Një thirrje për Aleancën kundër plehrave
Afro tri javë më parë, një gazetar i njohur e pyeti Presidentin e Republikës nëse ky i fundit do ta dekretonte ligjin Për importin e plehrave toksike. Z. Topi u përgjigj se do ta shihte çështjen me shumë kujdes. Historia më pas ngjan me atë të qimes që rritet e bëhet tra. Tra aq i madh, sa jo vetëm që bllokon një ligj të domosdoshëm për Shqipërinë, por dhe vetë sistemin e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri. Përgjigjen e pyetjes për plehrat toksike e jep vetë ligji, në nenin 48, kur shprehet: Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë. Pasi kemi sqaruar se ligji ndalon importin në Shqipëri të mbetjeve toksike, kancerogjene, të djegshme, shumë të djegshme, irrituese, dëmtuese, gërryese etj., do të duhet të sqarojmë disa pyetje të tjera që publiku i ka shtruar me plot të drejtë këto ditë. Pikërisht për këtë ftoj të gjithë lexuesit, mbetje-skeptikët, edhe anëtarët e Aleancës kundër plehrave, të më kushtojnë 10 minuta nga koha e tyre e vyer.
1. A hap ligji rrugën
për import të mbetjeve jo të rrezikshme në Shqipëri?
Edhe pa këtë ligj importi i mbetjeve jo të rrezikshme si lëndë e parë nuk ka qenë dhe nuk është i ndaluar në Shqipëri. Çdo lloj legjislacioni i prodhuar në Shqipëri që prej vitit 1990 e ka lejuar importin e mbetjeve jo të rrezikshme.
Kështu ndodhi dhe në vitin 2002, kur në fillim qeveria socialiste dhe më pas Parlamenti shqiptar i dominuar nga të majtët miratuan ligjin 8934 Për mbrojtjen e mjedisit, ku lejohet importi i çdo lloj mbetjeje me qëllim përdorimi, përpunimi e riciklimi. Kështu ndodhi dhe në vitin 2003, me miratimin e ligjit 9010 Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta, ku lejohet importi për të gjitha qëllimet e tjera, sikurse rikuperimi i energjisë, përpunimi dhe riciklimi. Ligjet e mësipërme janë votuar nga të gjithë deputetët e koalicionit të majtë të legjislaturës 2001-2005. Sot, afro gjysma e tyre janë ende deputetë të koalicionit të majtë dhe sikundër gjithë kolegët e partisë së tyre, janë kthyer në kundërshtarë të ligjit të ri ose në kundërshtarë veçanërisht të atyre neneve që i kanë miratuar vetë. Gjetja e fundit nuk përkthehet në shprehjen Meqë ata e bënë gabim, le të vazhdojmë të gabojmë! Ajo thjesht mjafton për të vërtetuar se reagimi i opozitës së sotme nuk vjen nga zelli për të shpëtuar Shqipërinë nga mbetjet. Përkundrazi, kundërshtimi i sotëm kërkon të përdorë një temë që manipulohet lehtë për të nxjerrë përfitime politike. Përmes manipulimit të temës së mbetjeve nga politika po tentohet të manipulohet e drejta e çdo individi për të njohur të vërtetën. Po tentohet të përdoret edhe vetë Aleanca si një levë për pushtet.
2. A është ky i sotmi një debat i ri?
Sot ne po përsërisim thuajse të njëjtin debat me atë të një viti më parë, kur një pjesë e shoqërisë civile kundërshtoi Vendimin Nr. 99 të Këshillit të Ministrave Për miratimin e listës së mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, përpunimi dhe riciklimi, ndërsa pjesa e mbetur e mbështeti atë duke kërkuar njëkohësisht këshillimin publik për çdo sasi që do të importohej në të ardhmen dhe masa më të forta kontrolli nga të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces. Bazuar në legjislacionin e mëparshëm, deri në tetor të vitit 2010, në Shqipëri mund të hynin 434 elemente të listës së mbetjeve që klasifikoheshin si të parrezikshme. Pas tetorit 2010, me nxjerrjen e vendimit të sipërpërmendur, numri i elementeve të parrezikshme që mund të futeshin në Shqipëri u reduktua në vetëm 55, të gjitha pjesë e asaj çka njihet si Lista e Gjelbër europiane, listë kjo e përbërë nga elemente që konsiderohen si të parrezikshme për mjedisin dhe shëndetin. Ky vendim i shoqëruar me plot debate, që në shumicën e tyre kanë qenë të drejta, ka shërbyer pikërisht për të formalizuar importin e mbetjeve. Ai nuk reduktoi vetëm listën e lëndëve që mund të hynin. Vendimi dhe debati që e shoqëroi i ndërgjegjësoi institucionet se publiku nuk do ti falte gabimet, ndaj dhe vendimmarrjet e tyre duhet të ishin sa më transparente. Që prej atij debati, doganat shqiptare nuk lejojnë hyrjen e elementeve jashtë listës. Nuk lejojnë gjithashtu as hyrjen e elementeve të listës kur këto janë të pashoqëruara me autorizimin e Këshillit të Ministrave.
