Një shqiptar shpallet futbollisti më i mirë në Zvicër
Xherdan Shaqiri e ka fituar çmimin më të privilegjuar në Zvicër – lojtari më i mirë i vitit. Futbollisti kosovar ndihet i nderuar dhe i lumtur me këtë çmim, pas konkurrencës së fortë që pati. Ai premton se do të punojë për t’u përmirësuar dhe thotë se me Baselin synon të fitojë trofe të tjerë. “Jam shumë krenar që e fitova këtë trofe. Krenohem për veten, por nuk do të ndihesha keq po ta fitonin këtë çmim dy konkurrentët e mi, Inler e Benaglio. Për vetë faktin se kanë qenë të nominuar lojtarët më të mirë të Zvicrës, prapë krenohem që jam zgjedhur pikërisht unë”, deklaroi Shaqiri pasi e mori këtë mirënjohje për punën që bëri për një vit. “Kam dëshirë që me Baselin t’i fitoj sërish trofetë. Dëshiroj të zhvillohem edhe më tutje këtu”, vazhdoi 19-vjeçari, i cili thotë se trofeun e fituar të hënën do ta vendosë në vitrinë, në shtëpinë e tij. Lojtarja më e mirë zvicerane e vitit u shpall Lara Dickmann. Lojtari më i mirë i ri i vitit u zgjodh portieri Yann Sommer, kurse njeriu më fair-play i vitit u përcaktua trajneri Thorsten Fink. Zgjedhjet e më të mirëve i ka bërë një juri e përbërë nga 80 persona, prej tyre 20 gazetarë të shtypit, 20 gazetarë të radios dhe televizionit, 20 trajnerë dhe 20 ish-përfaqësues zviceranë.