E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani, rezultatet e para shpallin fituese Angela Merkel

Sipas exit-polleve, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka fituar zgjedhjet e zhvilluara dje në Gjermani dhe votat e mjaftueshme për të krijuar një koalicion të qendrës së djathtë me FDP-në. Në zgjedhjet e përgjithshme për të rinovuar Parlamentin, sipas parashikimeve të para, Unioni Cdu/Csu i Angela Merkel-it ka arritur të fitojë 33.5 për qind të votave, SPD e Frank-Walter Steinmeier 23,3%, ndërsa FDP 14,6%. Me këtë fitore përcaktohen ngjyrat e koalicionit të ri dhe mundësia e një aleance mes Merkel-it dhe liberalëve të drejtuar nga Guido Westerwelle. Të dyja partitë së bashku arrijnë në 48.1 për qind të votave dhe marrin 320 vende nga një total prej 616 të tilla në Bundestagun gjerman. Socialdemokratët, të majtët dhe ambientalistët kanë së bashku 46,4% ose 296 vende në Parlament. Për të qeverisur vendin janë të mjaftueshme 309 vende. Nëse rezultatet konfirmohen liberalët rezultojnë si forca e tretë në Parlament, duke shënuar një sukses në krahasim me vitin 2005, kur fituan vetëm 9.8 për qind. Kanë përparuar dukshëm edhe ekstremistët e majtë dhe ambientalistët respektivisht me 12,9% dhe 10,2%. Shumë e rëndë situata për socialdemokratët, që, nëse rezultatet nuk do të ndryshojnë, do të regjistrojnë humbjen më të thellë që nga viti 1949. Lideri i SPD, Frank Walter Steinmeier, menjëherë pas rezultateve të para pranoi se kjo ishte një humbje e hidhur për partinë e tij. Ai tha se socialdemokratët do të ishin "vigjilentë në opozitë". "Votuesit kanë vendosur dhe rezultati duket se është një ditë e zezë për Partinë Social Demokrate gjermane. Nuk ka mënyrë për ta shpjeguar, rezultati është një humbje e hidhur", tha lideri i SPD-së. Në zgjedhjet e vitit 2005 ata kishin arritur të fitonin 34.2 për qind. Por edhe pse duhet të presim rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ajo që ra në sy ishte pjesëmarrja e ulët në votime, në krahasim me katër vjet më parë. Mendohet se vetëm 36.1 për qind e 62.2 milionë personave me të drejtë vote janë paraqitur në kutitë e votimit, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, kur pjesëmarrja ishte mbi 41.9 për qind. Megjithatë vetëm 77,7 për qind e qytetarëve me të drejtë vote dhanë në vitin 2005 votën e tyre. Rezultati ishte më i ulëti në zgjedhjet parlamentare. Edhe në rajone të caktuara të vendit u shënua një ulje e numrit të votuesve, në krahasim me katër vjet më parë. Koalicioni i ri që mendohet të krijohet mund ta nxjerrë vendin nga kriza më e rëndë ekonomike që prej Luftës së Dytë Botërore, sipas premtimeve që Merkel kishte bërë në kohën që kërkonte votat për një tjetër mandat. Sondazhet e kishin favorizuar gjatë gjithë kohës Merkel-in. I fundit tregoi se 49 për qind e gjermanëve ishin të gatshëm që ta mbështesnin sërish kancelaren gjermane edhe për një mandat 4-vjeçar. Qendrat e votimit në vend u hapën në orën 8:00 dhe u mbyllën në orën 18:00. Në 88000 qendrat e votimin në të gjithë vendin pritej të votonin 62.2 milionë gjermanë. Ky rezultat i jep fund koalicionit me bazë të gjerë mes kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve që qeverisin vendin për katër vjet. Edhe pse fushata u zhvillua në një kohë krize financiare, qytetarët asnjëherë nuk bënë përgjegjës qeverinë për të.

Në zgjedhjet e përgjithshme për të rinovuar Parlamentin, sipas parashikimeve të para, Unioni Cdu/Csu i Angela Merkel-it ka arritur të fitojë 33.5 për qind të votave, SPD e Frank-Walter Steinmeier 23,3%, ndërsa FDP 14,6%.

Lideri i SPD, Frank Walter Steinmeier, menjëherë pas rezultateve të para pranoi se kjo ishte një humbje e hidhur për partinë e tij. Ai tha se socialdemokratët do të ishin "vigjilentë në opozitë"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›