Një shqiptar në super zbulimin shkencor franko-kanadez
Agjencia amerikane e lajmeve UPI (United Press International) dhe mediat kanadeze dhe ato në mbarë botën raportojnë nga Montreali se një ekip shkencëtarësh kanadezë dhe francezë kanë identifikuar një gjen të tipit të ri, përgjegjës për një fraksion të shënueshëm të rasteve të ALS-së (amyotrophic lateral sclerosis – skleroza laterale amiotrofike). ALS-ja zakonisht quhet edhe sëmundja e Lon Gehrig-ut, një çrregullim neuromuskular i pakurueshëm, që dëmton meuronet motore dhe çon në paralizë ose vdekje brenda 1-5 vjetësh.
I botuar në edicionin e tanishëm onlajn të revistës “Nature Genetics”, studimi mbi 200 subjekte njerëzore me ALS u udhëhoq nga Doktorët Gi Rulo (Guy Rouleau), Edor Kabashi, Pol (Paul) Valdmanis të Qendrës Kërkimore të CRCHUM-it (Centre hospitalier de l'Université de Montréal – Qendra spitalore e universitetit të Montrealit). Ekipi identifikoi disa mutacione gjenetike në gjenin TDP-43, me anë të studimit të pacientëve më ALS nga Franca dhe Kebeku (Quebec). Ata vërtetuan se TDP-43 është gjeni përgjegjës për rritjen deri në pesë për qind të numrit të pacientëve të prekur nga ALS-ja.
Puna në ekip
Zbulimi i madh (breakthrough) është rezultat i një pune në ekip me kolegë të barabartë për nivelin që kanë nga universitetet e Uotërllu-së (Waterloo) dhe Laval-it në Kanada, Federata e Sëmundjeve të Sistemit Nervor dhe Instituti i Biologjisë në Francë.
“Identifikimi i mutacioneve shtesë në TDP-43 në pacientë të tjerë me ALS do të vërtetojë se ky gjen është shkak i dukshëm i këtij tipi çrregullimi”, tha Dr. Rulo, drejtor i qendrës kërkimore të spitalit “Sainte-Justine”. “Modelet animale, që tejshprehin mutacionet e identifikuara në këtë studim do të sigurojnë pamjen vendimtare në brendësi se si TDP-43 grumbullon dhe vret më në fund neuronet motore”.
“Ky zbulim është një hap drejt zhvillimit të terapive për njerëzit, që vuajnë nga kjo sëmundje e tmerrshme, po ashtu ka gjasa dhe për sëmundje të tjera neurodegjenerative”, tha Dr. Kabashi i cituar nga mediat ndërkombëtare.
Pesë në 100 mijë veta preken nga ALS-ja, dhe sipas regjistrimeve 30 mije amerikanë të moshës 45-65 vjeç janë të sëmurë. Reth 20% të pacientëve me ALS jetojnë 5 vjet e ca , 10% mbijetojnë më shumë se 10 vjet, 5% jetojnë 20 vjet pas diagnozës. Kostoja e kujdesit për stadet e vona të sëmundjes për një kuadriplegjik arrin në 200 mijë dollarë në vit.
Doktorët Rulo dhe Kabashi janë mbështetur financiarisht nga Institutet kanadeze të Kërkimeve në Shëndetin Publik (CIHR - Canadian Institutes of Health Research) dhe Instituti i ALS-së. Kërkimi i tyre u financua gjithashtu dhe nga Shoqata e Distrofisë Muskulare dhe Shoqata e ALS-së.
Mjedisi intelektual ku u rrit
Më 30 prill të këtij viti , kur Dr. Edor Kabashi mbushi 31 vjeç, ky studim u botua i shtypur. Ai ka lindur në Durrës. Babai i tij, Kujtim Kabashi, i specializuar për matematikë, ka mbajtur titullin e kandidatit të shkencave pedagogjike, kurse e ëma, Irma Mborja (Kabashi), është diplomuar në arkitekturë. Por Edori, që shkoi në SHBA dhe Kanada, drejt e nga bankat e gjimnazit, më 1995-ën, parapëlqeu profesionin e gjyshit nga e ëma, Dr. Sul Mborjes, një nga mjekët më të shquar shqiptarë.
Edor Kabashi është nipi i Mjeshtrit të Madh të Punës, aktorit të mirënjohur, “Sokratit” shqiptar, Mirush Kabashi, ky me famë ndërkombëtare si një nga aktorët më të mirë të momentit. Vëllezërit Kabashi, me origjinë nga Gjakova e Kosovës, janë me emër në Durrës. Përveç Mirushit, xhaxhallarët e tjerë të Edorit janë Saliu, ish-kryeinxhiner i fabrikës së duhan-cigareve dhe i njohur në qarqet e tregtisë së jashtme në Tiranë dhe jashtë shtetit si ekspert dhe gazetari i ATSH-së, Gëzimi, që ka pasur më tepër akses si gazetar në forcat ushtarake të huaja në Durrës e Tiranë nga viti 1997 e këtej.
Diploma e Klintonit
“Në shkollën “Nako Spiru” në Durrës kam kryer tetëvjeçaren. Më pas kam vazhduar në gjimnazin “Gjergj Kastrioti”. Në vitin 1995, pasi mbarova maturën, vazhdova studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëra një vit në Rogers High School, në Newport, Rhode Island”, shkruan Edori, i cili, gjatë studimeve në shkollën e mesme të Roxherit, ka marrë diplomën presidenciale të Klintonit si nga nxënësit më të mirë të SHBA-ve. Është jo rastësi që këtë diplomë e kishte marrë dhe një ish-nxënës tjetër po i shkollës “Gjergj Kastrioti”.
