E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një thelë mish

Kur kemi qenë të rinj, kemi lexuar një tregim nga i famshmi Xhek London të titulluar “Një thelë mish” ku fl itet për shfrytëzimin e egër të boksierëve profesionistë nga sipërmarrësit në fillim të shekullit të 20-të në SHBA. Në të tregohet se si ushqehet me një dietë të varfër ushqimore një boksier me një familje të vobektë dhe pak i rrëgjuar në moshë, para se të shkonte në një ndeshje boksi. Aty tregohet se para ndeshjes ai nuk kishte mundësi që në menynë e vet të kishte një racion mishi, gjë e cila ia preu forcat goditëse dhe mbrojtëse përballë një kundërshtari më të ri në moshë brenda litarëve të arenës së boksit. Gjatë kohës para se gjuri i tij të prekte tokën, ai filloi të ëndërronte në mënyrë alucinante sikur kishte përpara një tavolinë të mbushur plot me gjellë dhe me mish, por kjo fantazi nuk mjaftonte për t’ia shtuar fuqitë dhe për të fituar mbi kundërshtarin.
Kjo vepër shumë e thjeshtë dhe pikante e Londonit na kujtohet kur shohim rrugët tona, ato rrugë për të cilat krenohet apo edhe mburret qeveria jonë që është duke mbyllur vitin e shtatë të qeverisjes, ku deri në fund të mandatit, në vitin 2013, i bie që të ketë arkëtuar në buxhet të paktën rreth 30 miliardë dollarë. Pse po çuditeni nga kjo shifër dhe po ngrini vetullat përpjetë me mosbesim? Po, nuk është lapsus. Partia Demokratike është në fund të arkëtimit të rreth 30 miliardë dollarëve amerikanë deri në qershor të vitit tjetër. Ja, llogariteni: Rreth 3,5 miliard dollarë në vit që arkëtohen në Buxhet (kjo shifër është rreth 25 % e PBB), po të shumëzohen me 8 vjet qeverisje bëjnë 28 miliardë dollarë. Nëse llogaritim edhe deficitet buxhetore prej rreth 3%, të financuara me borxh publik, kjo shifër pritet t’i kalojë 30 miliardë dollarët e shpenzuara për investime dhe shpenzime operative për mbajtjen e administratës (këtu nuk ia vlen të përmendim ca thërrime të hedhura mbi pronarët dhe ish-të burgosurit politikë të diktaturës komuniste për të cilët PD, si një parti e udhëhequr nga ish komunisti S.Berisha, realisht as që do t’ia dijë). Këtu nuk po llogaritim rreth 7 miliardë Euro borxh të marra në këto 22 vjet. Dihet se regjimi komunist i la Shqipërisë një borxh të vogël të huaj prej rreth 12 miliardë lekësh ose rreth 1/60 e vlerës totale të borxhit të sotëm, i cili është 60 % e PBB, ku kjo e fundit llogaritet afërsisht në vlerën e 14 miliardë $. Dihet se një pjesë të madhe të financimeve publike nga gjithë ky buxhet i ka gëlltitur Ministria e Transportit. Tashmë e dimë që punët e kësaj Ministrie janë përdorur dhe përdoren rëndom nga çdo qeveri si një xhevahir për të zbukuruar nurin e saj në zgjedhjet elektorale. Madje z.Berisha dhe ministri bëjnë shou përurimesh gjoja përfundimtare edhe gjatë ndjekjes së etapave të punimeve të veprave të caktuara - vizita të rëndomta këto për ndjekjen e zbatimit në afat e cilësi të punimeve nga ana e firmave zbatuese të projekteve. Nuk na kujtohet se sa herë ata kanë vendosur në kokë kapelën e minatorit, me të gjithë pompozitetin që të jep media para syve të të gjithë popullit dhe se sa herë ata kanë inauguruar lote të një punimi të vetëm e me një funksion unik.
