Një sozi e Millosheviçit vendos të ardhmen e Serbisë
I ri, socialist e madje edhe sozi: herën tjetër, kur si "ministër i Jashtëm" i Evropës Havier Solana të takohet me qeverinë e re serbe, ka gjasa që të mbetet gojëhapur. "Si ka mundësi, Millosheviçi nuk vdiq në Hagë? Çfarë bën tani një fotokopje e tij më e rinuar në krye të partisë që për më tepër është edhe në pushtet"? E nëse është e vërtetë që shpesh historia bën shaka pa kripë, kjo është një prej tyre. Jo vetëm që Partia e vjetër Socialiste e Sllobos nuk ka vdekur, por falë rezultateve të zgjedhjeve të fundit, në këto orë, ajo është në pozitat e një grupi politik nga i cili varet çfarëdolloj mazhorance, që po "lajkatohet" si nga pro-evropianët e Presidentit Boris Tadiç që edhe pse kanë fituar zgjedhjet e të dielës së shkuar nuk munden të krijojnë të vetëm një qeveri, por edhe nga antiperëndimorët e Vojislav Koshtunicës dhe Tomislav Nikoliçit. Në krye të socialistëve serbë është sot Ivica Daçiç, 42 vjeç, ish-sekretar i rinisë socialiste, që aq shumë i ngjan shefit të vjetër, sa që vite më parë, pëshpëritej, edhe pse pa baza, se ai ishte një fëmijë ilegal i Millosheviçit. E njëjta fytyrë, të njëjtat nofulla dhe e njëjta prerje flokësh. Nëse në orët që do të vijnë, siç edhe po parashikohet, do të bien sirenat për radikalët e nacionalistët, besnikët e Millosheviçit do t‘i jepnin jetë kështu një koalicioni konservator. Por, mund të ndodhë edhe që "të këqijtë" e dikurshëm të dorëzohen përballë "joshjes" së Tadiçit duke krijuar, bashkë me ndonjë parti të vogël etnike, një koalicion të ri, më stabël, që do të quhet demokratike, dhe krejt paradoksalisht pushtetarët e tetë viteve më parë do të riktheheshin në sallonin e pushtetit. Në disa raste, këto vitet e fundit Evropa Lindore ka përmbysur rregullat e politikës dhe ka shpikur kombinacione nga më të çuditshmet, ish-sundimtarë që bëhen kryeministra, mashtrues të vjetër që promovohen si flamurtarë të rinovimit, shefa të shërbimeve sekrete që zgjidhen me votë plebishitare dhe manjatë të gatshëm të garantojnë pasurimin e të varfërve. Ajo e sozisë ishte një zgjidhje ende e paeksperimentuar, edhe pse përveç ngjashmërisë së jashtme me Sllobodanin e vjetër, Ivica i ri ka pak të përbashkëta. Xhentil e pothuajse i ngrohtë në takime private, në publik shefi i vjetër transformohej, mbi të gjitha kur flitej për Kosovën. Ivica Daçiç, në të kundërt, është një njeri me arsye, gjithnjë i matur, thuajse i akullt dhe me bindje të forta. "Sllobodan Millosheviçi nuk vdiq në Hagë, por u vra në Hagë", ka thënë ai kohë më parë. Kërkon veç të tjerash që trupi i ish-presidentit të vendoset në varrezat e të mëdhenjve dhe që bashkëshortja e tij Mira, dhe djali Marko, të lejohen të kthehen në shtëpi. Në të njëjtën kohë deklaron edhe se Serbia mund të ketë një të ardhme vetëm në një dimension evropian dhe në kohë të vështira duhet edhe të adoptohet. Ai ka lindur në Prizren, është diplomuar në Beograd dhe rrëfejnë se në Partinë Socialiste doli në pah kur bashkëshortja e "shefit" vizitonte Kosovën, asokohe provincë serbe, dhe në një takim ai ishte ngritur për të kundërshtuar hapur zgjedhjet e saj politike. Në një parti pothuajse të ndryshkur, idetë e tij u dukën interesante, aq sa në 1997-ën ai u bë sekretar i socialistëve, i ri, i hapur, modern, por me bindje të palëkundura. Një gazetar e kishte intervistuar për të parën herë në nëntor të atij viti, kur çdo ditë Beogradi përshkohej nga kortezhet anti-Millosheviç, ndërsa televizioni shtetëror manipulonte pamjet në tentativë për të treguar se asgjë nuk po ndodhte. Në vend që të tregohej i ashpër, ai tentoi të argumentonte: "Në çfarëdolloj vendi tjetër, të nënshtruar ndaj sanksioneve, fabrikat do të kishin thirrur punonjësit për t‘u thënë: nuk ka më punë dhe ndoshta do të rishihemi. Millosheviç, në të kundërt, u ka thënë punëtorëve: nga nesër do të merrni vetëm një të pestën e pagës, por mensat dhe asistenca mjekësore mbeten të hapura". Për sa i takon sistemit të mediave, Daçiç shprehte teori akoma më të guximshme për epokën. "Në Serbi ekzistojnë rreth 2 mijë media dhe vetëm një për qind është e kontrolluar nga shteti. Çfarë ka të çuditshme në faktin që ka një televizion publik që i përgjigjet qeverisë. Është kështu kudo ndodh kjo, edhe me BBC-në". E në një pikë kishte të drejtë: pavarësisht 400 mijë njerëzve që çdo ditë zbrisnin në shesh, ai parashikoi se Perëndimi do të ishte dorëzuar dhe Millosheviçi do t‘ia kishte dalë mbanë. Kur në tetor 2000 regjimi ra, u "mbyt" me nder bashkë me partinë, por vazhdoi të thoshte se bota ka nevojë për socializmin dhe viktimat e tranzicionit kanë nevojë për një parti që mund t‘i mbrojë. Në dhjetor 2006 u zgjodh sekretar në presidencialet e një viti më pas dhe mblodhi rreth 100 mijë vota. Tani ka shkuar në 300 mijë vota, pra vetëm një hap larg postit të Kryeministrit dhe një grushti ministrish. Tani, vëzhguesit evropianë duken të gatshëm të betohen se Daçiç është bërë një socialist modern. Dhe i tillë do të jetë edhe pse mbi disa çështje parimore si ajo e Kosovës nuk heq dorë: në Strasburg, beteja kundër pavarësisë mund të kryhet më mirë se në Beograd. Ivica Daçiç dhe socialistët e vjetër janë të gatshëm të rikthehen dhe të ndjekin rrjedhën. E ndërkohë Daçiç ka fluturuar drejt Rusisë për t‘u konsultuar me vëllezërit rusë. Por, gjuhët e këqija thonë se ka shkuar atje për të takuar dhe nderuar Mira Markoviçin, azilante në Moskë.