E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërmeti në Kinë. Të vdekurit, mbi 32 mijë

Kina ka shpallur tri ditë zie kombëtare për dhjetëra e mijëra viktimat e tërmetit të së hënës. Ato fillojnë sot, me një minutë heshtje, pikërisht në orën 14:28 me orën lokale, ekzaktësisht një javë pasi tërmeti rrafshoi provincën jugperëndimore Sichuan. Edhe udhëtimi i flakës olimpike do të pezullohet për tri ditë. Numri i vdekjeve të konfirmuara ka shkuar në 32477, por zyrtarët thonë se shifra përfundimtare mund t‘i kapërcejë 50 mijët. Më shumë se 220 mijë njerëz ndërkohë janë plagosur. Presidenti kinez, Hu Xhintao, ka shprehur ndërkohë mirënjohje për ndihmën ndërkombëtare që mbërriti pas tërmetit shkatërrues. "Shpreh falënderimet më të ndjera për qeveritë e huaja dhe miqtë ndërkombëtarë", tha ai. Në fakt, oferta për ndihmë kanë ardhur nga brenda dhe jashtë vendit dhe shifra aktualisht i ka kaluar 860 milionë dollarët. Ndihmat e para amerikane kanë mbërritur po ashtu në Kinë, ku është ulur një avion i mbushur me tenda, ushqime dhe pajisje të tjera. Gjithsesi, një ekip i specializuar shpëtimi nga Britania e Madhe, është bllokuar në Hong Kong dhe pritet të kthehet në shtëpi pasi iu refuzua leja për të shkuar në zonën e tërmetit. Në Beichuan kanë rifilluar përpjekjet e shpëtimit, pasi qyteti ishte evakuuar më herët për shkak të frikës se do të përmbytej nga një lumë i afërt, shtrati i të cilit ishte tejmbushur si pasojë e reshjeve. Qyteti, në afërsi të epiqendrës së tërmetit, është kthyer në një rrënojë masive. E ndërkohë, dëgjohen sërish histori të të mbijetuarve që nxirren nga rrënojat. Një burrë që u shpëtua të dielën, Tang Xiong, kishte vetëm lëndime të vogla dhe ishte plotësisht i ndërgjegjshëm kur u shpëtua në Beichuan, 139 orë pas tërmetit. Një tjetër 53-vjeçar u nxor nga rrënojat në qytetin Yingxiu, pasi kishte mundur të mbijetonte për 148 orë. E ndërkohë, rajoni ka vazhduar të dridhet sërish, pasi të tjera tërmete janë regjistruar në zonë. Një numër lëkundjesh të tokës kanë shkaktuar madje edhe rrëshqitje dheu, duke vështirësuar akoma më shumë punën e skuadrave të shpëtimit. Qeveria kineze ka organizuar një operacion masiv kërkim-shpëtimi. Ajo madje ka publikuar të shtunën shifra që dëshmojnë qartë shkallën e këtij operacioni. Ajo theksonte se 220109 njerëz ishin plagosur. 181460 tenda, 220 mijë dyshekë dhe 170 mijë batanije janë shpërndarë në zonën e katastrofës. Më shumë se 10600 njerëz të tjerë besohet ende se janë të bllokuar nën rrënoja. Ekipe shpëtimi nga Koreja e Jugut, Singapori dhe Rusia u janë bashkuar ekspertëve japonezë dhe tajvanezë në operacion. Ekipet e specialistëve janë të pajisur edhe me qenë nuhatës dhe kamera me fibra optike apo sensorë nxehtësie, që përdoren për të gjetur njerëzit e mbetur nën rrënoja. Por, ekspertët thonë tani se shanset për të gjetur njerëz të tjerë të gjallë, janë të pakta. Ndërkohë, centralet bërthamore në zonën e dëmtuar nga tërmeti janë kontrolluar dhe është deklaruar nga autoritetet se janë të sigurt. Kina ka një reaktor kërkimesh, dy impiante të prodhimit të lëndës bërthamore dhe dy laboratorë armësh bërthamore, në Sichuan, 60-145 kilometra larg epiqendrës së tërmetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›