Si 8-vjeçarja “Nako Spiru” (sot 9-vjeçarja “Maria Kaçulini”) ashtu dhe e mesmja e përgjithshme “Gj. Kastrioti” janë nga më të mirat jo vetëm në Durrës, por dhe në rang kombëtar. Është një fakt kurioz: i ati i Edorit, kandidati i shkencave pedagogjike, Kujtim Kabashi, ka qenë drejtor i shkollës së mesme “Naim Frashëri”, rivale e “Gjergj Kastriotit”. Edori shkoi në këtë të fundit. Prandaj nuk ishte rastit që Edori merr diplomë presidenciale në SHBA.
Vazhdon Edori: “Më pas fillova universitetin në Mount Saint Mary’s College në Emmitsburg, Maryland, me specializim biologjinë dhe psikologjinë, ku vazhdova për 2 vjet. Gjithashtu një semestër e bëra në Universitetin e Sorbonës në Francë, ku studiova gjuhën dhe kulturën franceze. Më pas u transferova në Universitetin McGill në Montreal, Quebec në Kanada, me specializim në biologji. Diplomën e universitetit e mora në vitin 2000”.
Siç shihet, brenda 5 vjetve, Edor Kabashi përballon një vit gjimanz, dy vjet biologji e psikologji në universitet, në SHBA, pastaj një semestër në Sorbonë dhe diplomohet në Kanada.
Fluturimi drejt majave
Gjatë viteve 2001-2006 Edori bëri doktoraturën në degën e shkencave neurologjike në Institutin Neurologjik të Montrealit, nën mbikqyrjen e Dr. Heather Durham.
Gjatë këtyre studimeve ka fituar disa çmime për punën e tij, si dhe një bursë nga Instituti i Kërkimeve Shkencore të Kanadasë. Kjo punë është bërë publike në disa artikuj në revista ndërkombëtare mjekësore dhe shkencore. Gjithashtu ka shkruajtur një përmbledhje shkencore dhe një kapitull libri mjekësor.
Pasi mbrojti diplomën, fitoi një çmim shumë të rëndësishëm, një bursë (fellowship) për vazhdimin e studimeve pas-doktorale në fushën e neurologjisë nga shoqata “Amyotrophic Lateral Sclerosis Canada” dhe Instituti i Kërkimeve Shkencore. Pas mbarimit të punës doktorale, ka filluar një specializim prej një viti në fushën e gjenetikës me Dr. Guy Rouleau dhe tashmë punon në Spitalin “Notre Dame” pranë Qendrës së Shëndetit të Universitetit të Montrealit.
Të gëzosh jetën
Edor Kabashi nuk është thjesht një shkencëtar i mbyllur vetëm në biblioteka dhe laboratorë. Përkundrazi, pamja e tij e jashtme jep përshtypjen e një njeriu trendy. Pasi siç thotë vet ai, ka edhe pasione të tjera: i pelqen shumë kinemaja, muzika, sportet, si futboll, volejboll, ping-pong.
Qyteti ku jeton, Montreali, i jep mundësinë t’i pasurojë këto pasione. Pra, ashtu si ka shkencën pasion, ai nuk i lë kusur sporteve për nga pasioni. Por nga xhaxhai, Mirushi, ka trashëguar dhe pasionin e arteve, kinemasë dhe muzikës.
Duke luftuar kundër një sëmundjeje të rëndë që merr jetë njerëzish, Edori ka një etje të pashuar për të gëzuar jetën. Ndoshta këto pasione të gërshetuara me njëra tjetrën, e bëjnë atë një ikonë të njeriut modern.
Për një politikë të ritkthimit të trurit
Edori nuk është i shkëputur nga zhvillimet në atdhe, pasi vjen dhe për pushime, sikurse vitin e kaluar në 30-vjetorin e lindjes. Megjithë mallin që ka, nuk mban doreza të bardha, kur flet për problemet në shëndetësi:
“Do të kisha shumë dëshirë të studioja dhe të bëj bashkëpunime me shkencëtarë në Shqipëri. Per fat të keq, sektori i shkencave të shëndetit, si dhe shumë sektorë të tjerë, ka shumë probleme dhe është me të vërtetë trajtuar keq këto vitet e fundit. Shpresoj në të ardhmen, me përparimin e Shqipërisë në të gjitha fushat, t’i jepet më shumë rëndësi këtij sektori”.
Ndërkaq, Edori lë përshtypjen se dëshiron jo vetëm të bashkëpunojë me kolegët e tij që nga Kanadaja, por është i gatshëm së bashku me shqiptarë të tjerë të shquar në shkencat e shëndetit, të rikthehet në Shqipëri. Edori thotë: “Gjatë studimeve në Amerikën e Veriut kam takuar shumë shqiptarë që studiojnë në fusha të ndryshme. Për shembull, në konferencën e fundit ku kam qenë nëntorin e kaluar në San Diego, Kaliforni, u takova me një grup shqiptarësh që punonin në të njëjtën fushë (neuroshkenca) në qytete të ndryshme si New York, Chicago, Cleveland.
Shpresoj që do të krijohet një politikë e rikthimit të trurit në atdhe, sepse jam i sigurtë që të dyja palët do të përfitonin”.
Përgatiti: Vladimir Mustaqi