Analiza/A mund ta rinovojë Amerika Latine kishën katolike?
Papa Françesku dëshiron të rrisë rolin e laikëve në kishë, por kjo rrezikon të shkaktojë një revolucion në universin katolik
Surreale por edhe reale, kisha katolike në Amerikën Latine di si të veprojë me kontradiktat. Në vend që të debatojnë rreth shugurimit të grave apo celibatit, laikët krijojnë në bashkësitë e tyre fakte dhe forma të reja të shërbesave fetare. Në Ditën Botërore të Rinisë në Rio de Zhaneiro shpresa është e madhe se nën Papa Françeskun do të rritet fuqia e laikëve dhe kisha botërore do të ndryshojë. Erwin Kräutler, peshkopi i Dioqezës Xingu në Amazonë, nuk i zë me qëllim në gojë fjalët gra priftëresha dhe celibat. Austriaku, i cili jeton prej 40 vjetësh në Amazonö, i sheh gjërat në mënyrë pragmatike: "Për 700 000 njerëz në një zonë si Gjermania kemi 28 priftërinj", shpjegon ai "dhe shtrohet thjesht pyetja: Si mund t’u japim ne njerëzve në xhungël, kudo që ata ndodhen, mundësinë për të festuar eukaristinë?"
Shumë njerëz e kanë gjetur tashmë përgjigjen për këtë pyetje: Ata bëjnë shërbimet e tyre fetare pa mbështetjen e klerikut. Ata luten, thyejnë bukën, shpërndajnë verën, pa u preokupuar për rregullat kishtare, sipas së cilave sakramenti i eukaristisë mund të jepet vetëm nga priftërinjtë e shuguruar. "Laikët marrin përgjegjësi dhe kisha shkon përpara, edhe pa priftin dhe gjithçka shkon mirë", thotë murgesha Lucilene Antonio, e cila mbështet disa bashkësi të vogla në Amazonë." Unë kam parë gra, që mbajnë liturgjine dhe pastaj ndajnë bukën". Rivlerësimi i laikëve korrespondon me frymën e Këshillit të dytë të Vatikanit, i cili u mbajt nga vitet 1962-1965 nën papën Gjoni XXIII. Ai shërbeu për rinovimin dhe rifreskimin e parimeve dogmatike të udhëheqjes së kishës në Romë. Në mesin e pjesëmarrësve ishin papët e mëvonshëm Karol Józef Karol Vojtila (Gjon Pali II) dhe Joseph Ratzinger (Benedikti XVI.), i cili atëherë ishte për një "kishë më pak klerikale".
Thirrje papale për revolucion?/Eksperti brazilian i Vatikanit Luiz Paulo Horta është i sigurt, se Papa Françesku tani do ta marrë seriozisht çështjen e priftërisë pör të gjithë besimtarët. "Ai e di se pjesëmarrja e laikëve është absolutisht e nevojshme", thotë Horta, anëtar i Akademisë prestigjioze braziliane të Letërsisë si dhe i komisionit kulturor të kryedioqezës së Rio de Janeiros. "Françesku dëshiron që kisha të ringjallërohet nga poshtë lart". Ajo që për personat e jashtëm mund të jetë vetëkuptueshmëri, për universin katolik pörbön një revolucion, pohon njohësi brazilian i Vatikanit, Horta. "Kisha jemi të gjithë ne, nëse këtë nuk e pranojmë, nuk ka për të ndodhur asgjë", thotë ai, duke shtuar në mënyrë konspirative: "Mendoj se Françesku i ka bërë thirrje bazës për rebelim". Ne rebelim dhe revolucion, të paktën në fushën teologjike, kisha katolike në Amerikën Latine ka përvojë: Që në fillim të viteve 1960 dhe 1970 teologët çlirimtarë amerikanolatinë si Gustavo Gutierrez dhe Oscar Romero frymëzuan klerikë dhe besimtarë në mbarë botën, duke përfshirë edhe kryetarin aktual të Kongregacionit të Besimit në Vatikan, Ludwig Gerhard Müller. Në vitin 2004 ish-peshkopi i Regensburgut së bashku me Gutierrez botoi librin "Përkrah të varfërve: teologjia e çlirimit". Papa Françesku duket se mbështet forcën teologjike të rinovimit në Amerikën Latine. Pas shërbesös së fundit fetare të dielën ai do të takojë pasdite në Rio presidiumin e konferencës së peshkopëve të Amerikës Latine (Consejo Episkopale Latinoamericano), e cila në dhjetëvjeçarët e fundit ka kërkuar herë pas here ndryshime të mëdha. Edhe procedura për shpalljen të lumnueshëm të kryepeshkopit të vrarë të El Salvadorit, Oskar Romero, do të rifillojë. Romero nderohet si një shenjt në Amerikën Latine për shkak të angazhimit të tij për paqe dhe të drejtat e njeriut gjatë luftës civile në El Salvador. Teologu brazilian Leonardo Boff është i bindur se në të ardhmen nga Amerika Latine do të dalin impulse reformuese, që ndryshojnë kishën botërore. "Kisha jonë nuk pasqyron më kishën nënë evropiane, ajo ka burimet e saj, traditat e veta, heronjtë, martirët, profetët dhe personalitetet si peshkopi i famshëm nga Recife, dom Hélder Camara, apo shenjtori i popullit Óscar Romero. Këto kisha i japin krishtërimit frymë të re".
