E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një shembull i mirë nga Polonia për dënimin e krimeve të komunizmit

Agjencia polake e lajmeve njoftoi vetëm pak ditë më parë se me tepër se 40 mijë ish-funksionarë të regjimit komunist dhe kategori të tjera që i kanë shërbyer regjimit kriminal, me 1 Janar të këtij viti dhe në vazhdim do të marrin vetëm gjysmën e pensionit që merrnin deri me këtë datë. Ky është një ligj që kërkon të zbatojë në të gjitha pikëpamjet rezolutën e Asamblesë Parlamentare të KE-së të 25 Janarit 2006 për “dënimin e krimeve të komunizmit”. Duket se Polonia nuk do të ndalet më dënimin në ekuivalencë të regjimit komunist ashtu si edhe të regjimit fashist si dy regjimet më kriminale të shekullit të shkuar. Tanimë, sipas këtij ligji në sheshet dhe rrugët e Polonisë nuk do të ekzistojnë simbolet e komunizmit dhe shenja të tjera që kanë lidhje me atë regjim. Po mendohet që në sheshin kryesor të Varshavës mundet të merret një vendim për shembjen e një ndërtese të përmasave gjigande vetëm se është një ndertesë “e bërë dhuratë nga Stalini”. Ashtu sikundër dihet, Polonia si të gjitha vendet ish-komuniste të Europës lindore, me kohë ka zbatuar “ligjin e lustracionit” për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit komunist. Duke marrë në konsideratë faktin se Polonia si vend ish-komunist sot është anëtare me të drejta të plota në të gjitha organizmat ndërkombëtare si në NATO dhe anëtare e BE, mendja të shkon duke hequr një paralele me Shqipërinë, se në vendin tonë kushti themelor i demokracisë nuk ka funksionuar. Edhe sot pas 20 vjet nga rënia e komunizmit “ligji i lustracionit” nuk është zbatuar. është me të vërtetë mjaft trishtues fakti se sot në Parlamentin e Shqipërisë dhe kudo gjetkë në administratën shtetërore, ish-kriminelët dhe bashkëpunëtorët më të thekshëm të ish-sigurimit komunist, janë ulur këmbëkryq dhe të patrazuar me një egoizëm dhe grykësi të shfrenuar kërkojnë të bëjnë karrierë dhe të pasurohen në mënyrë mafioze duke mbajtur një mal me krime në kurrizin e tyre nga koha e diktaturës komuniste. Në këtë kontekst është mjaft kuptimplotë fakti se për miratimin e një rezolute anologe në zbatim të rezolutës së Parlamentit Europian për “dënimin e krimeve të komunizmit” e majta ish-komuniste në Parlamentin e Shqipërisë, u largua nga salla në momentin e votimit. Ky ishte akti më i turpshëm i një faqeje tjetër të zezë i një pinjolli të diktaturës komuniste si Edi Rama që urdhëroj deputetët socialistë të lëshojnë sallën e Kuvendit. Rezoluta u votua vetëm me votat e mazhorancës së djathtë të Partisë Demokratike. Për të mos mbetur me kaq në faqen e tyre të zezë, ish-sigurimsat në Gjykatën Kushtetuese pezulluan “ligjin e lustracionit”, duke bërë të pamundur hapjen e dosjeve dhe duke mbushur në të njejtën kohë listat e të zgjedhurve në pushtetin lokal e atë qendror me bashkëpunëtorë të zellshëm të ish-Sigurimit. Tanimë është e qartë për të gjithë shqiptarët se e majta ish-komuniste me Partinë Socialiste në këto vite nuk ka mundur të shkëputet dhe të distancohet nga e kaluara e vet kriminale. Përpjekjet e pamoralshme për të fshehur të kaluarën e sundimit me mënyrat staliniste e kanë bërë forcën më të madhe të opozitës një pengesë serioze në rrugën e vështirë të demokracisë. Partia Socialiste sot është marrë peng nga Edi Rama dhe si elitë ka riardhur në krye mafia komuniste në përbërje me ish-kriminelët e Sigurimit të shtetit dhe të gjithë pinjojtë e brezit të dytë të kupolës enveriste. Riciklimi i tyre në politikën shqiptare përbën një rrezik serioz për të ardhmen e demokracisë dhe të interesave kombëtare. Tipari dallues, se asgjë nuk ka ndryshuar në konceptin leninist për marrjen e pushtetit