Shqipëria, fitore me eurogola ndaj Malit të Zi
Shqipëria ka mundur Malin e Zi në miqësoren e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Një mbrëmje magjike ka qenë ajo e djeshmja për Kombëtaren shqiptare. Kuqezinjtë kanë fituar 3-2 në miqësoren ndaj Malit të Zi, falë dy eurogolave të shënuar nga Jahmir Hyka dhe Hamdi Salihi. Ishte sulmuesi Erion Bogdani, ai që kaloi në avantazh Shqipërinë në minutën e 33-të. Bogdani kaloi fillimisht në avantazh përfaqësuesen kuqezi por 7 minuta. Sulmuesi shtatlartë dërgoi në rrjetë një top të krosuar nga Ansi Agolli. Pjesa e parë e takimit ka përfunduar në barazim 1-1. Barazimi për malazezët në këtë pjesë erdhi në minutën e 40-të, kur Saviç shënoi me kokë pas një daljeje të gabuar të portierit Saimir Ujkani. Përgjithësisht të besuarit e Josip Kuzhesë zhvilluan një ndeshje për t’u admiruar, me përjashtim të 10 minutave të para të pjesës së dytë. Malazezët arritën të zhvillonin një ndeshje të mirë deri në minutën e 64-t, ku pas avantazhit 1-2 patën disa raste të tjera për të shënuar. Mbrojtja e miqve gaboi disa herë në vendosje dhe kjo u shfrytëzua më së miri nga kuqezinjtë.
Formacioni
Para ndeshjes kishte balotazh mes Lilës, Bakajt dhe Muzakës, por ishte ky i fundit që e nisi nga minuta e parë takimin. Në portë luajti Ujkani, ndërsa në mbrojtje Dallku, Cana, Curri dhe Vangjeli. Në mesfushë nga e djathta u vendos Muzaka, ndërsa në qendër Lala dhe Bulku. Nga krahu i majtë luajti Agolli dhe në repartin e sulmit dyshja e zakonshme Bogdani-Salihi.
Ndeshja
Shqipëria e nis mirë takimin dhe për pak kalon në avantazh me një goditje të fuqishme të Lorik Canës. Malazezët kërkojnë të marrin mesfushën, por Lala dhe Bulku lënë pak hapësirë. Kuqezinjve u mungon fantazia dhe ndihet mosprezenca e Ervin Skelës, i cili nuk ishte grumbulluar për këtë miqësore. Megjithatë, Shqipëria gjen golin, teksa pas një goditjeje dënimi Bogdani shënon. Entuziazmi i Shqipërisë zgjat pak, pasi malazezët barazojnë me anë të Saviçit. Pjesa e parë mbyllet 1-1, ndërkohë që fillimi i fraksionit të dytë është i gjithi për malazezët. Është sërish mbrojtësi Saviç, i cili i lirë brenda zone shënon pas goditjes me kokë. Kuqezinjtë shpërbëhen dhe për paksa pësojnë golin e tretë. Megjithatë, disa ndërhyrje të trajnerit Kuzhe, me futjen në lojë të Bakajt, Hykës dhe Kapllanit, ndryshojnë fytyrën e Kombëtares. Në minutën e 64-t është Jahmir Hyka i cili shënon një eurogol në hyrje të zonës. Entuziasmi rritet dhe pas një kundërsulmi, Curri kroson në zonë dhe Salihi me roveshatë realizon një gol spektakolar. Më pas Shqipëria ka shansin për të bërë “poker”, por Lila gabon brenda zonës. Mali i Zi kishte disa raste për të barazuar, por gjithçka u mbyll me fitoren e kuqezinjve, 3-2.