Një thirrje për ribashkimin e Qipros
Dy figura të njohura po sugjerojnë se afati gjashtë mujor i Qipros në presidencën e BE është një mundësi për të korrigjuar gati 40 vjet histori: ribashkimin e Qipros për herë të parë që nga ndërhyrja turke në 1974. Propozimi përkundër gjasave nga Praksula Antoniadu Kyriaku, ish ministre e energjisë e Qipsros dhe kreu i tanishëm i Partisë së Demokratëve të Bashkuar dhe Sër Graham Uatson i Partisë Evropiane Liberal Demokratike e të Reformave, është bërë në një letër që po qarkullon në internet dhe disa gazeta. Dyshja tha se "objektivi i një Qiproje të bashkuar që kryeson mbi BE ka humbur; dhe mungesa e një zgjidhje politike për 40 vjet është një testament për një dështim të vullnetit dhe imagjinatës politike." Ata bëjnë thirrje për një marrëveshje për të ribashkuar Qipron deri në fund të presidencës së BE të Qipros. Propozimi, në qoftë se merret seriozisht nga të dy palët, duhet të kapërcejë pengesa të rëndësishme. Turqia, e cila aspiron të bëhet një anëtare e BE, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në veprimtaritë e BE kryesuar nga një përfaqësues i Qipros greke, termi i së cilës nis këtë muaj dhe shtrihet deri në fund të vitit. "Është sinqerisht naive të presësh që [presidenti grek qipriot Demetris] Kristofias, që ka tërhequr këmbët osh që nga 2008, të marrë në fakt hapa brenda gjashtë muajve të ardhshëm për të arritur një zgjidhje," i tha SETimes Ahmet Sozen, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Mesdheut Lindor dhe drejtor i Qendrës së Politikave të Qipros. Kyriaku dhe Uatson sugjerojnë se vetëm nëpërmjet bashkimit mund të lulëzojë Qiproja. "As grekët apo turqit qipriotë nuk mund të përmbushin potencialin e tyre ekonomik në një ishull të ndarë, me perde ekonomike dhe të militarizuar e me një të ardhme të pasigurtë", thoshin ata në artikull. Ata sugjerojnë që Turqia të hapë një aeroport të madh dhe port për anijet qipriote dhe kapituj shtesë të negociatave të hapen për Turqinë. Në një intervistë me SETimes, Kyriaku tha se do të kishte mundësi për tregti midis krejt Qipros dhe Turqisë sapo marrëdhëniet politike të normalizoheshin dhe shtoi se ky proces do të sillte investim shtesë në infrastrukturë dhe derdhje në rritje të investimeve të huaja të drejtpërdrejta lidhur me heqjen e rrezikut politik. Normalizimi i marrëdhënieve politike do të thotë gjithashtu se portet turke, që janë në fakt të mbyllura për anijet me flamur qipriot, do të hapen; ndërsa turqit qipriotë të shkëputur nga BE do të marrin mjete të drejtpërdrejta për të tregtuar dhe udhëtuar atje. Zbulimi i depozitave të rëndësishme të gazit natyror në brigjet jugore të Qipros në fund të 2011 mund të ishte një përfitim i madh, thanë autorët. "Megjithatë, kjo do të kërkojë menazhim të mençur politik nga ana e të gjitha palëve të përfshira. Në këtë kuptim, ajo është një mundësi që bëhet apo prishet," theksuan ata, duke shtuar se ribashkimi do të lejojë Qipron, të ndajë përfitimet e ardhura me shfrytëzimi i pasurisë natyrore të ishullit. Uatson, i cili është gjithashtu në Grupin e Nivelit të Lartë të Kontaktit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me komunitetin turk qipriot, tha se ndarja e Qipros në shumë mënyra përqesh projektin evropian, pasi tregon se BE nuk mund të zgjidhë një konflikt brenda kufijve të vet. Ai i tha SETimes se presidenca e BE i jep Kristofias një mundësi për të sjellë ndikimin e plotë të BE në gjetjen e një zgjidhjeje. "Për shembull, duke punuar së bashku me Turqinë për Sirinë mund të na japë ne mundësi të reja për bashkëpunim," tha ai.
...