me anën e forcës, e bën sot shoqërinë shqiptare të jetë më syçelur ndaj këtij kërcënimi serioz për të ardhmen e përbashkët. Neve ish-të përndjekurit politikë të diktaturës, kemi ngritur gjithnjë dhe vazhdimisht zërin tonë se pa hapjen e dosjeve të ish-sigurimit komunist dhe dënimin e krimeve të komunizmit, demokracia në Shqipëri do të mbetet vazhdimisht e kërcënuar. Edhe përpjekjet titanike të Qeverisë “Berisha” në kuadrin e reformave për integrimin e Shqipërisë në Europë do të mbeten pa fat, për sa kohë ish-kriminelët e sigurimit do “bëjnë ligjin” dhe do luftojnë natë e ditë pa u lodhur kundër demokracisë. Si në legjendën e “Kalasë së Rozafës”, do të shohim me sytë tanë se ajo që ndërtohet ditën do të shkatërrohet natën. Gjeniu i letrave shqipe, shkrimtari i madh Ismail Kadare, gjithnjë dhe vazhdimisht ka qenë i shqetësuar duke kërkuar hapjen e dosjeve dhe duke i quajtur ish-sigurimsat si “krijesa që nuk i zë gjaku, qënie që flenë me ndërgjegje të përgjakur”. Zëri i tij i fuqishëm ka humbur si në labirintet ku është e strukur veprimtaria kriminale e Sigurimit. Veç në këtë mënyrë do të qetësohen shpirtrat e atyre mijëra njerëzve që u pushkatuan, u burgosën, u torturuan dhe u internuan në emër të lirisë dhe demokracisë. është shpresa e madhe se pastaj qindra ish-të përndjekur të diktaturës do të pushojnë së kërkuari varret e të afërmve të tyre, se ato varre mundet të gjenden dhe të vendosin aty një tufë me lule. Vrasjeve dhe pushkatimeve të më shumë se 6000 kundërshtarëve të regjimit këtu në Shqipëri, u shtohen edhe qindra të tjerë të vrarë në Europë dhe në Amerikë. Sipas fakteve të arkivuara, ish sigurimi i Enver Hoxhës, ka organizuar vrasjen e qindrave nacionalistëve anti-komunist që u ndoqën nga regjimi komunist dhe u strehuan në Amerikë e Europën Perëndimore, siç shkruan Mi’tat Frashëri “jo për të shpëtuar kokën, por për të vazhduar luftën për lirinë e Shqipërisë”. Për zhdukjen e emigracionit politik shqiptar në “botën e lirë”, regjimi komunist kishte firmuar drejtori të posaçme në Ministrinë e Brendshme dhe të jashtme. Aty projektoheshin operacionet dhe agjentët e paguar që duhej të vrisnin nacionalistët në Europë dhe Amerikë. Janë shpenzuar miliona dollarë nga buxheti i shtetit që mbaheshin sekret. Vrasjet bëheshin me pluhur cianuri të kaliumit dhe ekspertët më të shquar ligjorë mendonin deri vonë se “vdekja kishte ardhur nga mosfunksionimi i zemrës”.Vrasje të tjera bëheshin në kushtet e një aksidenti automobilistik, me armë në vënde të izoluara etj. Ish-shefi i CIA, Allen Dulles, në librin e tij:  “CIA kundër KGB”, shkruan: “Unë desha të nënvizoj se edhe në periudhën e mëvonshme kur Hrushovi shpalli “ligjshmërinë socialiste”, në Perëndim pothuajse ishin eliminuar të gjithë liderët e emigracionit politik që kishin mbetur akoma gjallë” (po aty fq.117). Bashkëpunimi i KGB me sigurimin shqiptar ka bërë atë që krimet kundër nacionalistëve si në Shqipëri dhe në diasporë të merrnin përmasa të frikshme. Unë personalisht akuzoj ish-sigurimin komunist se më ka vrarë tim atë në Nju-Jork në vitin 1973 në moshën 58-vjeçare. Kryetari i Komitetit “Shqipëria e lirë”, dr.prof.Rexhep Krasniqi më ka deklaruar në Nju-Jork se “Iljaz Peka vdiq papritur dhe për shkaqe të paqarta, të cilët mjekët nuk i shpjegonin dot”. Më vonë kam kuptuar se Iljazin e vranë komunistët. Ne të gjithë njëzëri akuzojmë, akuzojmë në emër të drejtësisë. Dhe kërkojmë hapjen e dosjeve të ish sigurimit,dënimin e krimeve të komunizmit dhe heqjen e simboleve të komunizmit kudo nëpër Shqipëri. Autori është Sekretar i Pergjithëshëm i Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë-Dega eTiranës.             ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›