E Diel, 1 Nëntor 2026

Një shtetasi i sekuestrohen 700 mijë euro pasuri

Policia e Shtetit bëri me dije se është ekzekutuar vendimi i Gjykatës për sekuestrimin preventive të pasurive të paluajtshme të shtetasit Altin Ndërlita dhe familjarëve të tij.

Midis pasurive të sekuestruara, 13 janë apartamente banimi dhe një garazh  me sipërfaqe  900 m2,  pronë e shtetasve Altin Ndërlita dhe familjarëve të tij, Pashke Podgorica (nëna) dhe Roza Serreqi (tezja).

“Sekuestrimi i këtyre aseteve u bë i mundur nga një hetim intensiv, profesional dhe i plotë, si dhe në sajë të një analize të hollësishme financiare të strukturave të luftës kundër krimit financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Task-Forcë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Ky hetim u krye në kuadër të një procedimi penal të vitit 2011 regjistruar në ngarkim të shtetasit Altin Nderlita për veprën penale “të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i kodit penal. Ky shtetas ishte arrestuar në Gjermani për veprën penale të shkeljes së ligjit mbi lëndët narkotike, në vitin 2009”, thanë burime zyrtare të Policisë.

Këto pasuri dyshohet se janë blerë me të ardhura me origjine kriminale të trafikut të narkotikëve, ku i përfshirë ishte shtetasi Altin Ndërlita, teksa pasuritë e blera ishin regjistruar në emër të familjarëve të tij. “Një pjesë e parave janë qarkulluar jashtë sistemit bankar duke u deklaruar si të ardhura nga emigracioni dhe familjarët janë munduar t’i justifikojnë si para të ligjshme dhe t’i investojnë në apartamente. Bazuar në materialet e grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë, nga Gjykata e rrethit Gjyqësor Shkodër është vendosur masa e sekuestros për pronat e këtij shtetasi dhe familjarëve të tij”, thuhet më tej.

Nga Strukturat e Pastrimit Parave në Drejtorinë kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër vazhdon puna dhe po kryhen hetime intensive për identifikimin e pasurive të tjera të këtij shtetasi dhe për persona të tjerë të implikuar në këtë procedim, po ashtu dhe për identifikimin e pasurive, me qëllim vendosjen e sekuestros në kuadër të këtij procedimi penal. /Start/

                                                                                             2012-05-30 15:49
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›