Lazarati, Pakti i Pushtetit me Kartelin e Drogës
Lazarati është fshati më i madh i Shqipërisë. Aty jetojnë rreth 5 mijë banorë, më shumë se në shumë të ashtuquajtura qytete të vogla industriale të Shqipërisë. Ka rrugë të shtruara mirë, ujësjellës dhe energji elektrike për tu pasur zili. Është i vetmi oaz në jug që shkëlqen natën nga dritat, kur kalon në rrugën Gjirokastër- Sarandë. Është vendi i njerëzve të fortë, të ashpër dhe të tradhtuar. Ai është sot fshati më i njohur i Shqipërisë, pasi është fshati ku jetohet duke kultivuar kanabis. Të mos e teprojmë me emra të përveçëm, pasi thuajse gjithë fshati ose mbjell, ose punon tek ata që kanë mbjellë dhe shesin. Pra, është një fshat që ia ka dalë të jetojë mirë, të shmangë emigracionin, të ndërtojë shtëpi të reja dhe të hapë biznese falë kësaj industrie të ndaluar. E ka filluar herët këtë industri kur në pushtet ishin socialistët, të cilët nuk mundën ta ndalin. Në krah të tyre, sa herë kishte përpjekje, ishte gjithmonë Partia Demokratike, e cila shpërblehej pastaj me një depo votash të panumëruara që deklaroheshin në favor të saj.
Pas vitit 2005, e gjithë kjo u kuptua si një leje për tu tejzhvilluar kjo industri dhe sot jemi para një situate paradoksale. Qeveria e Berishës arreston ndonjë kryeplak të gjorë në ndonjë fshat ku ka të dhëna se ndonjë fshatar mund të ketë mbjellë hashash, ndërsa në Lazarat nuk ndërhyn dot, jo më për të arrestuar kryetarin e Komunës, por as ndonjë mbjellës hashashi. Deri më sot është kufizuar me ndalime punonjësish që shkojnë për ujitje apo për grumbullim.
Por a është vërtet një fat për Lazaratin kjo që po ndodh?
Jo. Lazarati përveçse është demonizuar në opinion publik si një qendër droge, tashmë e njohur ndërkombëtarisht, do të përballet shumë shpejt me mungesën e perspektivës për të mbijetuar. Monopoli i drogës që ata kanë krijuar në jug të Shqipërisë është politik, por do të përfundojë një ditë. Banorët e Lazaratit kanë orientuar gjithë investimet e tyre tek planet e biznesit që kanë të bëjnë me këtë industri të paligjshme. Pushteti i përdor ata si mish për top sa herë ka zgjedhje, duke krijuar një depo votash në një zonë të vështirë për ta, ndërkohë që qëndrimi selektiv ndaj tyre në raport me fshatrat e tjera të jugut, po përjetohet gati si racizëm i pushtetit.
Situata në Lazarat tashmë nuk zgjidhet aq lehtë. Dashnor Aliko, kryetar i kësaj komune, mund të arrestohet lehtësisht në bazë të ligjit që ka bërë Berisha, por ai nuk është fajtori. Gratë dhe punëtorët, që ujisin dhe korrin hashashin, mund të arrestohen, por nuk e zgjidhin problemin. Mund të arrestohen dhe disa kultivues, por as kjo nuk ndryshon gjë. Në thelb në Lazarat besohet se ka një pakt të heshtur mes tyre dhe pushtetit për të jetuar me industrinë e drogës dhe ky besim nuk tronditet nga gjeste të vogla parciale apo ndërhyrje sporadike. Drama e Lazaratit është një dramë e ngjashme për nga makthi financiar si ajo e piramidave të vitit 1997, pasi është një ëndërr që do të marrë fund një ditë. Nuk di nëse do ta bëjë Berisha sivjet apo Rama mot, por ajo do të ndodhë një ditë. Dhe kur kjo të ndodhë, do të ketë një kosto të rëndë për këta banorë. Përveçse shumë prej tyre rrezikohen nga ligji, ata rrezikohen kolektivisht nga mbijetesa ekonomike. Pesë mijë banorë në një fshat ku ha pula gurë nuk mund të jetojnë, dhe stimulimi i industrisë së drogës ka krijuar aty një mbijetesë dhe mirëqenie të rremë.
