Tajfuni gjunjëzon vendin, 106 persona humbin jetën
Po rritet në mënyrë të frikshme bilanci i viktimave të stuhisë tropikale "Ketsana", që ka goditur Filipinet. Numri i të vdekurve ka shkuar në 106, ndërsa 23 persona rezultojnë të humbur, kurse më shumë se 300 mijë banorë kanë mbetur të pastrehë. Situata është aq e rëndë në vend, sa autoritetet kanë kërkuar ndihmën e ndërkombëtarëve. Filipinet kanë kërkuar ndihmë nga SHBA dhe agjencitë e ndihmave të OKB-së që po dërgojnë ushqime, ujë dhe veshje. Qeveria thotë se më shumë se 4 mijë vetë janë shpëtuar deri më tani dhe një çerek milioni tjetër janë zhvendosur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës. Stuhia e konsideruar si një ndër më të këqijat në 20 vitet e fundit, ka bllokuar rrugë dhe shkatërruar shtëpi, duke provokuar dëme të pallogaritshme. Situata në vend është dramatike. Shumë njerëz janë strehuar në çatitë e shtëpive të tyre, në pritje të ndihmës, ndërsa qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Në shumë qytete, përfshi edhe kryeqytetin Manila, është ndërprerë edhe energjia elektrike, duke e zhytur vendin në errësirë të plotë për disa orë. Qytete të tjera janë mbuluar tërësisht nga uji. Mendohet se pas Filipineve, "Ketsana" do t‘i drejtohet detit të Kinës së Jugut.