E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Obama takohet sot me guvernatorët e shteteve

Guvernatoret nga e gjithë Amerika janë në Uashington. Ata do të takohen me Presidentin Barak Obama për të biseduar rreth gjendjes së ekonomisë amerikane. Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Paula Wolfson, njofton se ka mendime të ndryshme mes guvernatorve rreth planit për stimulimin e ekonomisë:

Guvernatoret amerikanë po ballafaqohen me pakësimin e të ardhurave nga taksat, rritjen e nivelit të papunësis dhe deficite të larta buxhetore. Për shumë, ndihmat ndaj shteteve të përfshira në planin e Presidentit për stimulimin e ekonomisë janë të nevojshme për t”i ndihmuar ato të kapërcejnë krizën e tanishme ekonomike. 

Mes përkrahësve më të mëdhenj janë Demokratët nga shtetet ku sektori i industrisë gjendet në një pozitë shumë të dobët dhe numri i falimentive mes pronarëve të shtëpive është në rritje. 

Guvernatorja demokrate nga shteti Miçigan, Jennifer Granholm, thotë se në shtetin që ajo përfaqëson gjendet industria e automobilave të Detroitit dhe ky shtet ka nevojë për çdo dollar që Uashingtoni mund të japë. Ajo i bëri këto komente gjatë një interviste në programin televiziv ‘Fox News Sunday'.

"Duhet të besoni se une do të marr çdo dollar që vjen në Miçigan.”

Guvernatori republikan i shtetit të Karolinës së Jugut, Mark Sanford, ka pikëpamje të ndryshme rreth paketës për stimulimin e ekonomisë me vlerë prej 787 miliardë dollarë. Zoti Sanford, i cili planifikon të refuzojë një pjesë të ndihmave për shtetin qe ai përfaqëson, i tha programit televiziv ‘Fox News' se plani i Presidentit do ta shtojë së tepërmi borxhin kombëtar.

"Të gjitha paratë do t”u merren gjeneratave të ardhshme dhe sigurimeve shoqçrore. Kështu që, në thelb, ne po thellojmë më tej shpenzimet e pa kufi.”

Gjatë fjalimit të tij të javës, president Obama tha se megjithë vlerën e lartë të planit për stimulimin e ekonomisë, ai synon të pakësojë deficitin e buxhetit federal. Njoftimet flasin për një synim për të ulur këtë deficit përgjysëm në katër vitet e ardhshme.

"Kjo punë do të fillojë sot, kur unë të mbaj një takim me ekspertë të pavarur të financave dhe sindikatave, me grupe të mbështetëseve dhe anëtarë të Kongresit, ku do të bisedojmë se si të ulim deficitin prej 1 trilion dollarësh të cilin ne e kemi trashëguar.”

Guvernatori republikan i shtetit të Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger, i ka bërë thirrje partisë së tij të punojë me presidentin në përpjekjet për ta vënë deficitin në kontroll dhe për të rimëkëmbur ekonominë.

"Jam i bindur se në këto momente Presidenti Obama ka nevojë për bashkëpuntorë."

Zoti Schwarzenegger gjatë një interviste dhënë televizionit ABC tha se ai e kupton pse guvernatoret e tjerë republikanë mund të kenë dyshime për paketën stimuluese. Ai tha se në se guvernatori Mark Standord dhe të tjerët nuk dëshirojnë të marrin pjesën e tyre nga ndihmat federale, shteti i Kalifornisë do të ishte i lumtur ne se do mund të merrte pjesën e tyre.

"Guvernatori Stanford thotë se ai nuk dëshiron të marrë të fondet nga paketa stimuluese e qeverisë. Unë dua t”i them atij se "unë do t”i marr ato të holla."Unë do të isha më se i lumtur po të mund të merrja fondet që i përkasin shtetit që ai përfaqëson, apo të guvernatorëve të tjerë që nuk duan t'i pranojnë këto të holla. Unë do t”i merrja pasi shteti i Kalifornisë ka nevojë për to.”

Presidenti Obama do të takojë guvernatorët sot, menjëherë pasi ai të ketë mbajtur takimin me ekspertët specialë rreth deficitit. Guvernatoret ishin ftuar mbrëmë në një darkë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë. Kjo ngjarje ishte e para në presidencën e zotit Obama.//ap

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›