E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezart Taçi sjell finalen për titull bote në Shqipëri

Federata Ndërkombëtare e Shahut me anë të një njoftimi për shtyp të publikuar në faqen e saj të internetit bën të ditur se ka përcaktuar vendet se ku do të zhvillohen meçi final për titullin Kampion Bote në Shah për femra. Edhe pse duket e papritur, FIDE ka vendosur që ndeshja finale për titullin Kampion Bote në Shah për femra do të zhvillohet në Tiranë gjatë muajit nëntor të 2011-ës. “FIDE ka kënaqësinë t’ju njoftojë se ndeshja finale për titullin Kampion Bote për femra mes Kampiones aktuale Hou Yifan nga Kina dhe sfidantes Humpy Koneru nga India, do të mbahet në Tiranë, Shqipëri, në nëntor 2011, me një fond çmimi prej 200 000 euro” – bën të ditur FIDE në faqen e saj të internetit. Nga ana tjetër, ende nuk bëhen të ditura detaje në lidhje me organizimin e këtij evenimenti, i cili vlen të theksohet se është më i rëndësishmi në botën e Shahut, ku pas kësaj ndeshje do të dalë dhe emri i ri i kampiones së re të Botës në këtë sport. Zhvillimi i këtij aktiviteti ka një kosto të lartë financiare, pasi i takon vendit organizator të marrë përsipër të gjitha shpenzimet. Ndërkohë nga ana e Federatës Shqiptare të Shahut ende nuk ka një deklaratë zyrtare në lidhje me zhvillimin e këtij aktiviteti, i cili pritet që të sjellë në vendin tonë një numër të madh përfaqësuesish të FIDE, por gjithashtu dhe një numër të madh gazetarësh të cilët do të pasqyrojnë këtë eveniment që pritet të mbahet gjatë muajit nëntor të këtij viti. Aktualisht president i Federatës Shqiptare të Shahut është biznesmeni Rezart Taçi, i cili pritet të rikonfirmohet zyrtarisht në këtë post në asamblenë e radhës që do të mbahet në shtator. Sipas burimeve në këtë federatë kërkesa nga pala shqiptare për të sjellë në Shqipëri finalen e femrave e vlefshme për titullin Kampione Bote në Shah është bërë pikërisht nga presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Rezart Taçi, që me sa duket ka marrë përsipër edhe të gjitha kostot e organizimit të një aktiviteti të rangut botëror.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›