Thuajse për një vit, nga tri kërkesa të paraqitura është dhënë vetëm një autorizim për kompaninë Kurum (Elbasan), për import të mbetjeve metalike. Ky autorizim ka ndjekur një proces transparent të këshillimit publik me pjesëmarrjen e disa shoqatave mjedisore.
Dy kërkesat e tjera ishin për import të plastikës. Njëra prej tyre është refuzuar sepse leja e mjedisit të subjektit nuk përputhej me kërkesën për import. Për subjektin tjetër vazhdon shqyrtimi nga institucioni deri në përputhshmërinë e plotë me kërkesat e kuadrit ligjor. Edhe për këtë subjekt është kryer këshillimi publik, ku janë ftuar të gjitha OJF-të më në zë për mjedisin. Janë ftuar dhe njoftuar një për një edhe ata që e kanë kundërshtuar më fort vendimin. Këshillimi u parapri nga dërgimi i materialeve sqaruese lidhur me sasinë e kërkuar, teknologjinë e përdorur, ndikimin në mjedis të procesit etj. Këshillimi u krye në mjediset e fabrikës së riciklimit për tu njohur më mirë me procesin, hapësirat për vendosjen e mbetjeve lëndë e parë, teknologjinë e përdorur, impaktin në mjedis të aktivitetit. Ky këshillim është një nga më të plotët të zhvilluar deri sot në Shqipëri.
Pra, në një vit kohë, institucionet kanë ditur të luajnë rolin e tyre kontrollues dhe këtu kanë, pa dyshim, rol themelor OJF-të mjedisore. Dhe pavarësisht debateve për idetë, ky raport ka prodhuar në terren një zbatim më të mirë të legjislacionit mjedisor.
3. A e lehtëson ligji i ri importin?
Legjislacioni i ri në fushën e mbetjeve është shumë më konservator sesa ai i mëparshmi. Në ndryshim nga kuadri ligjor pararendës, ligji i ri hyn në sqarimin e një pjese të procedurave të importit duke i forcuar ato në raport me të shkuarën. Vendosja në ligj e procedurave provon se importi është më i kontrolluar se më parë. Çdo kush që do të dëshironte më pas të lehtësonte procedurat e importit, do ti duhej më parë të ndryshonte ligjin.
4. A është importi i mbetjeve i barabartë me importin e plehrave?
Jo, aspak. Për ne shqiptarët plehra do të thotë kazani i pisët pranë shtëpisë. Kazani që përmban gjithçka, përfshirë mbeturinat të ushqimit, të ambalazheve, qese, shishe, letra, ilaçe, bateri, aparate elektronike, tulla, llaç, metale etj. Për ne shqiptarët plehra do të thotë çdo grumbull anësh rrugës, kanalit apo lumit më të afërt. Pra për ne të gjithë plehrat janë të barabarta me mbetjet e përziera.
Ky kuptim i yni rrjedh prej kaq e kaq vitesh keqmenaxhim, mungesë investimesh dhe mungesë edukimi. Kuptim për ndryshimin e të cilit shërben pikërisht ky ligj. Ligji nuk flet për import plehrash, por mbetjesh lëndë e parë. Ky koncept sqarohet më shumë në nenin 8 të ligjit, i cili shprehet, ndër të tjera, se një mbetje e caktuar pushon së qeni mbetje kur ka pësuar një operacion rikuperimi, përfshirë riciklimin, dhe vetëm në qoftë se substanca ose objekti përdoret gjerësisht për qëllime të caktuara, ekziston tregu apo kërkesa për një substancë ose objekt të tillë dhe substanca plotëson të gjitha kërkesat përkatëse për mbrojtjen e mjedisit e të shëndetit.Pra importi i mbetjeve nuk është import plehrash, është import i lëndës së parë për industrinë, sikurse tulla për ndërtimin apo lëkura për prodhimin e këpucëve dhe pëlhura për prodhimin e konfeksioneve.
5. A do të menaxhoheshin mbetjet tona më mirë nëse do të ndalonim importin e lëndës së parë për industrinë ricikluese?
Ky është një shqetësim shumë i drejtë dhe i mbështetur në 20
