E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i OKB-së për drogat, vazhdim i vlerësimeve pozitive të ndërkombëtarëve për Policinë shqiptare

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi komenton rezultatet pozitive që konfirmohen nga raporti vjetor i OKB-së për shpërndarjen e lëndëve narkotike, i cili e nxjerr Shqipërinë edhe nga harta e vendeve që shërbejnë për tranzitimin e tyre

TIRANE – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi e ka komentuar Raportin e Zyrës së OKB-ës për drogat, si vazhdim i vlerësimeve pozitive të ndërkombëtarëve për Policinë shqiptare. “Ky raport është në vazhdën e vlerësimeve pozitive që kanë dhënë publikisht në Tiranë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane, Ministri Britanik për Sigurinë, Drejtori i FRONTEX dhe personalitete të etj”, u shpreh dje Ahmet Prençi.  
Në një komunikim me media Prençi, bëri të ditur se, “raport i cili është më i miri në vite për sa i përket Shqipërisë”.
Sipas Drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në këtë raport për sa i përket situatës së  drogave kultivimit dhe tranzitimit të tyre në rajonin e Ballkanit, Shqipëria përmendet vetëm dy herë.
“Kultivimi i kanabisit tashmë bëhet vetëm në ‘prona publike’, pra prona të askujt dhe për sa u përket drogave të forta Raporti konfirmon se që nga viti 2007 kemi një devijim të rrugës së tranzitimit të drogës nëpërmjet Shqipërisë, ose siç thotë raporti tashmë rruga tradicionale është ajo e Ballkanit verior Turqi-Bullgari-Rumani-Hungari dhe më pas Austri. Në ndryshim nga Raportet e mëparshme ku problematika e Shqipërisë ishte evidente në të gjithë raportin në këtë raport konstatohet që problematika s’postohet në vende perëndimore, si Spanja, Franca, Hungaria, Bullgaria, Rumania, Austria etj të gjitha këto vende të BE-së në të cilat evidentohet një rritje të kultivimit, tregtimit, tranzitimi dhe konsumi të drogës”, u shpreh Prençi duke ju referuar Raportit më të fundit të Zyrës së OKB-ës për drogat.  
Pavarësisht të dhënat optimiste të raporti, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ripërsëriti angazhimin se, “puna e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me institucione të tjera të zbatimit të ligjit në Shqipëri, kanë pasur dhe do të kenë prioritet kryesor luftën kundër drogës dhe trafiqeve të paligjshme për ta fshirë përfundimisht emrin e Shqipërisë nga harta e kultivimit, tranzitimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike”.
Disa ditë më parë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Luftën Kundër Drogës, publikoi një raport sipas të cilit, Shqipëria fshihet nga harta e vendeve transit të drogave.
Sipas këtij raporti, mësohet se e ashtuquajtura rruga e Ballkanit verior, e cila kalon përmes Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Austrisë u përdor më shumë në vitin 2007. Ndërsa ajo e Ballkanit jugor, që kalon përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe pastaj nga Maqedonia në Itali duket të jetë përdorur më rrallë për trafikun e drogës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›