E para që duhet të ndodhë është një ndërhyrje energjike e shtetit, që banorët të kuptojnë se pakti u prish. Mali i Gjerë është shndërruar në plantacion droge dhe aty duhet të niset ushtria dhe policia për ti dhënë fund parajsës së rremë të Berishës për Lazaratin dhe keqpërdorimit të këtij fshati për interesa të pushtetit. Ndërhyrja duhet të jetë e ashpër jo vetëm në asgjësimin e çdo rrënje kanabisi, por dhe në evidentimin e çdo personi përgjegjës. Pas kësaj shkelësit e ligjit dhe mund të amnistohen në shenjë paqeje sociale, por Pakti i Pushtetit me Kartelin e Drogës duhet të marrë fund. Legjendat se policët e Flamurit nuk hyjnë dot se qëllojnë gratë plaka me kallash, janë qesharake për këtë vend. Lazarati është një fshat normal, i marrë peng nga pushteti që e ka inkriminuar. Përveçse ata përdoren politikisht në çdo palë zgjedhje dhe demonizohen rregullisht si fshat banditësh, ata nuk kanë asnjë perspektivë reale nga pushteti i tyre për të mbijetuar. Bile ata janë sot modeli më i dështuar i privilegjeve që pushteti i Berishës u krijon bastioneve të veta, apo njerëzve të vet. Nëse do ta shikoni në këtë prizëm do të thoshim se bastioni më i fortë i PD-së është privilegjuar duke u lejuar të bëhen trafikantë droge, ashtu sikundër individët që janë pasuruar më shumë nga PD-ja janë ose gjobëvënësit e tatimeve dhe të administratës, ose biznesmenë të oborrit që kanë kapur shtetin. Kjo tregon në thelb pafuqinë që ka pushteti i Berishës për të prodhuar individë të fortë dhe njerëz të lirë. Ai prodhon ose vatra krimi, ose individë të inkriminuar në emër të privilegjit të pushtetit të vet. Në këtë kuptim Lazarati duhet të përgatitet që do të përballet me humbjen e kësaj parajse, por është mirë të përballet tani që mashtruesit dhe demonizuesit e tij janë në pushtet.
Unë e njoh atë fshat dhe i respektoj shumë ata banorë, edhe ua mirëkuptoj përpjekjen e tyre për ti rezistuar policisë në mënyrë sporadike, të keqkuptuar se policët nuk dinë gjë për paktin e tyre me Berishën. Në mentalitetin e tyre ata kanë krijuar bindjen se kanë një pakt me pushtetin dhe janë shumë të çuditur që dikush po përpiqet ta shkelë atë. Drama e tyre reale është se pushteti që ata përdorin për këtë industri nuk ka fuqi të bëj ndere, ose të bëjë individë apo komunitete të pasura përveçse duke i inkriminuar.
Nuk është në provë Lazarati, nëse ia del ti korrë dhe sivjet të mbjellat apo dhe vitin tjetër. Në provë është pushteti, nëse ka guxim të përballet me piramidën e re që ka krijuar në një bastion të tij në jug të vendit, piramidën e parajsës së rremë me parat e drogës dhe industrinë e paligjshme licencuar politikisht prej saj. Sali Berisha duhet të përballet me krimin që ka bërë ndaj atij fshati, duke e privilegjuar si fshat kriminelësh. Sali Berisha duhet të përballet me pafuqinë e tij për të ndihmuar bastionet e veta të jetojnë dhe të konkurrojnë si njerëz të lirë me punë të ndershme. Sali Berisha duhet të përballet mbi të gjitha me pasojat që do të sjellë në këtë fshat fundi i kësaj industrie kriminale që rrezikon të ndryshojë të ardhmen e këtij fshati të mbipopulluar nga paret e drogës dhe papërgjegjshmëria e pushtetit. Ai nuk mund ta zgjasë pa fund përballjen me gënjeshtrën dhe ligësinë e vet ndaj këtij fshati, të cilin tashmë e ka bërë vetëm për arsye politike një bastion droge, ku njerëzit duken të dehur më shumë nga ideja që Berisha është i tyre se nga ideja që hashashi është i tyre.
