E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testi i parë i Bamir Topit kundër Berishës

Share

Nga Mero Baze

Presidenti Topi ia ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë emrin e Sali Shehut për kandidat për kryetar të Kontrollit të Shtetit. Shehu, një ish deputet i Partisë Demokratike, pastruar nga lista si mbështetës i Bamir Topit në vitin 2009, është në të vërtetë dhe oferta e heshtur e politikanit Bamir Topi për Sali Berishën. Nuk ka rëndësi të analizojmë profilin publik apo vlerat dhe të metat e Sali Shehut si kandidat profesionist për postin e KLSH. Nuk është përzgjedhur si i tillë.

Përzgjedhja e tij është një  test i mirëfilltë politik për të parë deri ku është Sali Berisha i vendosur të bëjë betejë me Bamir Topin.

Në rastin e një skenari pozitiv, pra të pranimit të kandidaturës së Sali Shehut, Sali Berisha natyrisht që do të japë shenja dobësie para mbështetësve të vet, pasi i duhet të lëpijë atë që ka pështyrë, por nga ana politike qetëson një konflikt, i cili duket se është hapur për të mos u mbyllur. Në rast se PD miraton Sali Shehun, do të thotë se Berisha ka pranuar të bëjë kompromise me Topin gjatë rrugës dhe të mos e çojë në ekstrem luftën me të.

Nga ana tjetër, miratimi i kësaj kandidature nga PD-ja lehtëson Berishën nga gara elektorale në vitin 2013, ku Shehu do ti udhëheqë listën e Bamir Topit në Dibër, Qarku i cili i dha dy deputetë diferencë Berishës dhe që u bë vendimtar për fitoren e  tij në zgjedhjet e 2009. Mosvotimi i Shehut do të thotë një luftë frontale me njerëzit e mbetur të Topit dhe Berisha rrezikon ringjalljen e një vatre të re elektorale të Topit në Dibër, tek Qarku që së bashku me Kukësin kanë bërë diferencën fiktive të 2009-ës.

Një rrethanë lehtësuese mund të jetë fakti që Berisha të mos shprehet fare për kandidaturën dhe ta lërë votimin të lirë, i cili me siguri që nxjerr Sali Shehun fitues po të kemi parasysh dhe shumë vota nga opozita për të.

Pra, nëse Berisha niset nga logjika e përfitimit politik dhe jo nga parimi i tij politik për luftë pa kompromis me kundërshtarët, ai do ta miratojë kandidaturën e Sali Shehut.

Por unë e besoj pak këtë skenar. E besoj pak, jo vetëm duke u nisur nga logjika politike me të cilën funksionon Sali Berisha, por sidomos nga fakti që ai nuk do ti lejojë Bamir Topit të rishfaqë autoritet dhe pushtet edhe në vitin e fundit si president. Ai nuk ka lejuar deri më sot asnjë kandidaturë të pa konsultuar me të që të kalojë në Kuvend si për Gjykatën e Lartë ashtu dhe atë Kushtetuese. Në rast se e bën këtë me Kryetarin e Kontrollit të Shtetit, natyrisht që do të tregojë një shenjë të madhe dobësie dhe do të rifrymëzojë mbështetësit e Topit brenda PD-së ta shikojnë atë si qendër pushteti.

Një arsye tjetër përse Berisha mund të mos e miratojë Sali Shehun mbetet premtimi që u ka bërë disa aleatëve të djathtë për ti çuar në këtë post. Dashamir Shehi, por dhe ndonjë figurë tjetër e partive të vogla të së djathtës, kanë qenë të mikluar nën zë nga Berisha për këtë post, në shkëmbim të mbështetjes për Bashën në zgjedhjet lokale. Vendimi i papritur i Topit, që bëri fakt të kryer kandidaturën e Sali Shehut, e vë në pozitë të vështirë Berishën para tyre dhe mbështetësve të vet, të cilët nuk janë mësuar që kryetari i tyre të pyetet i fundit.

Bamir Topi ka bërë testin e duhur në kohën e duhur për të provokuar Berishën. Nuk bëhet fjalë për të zgjedhur një kryetar të Kontrollit të Shtetit më të mirë se ai që ishte apo më të keq se ai. As bëhet fjalë për ndonjë aftësi të veçantë të kandidatit për atë post. Bëhet fjalë për një cilësi specifike të tij, që ka të bëjë me faktin se është një ish-deputet i PD-së, i persekutuar nga Berisha pse ka pas mbështetur Bamir Topin. Pra, është një test për Berishën për të ripranuar Bamir Topin president, pasi e ka shkarkuar një vit para përfundimit të mandatit duke deklaruar mosrizgjedhjen e tij dhe mbi të gjitha për të bërë llogaritë para betejës, nëse skifterët e Topit i duhen të lirë apo të mbyllur në kafazet e zyrave të shtetit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›