Arsyeja se përse i shkruaj këto rreshta dhe se përse m’u kujtua copa e mishit të Xhek Londonit, besoj se buron nga një mendim i përbashkët me të gjithë ata që udhëtojnë nëpër Shqipëri. Kemi konstatuar një fenomen të çuditshëm dhe të rrezikshëm për jetët e drejtuesve të automjeteve dhe të pasagjerëve, si në rrugët e rëndësishme nacionale në veri, ashtu edhe në jug; edhe kur janë bërë punë të mira, si për të “mos rënë më sysh” kur themi ne toskët, si në formë hudhre, midis dy segmenteve rrugësh gati të përfunduara, gjendet një copë rrugë e shkurtër në gjendje të keqe, me gropa të mëdha, të cilat mund ta shtyjnë një drejtues jabanxhi mjeti drejt një aksidenti të sigurt e të rëndë, për shkak të uljes së papritur dhe drastike të shpejtësisë, nga një shpejtësi e lartë deri 100 km/orë, që lejonte pjesa tjetër e autostradës. Kjo konstatohet sapo kalon ndërtesën e militantit më të madh të PD, kryebashkiakut Xhelal Mziu në Kamëz. Menjëherë has një rrugë disa qindra metra me kanale dhe gropa të frikshme. Nuk e dimë se kush i menaxhon këto segmente të rrugës nacionale brenda unazës së Kamzës, por kur sheh se e gjithë Kamza ka thithur shumë investime rrugore nga qeveria blu dhe kur bashkia nuk e ka problem më së paku meremetimin e këtij segmenti, përse nuk veprohet dhe për ‘një copë mish’ mund të shkojnë nokdaun shumë shqiptarë të pafajshëm tatimpagues ose turistë. Aq më tepër, kemi parë segmente të tëra, qoftë në rrugën në veri para Laçit, qoftë në jug, si segmenti jashtë Gosës, para lidhjes së autostradës së Lushnjës me pjesën ‘blu’ të Kavajës, apo edhe në pjesën Fier - Vlorë, të cilat janë gati të përfunduara dhe nuk vihen në funksion me qëllim elektoral, duke e përngjasuar Qeverinë me atë anektodën e atij kryefamiljarit idiot që ju ‘fshihte drapërin’ gjindjes familjare. Po kështu janë të pashpjegueshme gropat në mes të autostradës së shkurtër në ndërtim prej 5 - 6 vjetësh në zonën para Kavajës, sidomos poshtë disa mbikalimeve, ku dy lote ose dy pjesë rruge, kanë një distancë fare të shkurtër midis tyre e në gjendje shumë të keqe, të mjaftueshme sa për të thyer një amortizator ose për një aksident me pasoja me dëme ekonomike ose edhe tragjike. Aq më tepër që firmat ndërtuese nuk shpenzojnë për të vendosur sinjalistikat paralajmëruese sipas distancës ku rruga është e prishur ose që devijon nga një autostradë, në një rrugë stani. Ju lutemi zoti Kryeministër, tani që është edhe sezoni i plazhit, nuk po ju kërkojmë mrekullira, por jepini ministrisë së Punëve Publike një ‘copë mish’ sa të ketë fuqi t’i mbyllë këto gropa të pashpjegueshme e të pagoja që kërkojnë jetët tona; jepini një ‘copë mish’ se përndryshe të gjithë ju të omertas blu do të bini shpejt edhe për një shkak më shumë nokdaun. Ju, shokët e ngushtë të stanit blu që keni okupuar ndërtesat qeveritare prej gati një dekade, a e dini se e kini detyrë kushtetuese një gjë të tillë kaq të vockël për të ruajtur jetët e qytetarëve tuaj? Ne e kuptojmë se për se e bëni këtë: Për t’i bërë këto rregullime fare pa kosto, vetëm në pranverë të viti 2013, kur do të dilni me gërshërë në dorë të prisni shirita pa fund, madje edhe për ndonjë pompë uji fshati të vendosur në ndonjë komunë të humbur, e jo më për këto rrugë me të cilat keni 4 vjet që mburreni dhe që ende nuk i keni përfunduar, aq sa jeni bërë qesharakë. Ndoshta disa ministra të z.Berisha, njohin më mirë rrugët ajrore dhe kanë kohë që i kanë harruar ato tokësoret. Madje këta banojnë më shumë në avion se sa në banesat e tyre. Këtyre ka kohë që ju duket vetja qiellorë, jo tokësorë e vdekatarë si ne të tjerët. Ndaj 2013-a duhet t’i zbresë këta nga qielli e tu tregojë këtyre demonëve që s’pyesin për ne, se qiellor nuk të bëjnë përfitimet, nihilizmi dhe abuzimi me popullin tënd, por veprat për të cilat ata të kanë besuar që t’i kryesh me përkushtim. Ju lutemi zoti Kryeministër, jepini një ‘copë mish’ ministrit tuaj më konfidencial, atij ministri që pranoi të therorizohej për ju duke u bërë kamikaz kundër z.E.Rama për postin e kryebashkiakut dhe që ju nuk e braktisët, por e rimorët brenda “familjes” suaj, për shkak se rrethi juaj e vlerëson shumë paktin dhe omertan. Mos i lini shqiptarët të torturohen më tepër për pak karroca zhavorr dhe për efektet trullosëse të një shiriti inaugurimi pranë datës së zgjedhjeve. Qytetarët nuk mbajnë mend vetëm muajt e fundit të qeverisjes suaj të dobët; ata të vlerësojnë për të gjithë mandatin dhe nuk mund të trajtohen si qenie të ulëta për nga inteligjenca. Këtë mund ta besojnë vetëm qeveritarë dhe ministra që se njohin mirë popullin e tyre. Përndryshe do të ishte mirë që në dallim nga bota tjetër demokratike, ne të kishim votime çdo dy apo tre vjet.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›