E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një shkrim "Me kre të përmbysur"

Në një nga muajt e fundvitit 1997 (nëse nuk gabohem), në gazetën më të hapur të asaj kohe, "Koha Jonë", është botuar letra e një njeriu të thjeshtë e familjar që punonte dhe e kishte kaluar "luftën" që bëmë ne shqiptarët mes vetvetit, ndoshta me stres, por jo me ndonjë pasojë aq të madhe siç e përjetuan mijëra familje. Personazhi që rrëfente ishte nga qyteti i Fierit dhe kishte punuar përpara "luftës", por edhe pas saj si kambist, pra shkëmbente në tregun e zi lekët me valutë, e anasjelltas. Pavarësisht nga çfarë kishte ndodhur në atë vit, tashmë të pagëzuar si të "zi", atij punët e marrëdhëniet me familjen i kishin ecur në mos shumë mirë, normal. Deri këtu s‘ka as lajm me "kokë lart" dhe as lajm me "kokë në fund". Por jeta normale, edhe kur të tjerët vriteshin apo grabiteshin (sipas rrëfimit të tij në gazetë), ndryshoi pikërisht pas "luftës". Gjithë kalvari dhe pikënisja e shkatërrimit të jetës i nisi pas një kontrolli rutinë të forcave policore të rendit që përpiqeshin t‘u hiqnin ekskluzivitetin bandave, të paktën në rrugët nacionale. Kambisti në fjalë, si çdo ditë po çonte në Tiranë valutën e mbledhur në qytetin e tij për ta konvertuar në lekë dhe pasi të merrte fitimin, të nesërmen të riniste biznesin "te sheshi", që e di çdo familje qyteti e qyteze, e cila mbahet nga paratë e fëmijëve emigrantë.

Ndjesë që në këtë përtej lajm me ‘kre të përmbysur‘ nuk deklarohet emri i njeriut, rrëfimin e të cilit "po përdorim". Por ka një arsye: në "Google" nuk "ekziston" gazetaria e asaj kohe. Të shkosh në bibliotekë?!

Policia deklaroi: S‘ka më foto për gazetat…

Por t‘i rikthehemi histori-tragjedisë së kambistit për ta çuar deri në fund, me synimin që të paktën të mos bëjnë pyetjen retorike: pse titulli "me kre të përmbysur", pavarësisht se ai u dekonspirua te "mestitulli"?

Pra, duke iu rikthyer rrëfimit që shkëputëm më lart, diku në një pjesë të aksit të rrugës nacionale (pak pasi kalon qytetin e Lushnjës), makinën me të cilën udhëtonte kambisti e ndaluan një grup policësh të maskuar. Në fakt, për atë periudhë të mbrapshtë, normale do të ishte që ai të rrëfente në intervistën e tij (te gazeta e famshme e Nikoll Lesit në atë kohë), se i grabitën shumën e konsiderueshme të valutës që kishte me vete. Por nuk e tha këtë gjë. Dhe "mirë" bëri, sepse nuk ishte ajo e vërteta. Nëse do të kishte trokitur në redaksi për t‘u ankuar ndaj maskave grabitëse, do ta dëgjonin vërtet, por në gazetë maksimumi do të përfundonte në cep të faqes së kronikës së zezë, madje akoma më keq, në fund të minirubrikës "SHKURT". Forcat speciale të policisë, ashtu siç bënin me këdo në atë kohë në kërkim të kriminelëve, thjesht e urdhëruan të hapte krahun, të zbriste, të ngrinte duart lart dhe të mbështetej dhe te bagazhi i automjetit. Ky ishte thjesht kontroll. Kështu veprohej për çdo automjet në atë fundvit, por edhe për shumë kohë më pas. Pikërisht në këtë moment, në këtë situatë, kambisti ynë u fotografua nga një fotoreporter profesionist (me këtë rast edhe një pyetje: pse është zhdukur kjo racë nga gazetat?!), i cili rastisi aty. Policët me maska pas kontrollit e lejuan protagonistin të shkonte në punë të tij. Në punë të tij iku edhe fotoreporteri, i cili thjesht fiksoi një moment të kontrolleve të policisë në ato kohë të vështira ende. Kambisti vazhdoi rutinën e biznesit të tij ndërsa policët po ashtu vazhduan kontrollet. Fotoreporteri, pas disa ditësh lau filmin dhe dorëzoi në redaksi, përveç të tjerave, edhe një foto që në gjuhën gazetareske quhet "ilustrative": kambistin që po kontrollohej, i rrethuar egër nga policë trupmëdhenj me maska. Gazeta me të drejtë në të gjithë ditët në vazhdim botonte atë foto sa herë që bëhej fjalë për lajme kur policia godiste banda apo kryente operacione. Doli aq shumë nëpër gazeta, saqë asnjë njeri nuk shkonte më te personazhi të shkëmbente valutë. Pastaj gruaja dhe i gjithë fisi nisën ta pyesnin: Përse del aty? Diçka ke bërë... Si përfundim ai shkruan: Jeta m‘u shkatërrua përfundimisht. Të gjithë kujtonin se unë isha kriminel… S‘kam më biznes, s‘kam më familje…

Pra lajmi është: një bravo për vendimin tejet të vonuar të policisë që vendosi më në fund (parmbrëmë) të mos publikojë më fotot apo pamjet e njerëzve që ajo ndalon dhe arreston. Mirë bëjnë edhe pse mediat "humbasin". Sepse për ata që nuk është vërtetuar se janë fajtorë, degjenerimi publik është po aq krim sa krimi që mund të ketë bërë personazhi policesk e mediatik. Vendimi është i kthjellët dhe sipas të gjitha kërkesave të organizatave të të drejtave të njeriut, sot e kërkon edhe Kodi i Etikës së gazetarit. "Kriminelët" nuk do të publikohen më, deri në momentin që ata të dënohen me vendim të formës së prerë nga gjykata. Të të dalë fytyra në gazeta e në televizione, si hajdut, bashkëpunëtor në vrasje, apo edhe si dhunues i një mjeku kur nuk ke bërë asnjë nga këto vepra penale dhe pas 2-3 ditësh, kur ke fituar të drejtën të shëtisësh i lirë, një gjë është e sigurt: jeta jote kurrsesi nuk do jetë më njësoj…



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›