Greqia, një kauzë e humbur
Nga Nikos Konstandaras
(“Kathimerini”)
“(Harrojeni Greqinë, e cila pothuajse është një kauzë e humbur; Fati i Evropës do të vendoset në Spanjë)” Kjo fjali e shkurtër, një parantezë në kolonën e fundit të fituesit të Çmimit Nobel në Ekonomi, Paul Krugman, flet qartë për pozicionin e Greqisë sot. Ne jemi një “kauzë e humbur” - një shembull kaq toksik që madje edhe mbështetësi më i paepur i shpenzimeve stimuluese dhe kundërshtuesi i masave të kursimit kërkon të vendosë distancë mes Greqisë dhe teorisë së tij në mënyrë që ne të mos e molepsim atë. (Madje edhe përmendja e Greqisë duhet të vendoset pas “hekurave” në kllapa në vend që të lejohet të harbohet përmes tekstit të tij). Krugman mund të jetë i vrazhdë, por ka të drejtë - deri në një pikë. Greqia është një rast i veçantë - ku paraliza politike afatgjate ka krijuar një ekonomi jofunksionale e cila mund të ecë me mundim vetëm nëpërmjet infuzionit të kredive gjigante dhe korrupsionit. Por, Bashkimi Evropian është gjithashtu përgjegjës për mospasjen e mekanizmave për parandalimin e daljes nga shinat të ekonomisë greke dhe as ndonjë entuziazëm të veçantë për ta risjellë në rrugën e duhur. Në këtë mënyrë, kriza greke e borxheve minoi besimin në euro si një e tërë derisa u përhap në anën tjetër të kontinentit, veçanërisht në Spanjë. Në qoftë se ne jemi një “kauzë e humbur”, jemi për shkak se rezultuam të paaftë të menaxhonim problemet tona, kudo qofshin ato, në ekonomi, në shtet apo në shoqëri. Këtu ne shohim paaftësinë e sistemit tonë politik për të luajtur një rol të përgjegjshëm. Teksa shumica e qytetarëve - ata me pagë, pensionistët, pronarët dhe sipërmarrësit që respektojnë ligjin - vuajnë nga uljet drastike të të ardhurave të tyre dhe janë të detyruar të jetojnë me frikë dhe pasiguri, atyre nuk u është ofruar asnjë lajm sado i vogël, i mirë, as përmirësimi më i vogël në shërbime dhe as një lloj ndjenje drejtësie. Me fjalë të tjera, politikanët tanë pranojnë koston politike të të privuarit të shumicës por ata nuk munden (ose nuk guxojnë) të organizojnë sistemin e taksimit, drejtësisë dhe të shëndetësisë dhe as administratën dhe transportin publik, në mënyrë që të përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Duket sikur ky dështim për t’i shërbyer sado pak shumicës nuk ka asnjë kosto politike. Nëse Greqia është një “kauzë e humbur”, është sepse sistemi ynë politik nuk besoi në domosdoshmërinë e reformave dhe ishte i gatshëm të luante kukafshehtas me kreditorët tanë - duke marrë kreditë kesh por duke shmangur përgjegjësinë e krijimit të një plani riorganizimi. Në mungesë të propozimeve tona, ishte e natyrshme se gjithçka mund të bënim ne ishte të prisnim për kërkesat e të tjerëve e më pas - të hidhëruar - filluam të sillemi kot si kali në lamë në vend që të bënim diç me vlerë. Tanimë që të tjerët e shohin rrezikun me të cilin përballemi, ata mbeten pa fjalë ndërsa ne - të cilët jemi të parët që ekspozohemi ndaj këtij rreziku - sillemi sikur nuk kemi pse të frikësohemi. Në fund, nëse ne duket se jemi një “kauzë e humbur” kjo nuk është plotësisht ngase ne nuk arritëm të shpëtojmë veten. Është edhe më keq: ne madje as nuk u përpoqëm për diçka të tillë.