Kronika e ditës - Papa Françesku në Brazil: “Të rinjtë të shpresojnë, të befasohen nga Zoti e të jetojnë me gëzim”/“Na trego Jezusin”: kur Kisha ka nevojë për Krishtin troket gjithnjë në portën e Nënës së Tij, tha Papa Françesku në homelinë e meshës mbajtur sot në shenjtëroren e Aparesidës, vizituar çdo vit nga 7 milion shtegtarë. Prej Zojës, nënvizoi, çdo besimtar mëson si të bëhet dishepull i vërtetë. Prandaj të krishterët shkojnë në mision gjithnjë në gjurmët e Shën Marisë. Ky është edhe kuptimi i Meshës dhe i pranisë së Atit të Shenjtë në shenjtëroren e Zojës së Aparesidës, ku Papa mbërriti me avion e pastaj me makinë deri në Bazilikë, në orën 15.30, sipas orës evropiane. Fillimisht, Horhe Mario Begolio u ndal për disa minuta në lutje në kapelën e 12 apostujve, ku ndodhet shtatorja e vogël e Pajtores së Brazilit, Virgjërës “Aparecida”, kapur nga rrjetat e peshkatarëve në lumë, në vitin 1717. Hoqi syzet e ndjenji në këmbë në lutje. Pastaj, preku tekën ku ruhet figura marjane dhe vuri një buqetë lulesh ngjyrë portokalli në këmbët e Zojës, i ndjekur nga duartrokitjet e fuqishme të besimtarëve të pranishëm. Gjatë homelisë së meshës, duke kujtuar se ditën pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, shkoi për t’u lutur në Bazilikën e Zojës së Madhe në Romë, Papa Françesku tha se në Aparesidë, i lutet Shën Marisë për mbarëvajtjen e Ditës Botërore të Rinisë. “Nënë e Aparesidës, - u lut Papa edhe në kapelën e shenjtërores, para meshës - i lëshoj në duart tua e i sjell te Ati, të rinjtë tanë e tuajt, e Ditën e tyre Botërore”. Ati i Shenjtë trokiti në portën e Zojës, që ajo t’i ndihmojë barinjtë e Popullit të Zotit, prindërit dhe edukatorët për t’u transmetuar të rinjve ato vlera, të cilat i bëjnë protagonistë për një botë më të drejtë, më solidare e më vëllazërore. Tre, qëndrimet e nënvizuara nga Papa për ta përmbushur këtë detyrë. Së pari, të mbahet gjallë shpresa:
“Zoti ecën përkrah nesh. Ai është shpresa jonë, nuk na braktis kurrë. Është e vërtetë se sot, të gjithë, edhe të rinjtë, ndikohen nga shumë idhuj, që duan ta zëvendësojnë Zotin e që duket sikur sjellin shpresë: paraja, suksesi, pushteti, kënaqësitë. Në këtë Shenjtërore të Aparesidës, pjesë e kujtesës së Brazilit, mund të gjejmë tjetër: përshpirtëri, bujari, qëndresë, vëllazërim, gëzim. Janë vlera, që i kanë rrënjët më të thella në fenë e krishterë”.
Duke kujtuar historinë e gjetjes së shtatores së Zojës nga tre peshkatarë, që atë ditë nuk kishin zënë shumë peshq, por zunë atë, e cila do të bëhej Pajtorja e të gjithë brazilianëve, Papa Françesku përvijoi qëndrimin e dytë, që duhet të mbajnë të rinjtë në jetë: ta lejojnë Zotin t’i kapë në befasi, t’i mahnisë me veprën e Tij: “Zoti vepron e na befason. Historia e kësaj Shenjtëroreje e dëshmon këtë: tre peshkatarë, pas një dite boshe, pa arritur të kapin peshq, në ujrat e lumit Parnaìba, gjetën diçka të papritur: figuren e Zojës së Papërlyer… Zoti ruan gjithmonë më të mirën për ne. Por, na kërkon ta lejojmë të na befasojë me dashurinë e Tij, t’i pranojmë surprizat e Tij”.
E më pas, Papa Françesku përmendi një temë, që e ka shumë për zemër dhe e ka përsëritur shpesh. U tha të pranishmëve të jetojnë me gëzim. E ky është edhe qëndrimi i tretë, që duhet të karakterizojë jetën e secilit: “I krishteri nuk mund të jetë pesimist! Nuk ka fytyrën e atij, që mban zi gjithmonë. Nëse jemi vërtet të dashuruar me Krishtin dhe e ndjejmë sa na do Ai, zemra do të na ‘përflaket’ me një gëzim të tillë, sa t’u ngjitet edhe atyre, që jetojnë pranë nesh”.
I ndërprerë shpesh nga duartrokitjet e brohoritjet, pasi e kishte filluar homelinë duke trokitur tek porta e Zojës e duke iu lutur asaj t’u tregojë të gjithëve Krishtin, Papa Françesku e përfundoi me fjalët e Shën Marisë drejtuar të gjithëve: “Tani, bëni ç’ju thotë Jezusi!”. Kujtojmë se Zoja e Aparesidës festohet më 12 tetor, në të njëjtën ditë me zbulimin e Amerikës, megjithëse nuk i përket të njëjtit vit (1492), por vitit 1717. Devocioni për të lidhet ngushtë me vuajtjen dhe shpresën e popullit afroamerikan. Në fillim të shekullit XVIII, kur skllavëria ishte shumë e përhapur në Brazil, në veri të shtetit të San Paulos, nga rrjetat e tre peshkatarëve doli në fillim shtatorja dhe pastaj koka e një Zoje në argjilë. Ishte me ngjyrë të zezë, si ajo e skllevërve, e thyer, si jeta e tyre. Mrekullia e parë e Zojës së Aparesidës qe në favor të një skllavi afroamerikan, me emrin Zakaria.