Irani provokon sërish Perëndimin, teston dy raketa me rreze të shkurtër
Dy raketa me rreze të shkurtër janë lëshuar dje nga Irani, duke rritur më shumë tensionet me Perëndimin vetëm pak ditë pas zbulimit të uzinës sekrete për pasurimin e uraniumit. Sipas asaj që ka raportuar televizioni shtetëror, "Al-Alam", raketat me rreze të shkurtër kanë qenë në kuadër të programit për manovrat ushtarake në vend. Sot, Teherani, pritet të testojë një tjetër raketë me rreze të gjatë veprimi, në gjendje të arrijë Izraelin dhe bazat amerikane në rajonin e Gjirit Persik. Raketa "Shahab 3" mendohet se mund të përshkruajë një distancë prej 2 mijë kilometrash, që mund të godasë edhe Izraelin. Kur nuk kanë kaluar shumë ditë nga deklarata e Ahmadinexhadit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Irani njofton lëshimin e një rakete me rreze të gjatë veprimi, duke provokuar sërish fuqitë e mëdha. Sipas televizionit "Al-Alam", raketat e lëshuara janë të llojit "Tondar" dhe "Fateh 110". Garda e revolucionit, armata ideologjike e regjimit të Teheranit, kishte lajmëruar të shtunën se do të kryente manovra ushtarake, ku përfshihej edhe lëshimi i raketave, me qëllim përmirësimin e aftësisë të forcave ushtarake iraniane. Radioja shtetërore vendase citoi shefin e forcave ajrore, Hossein Salami, duke thënë se "Shahab 3" do lëshohet një ditë pas lëshimit të dy raketave me rreze të shkurtër. "Lëshuam raketat ‘Zelzal‘, ‘Tondar Fateh 110‘, ndërsa në mbrëmje do vazhdojmë programin me lëshimin e raketës me rreze të gjatë". Komuniteti ndërkombëtar duket gjithmonë e më i alarmuar për sfidat e vazhdueshme të Teheranit, që kohët e fundit tregoi për praninë e një uzine të dytë bërthamore në vend. Përgjegjësi i programit bërthamor iranian, Ali Akbar Salehi, ka shpjeguar se vendi islamik do të lejojë inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për energjinë bërthamore të vizitojnë fabrikën. Stabilimenti i vendosur në afërsi të qytetit Qom, 100 kilometra në jug të kryeqytetit, ka rreth 3000 centrifuga, që, sipas zyrtarëve iranianë, do të përdoren për qëllime paqësore. Por ndërkombëtarët mendojnë se ato mund të përdoren edhe për mbushjet bërthamore. Vendimi për të hapur portat e uzinës së re të pasurimit të uraniumit të Qom-it, edhe pse ende nuk është bërë e ditur ndonjë datë konkrete, është pritur mirë nga liderët e vendeve më të fuqishme të botës, të interesuara drejtpërsëdrejti në këtë çështje. Nuk është hera e parë që Irani bën prova të tilla, por kjo megjithatë do të shkaktojë reagime në Perëndim. Ky do të shihet si një veprim sfidues nga Irani, vetëm disa ditë pasi u bë e ditur se ai kishte një uzinë tjetër bërthamore.
Prova ka mundësi të jetë planifikuar shumë kohë përpara.
Ahmadinexhadi, që u rikthye në Teheran pas fjalimit aq shumë të diskutuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, i gatshëm për të sfiduar fuqitë e mëdha në këtë çështje, shpjegoi se zbulimi i impiantit të ri ishte "një goditje e fortë për arrogancën" e atyre që, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kundërshtojnë programin bërthamor iranian, edhe pse Teherani vazhdon të këmbëngulë se qëllimi final është thjesht dhe vetëm paqësor. Të premten Obama, në përgjigje të zbulimit të uzinës së dytë të pasurimit të uraniumit pas asaj të përuruar nga Ahmadinexhadi në Nataz, nuk e kishte përjashtuar mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake ndaj Teheranit. Nga ana tjetër, Ahmadinexhadi ka paralajmëruar se, nëse ndaj Iranit do të merreshin sanksione e para që do të pendohej rëndë do të ishte Amerika.