”. Filmi vjen pas 9 nominimeve në garime të rëndësishme mes të cilëve edhe Golden Globes si dhe 2 trofe nga AFI Award dhe National Board of Review.
Karriera dhe jeta personale e J.Edgar Hoover rrëfehen në 137 minuta nën drejtimin e regjisorit Clint Eastwood dhe interpretimin e arrirë të aktorit Leonardo di Caprio. Në krah të personazhit të tij që ishte gjithnjë në kërkim të sekreteve të të tjerëve, kishte shumë pak njerëz që u besonte: sekretares Helen Gandy (interpretuar nga Naomi Watts), krahut të tij të djathtë Clyde Tolson (interpretuar nga Armie Hammer), dhe nënës së tij me të cilën ishte çmendurisht i lidhur (interpretuar nga aktorja Judy Dench).
Vdekja e saj i la një nevojë të jashtëzakonshme dashurie. Filmi është shkruar nga Dustin Lance Black dhe ndjek karrierën e Hoover prej moshës 19-vjeçare deri në ditët e fundit të jetës. Por përveç karrierës së këtij njeriu, filmi zbulon edhe jetën e tij private. Polemikat mbi prirjen seksuale të Hoover nuk janë lënë pa u komentuar gjatë konferencës për shtyp në AFI ku është prezantuar filmi. Clint Eastwood thotë: "Nëse Hoover ishte gej ose jo kjo gjë ndoshta nuk do të merret vesh kurrë.
Mbetet fakt që ai e Clyde ishin miq të pandashëm. Kjo ndoshta sepse nuk i besonte dot askujt tjetër apo sepse bëhej fjalë për dashurinë e jetës së tij? Nuk e di, por jam i sigurt që të dy kanë pasur një afeksion të madh për njëri- tjetrin dhe qëllimi im ishte që të paraqisja dy njerëz që duheshin me të vërtetë. I mbetet publikut që të interpretojë se çfarë mund të ketë qenë marrëdhënia e tyre". Edhe Di Caprio ka mendimin e tij në këtë pikë: “Ishte një histori e madhe dashurie dhe të jeni të sigurt që nuk do të kisha puthur një burrë (gjë që nuk e bej kurrë në jetën time private) nëse nuk do të ishte e rëndësishme për historinë”.
Sikundër e rrëfen filmi, gjatë jetës së tij, Hoover kishte grumbulluar shumë dosje, madje kishte edhe një dosje për John Lennon. "filmi synon të kuptohet se çfarë e shtynte Hoover të mbante gjithë ato dosje", shpjegon Eastwood. "Ndoshta në rastin e John Lennon i pëlqente muzika e tij deri në mani gjë që në shumë raste nuk kishte kuptim. Ka qenë për 48 vite në pushtet dhe shumë njerëz e humbin mendjen vetëm po të drejtojnë dy vjet. Ai mendonte se mund të bënte çfarë të donte dhe ndoshta mundej. Unë mendoj që ishte një njeri i mire, por që nuk i besonte askujt përveç Helen e Clyde".
Për Leonardo di Caprio, roli i Hoover është i vështirë: "Nuk është gjithnjë e mundur të simpatizosh personazhet e tu", thotë Di Caprio. "Duhet të kuptosh çfarë i motivon, duhet të hysh në psikikën e tyre. Unë mendoj se Hoover është një figurë tragjike, e kuptoj dashurinë e tij për punën, në të cilën qëndroi për vite të tëra edhe kur donin ta largonin. Por mendoj se fuqia i komprometon njerëzit dhe kjo gjë i ka ndodhur edhe atij, mendoj se në fillim ai ka qenë një patriot që për shkak të dashurisë për pushtetin harroi idealet e tij". Por vështirësia e aktorit nuk është lidhur vetëm në botën e brendshme të personazhit. Edhe paraqitja fizike, kalimi nga rinia tek plakja, nuk ka qenë e lehtë: "Të qenit një burrë 50-vjeçar me përvojë jetësore, me stres dhe histori të shumta në supe kërkon një mënyrë të veçantë lëvizjeje dhe ecjeje", thotë Di Caprio.
"Truku ishte shumë i rëndë. Nganjëherë lodhesha shumë. U përpoqa edhe të shëndoshesha për t’u dukur më natyrshëm, por e kisha të pamundur për shkak të kohës së shkurtër të xhirimit të filmit. Gjithçka u xhirua për një muaj e gjysmë me shpejtësinë proverbiale të Clint".