E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolera komuniste

11-07-2012 / Nga Ilirian Dahri

Regjimi komunist kërkon të minimizojë gjithçka. Ndërsa lajmet vijnë nga disidentët. Në shtetin socialist kryefjala është “Atdhe dhe liri”,  ndërsa në rrugët e kryeqytetit  shquhen të shpeshta banderolat “Atdhe ose vdekje” me portretin e diktatorit komunist që  thotë “do të fitojmë”. Por këtë herë është ndryshe në shtetin socialist, madje tani edhe kryeqyteti i vendit Havana me mbi 2 milionë banorë po ndihet i kërcënuar. Natyrisht jo sipas informacioneve të ministrive të vendit socialist por nga disidentët. Në Republikën e Kubës, ku në bankënotat pesos dallohet ende qartë portreti i Guevarës, afro 12 milionë banorë kubanë ndihen të rrezikuar. Më 13 korrik mbushen plot tetëmbëdhjetë vjet (ishte viti 1994) nga një prej shumë krimeve të regjimit komunist të Fidel Kastros. Edhe asokohe ishte një ditë me diell kur një grup prej 71 kubanësh që ishin kundra regjimit komunist u nis nga porti i Havanës me një anije prej druri të ndërtuar me dorë e cila u pagëzua më vonë me emrin 13 korriku. Natyrisht kishte marrë rrugën  drejt botës së lirë saktësisht drejt Floridës. Por nuk arritën të kalonin territorin kuban sepse u rrethuan nga motovedetat e regjimit komunist kuban. Xhelatët komunistë nuk u ndalën edhe kur dëgjuan të qarat e fëmijëve dhe të grave. U vranë 41 persona mes të cilëve edhe fëmijë të moshës 2 dhe 6 vjeç. Familjarët e viktimave kanë kryer manifestime paqësore në Havana. Kanë kërkuar “Drejtësi për viktimat e 13 korrikut” ashtu të mbledhur në Havana kur ja kanë behur militantët komunistë. Qindra militantë të shoqëruar edhe nga agjentë policie të veshur me rroba civile. Manifestuesit janë sharë dhe fyer prej militantëve komunistë dhe policisë dhe janë cilësuar si “tradhtarë të atdheut” dhe si “kundra revolucionarë”. Pastaj janë kryer arrestimet sepse sipas militantëve komunistë vetë “rruga është e Fidelit” dhe “Fideli është i pranishëm” kudo. Janë dërguar më pas në rajonet e policisë. Vazhdojnë të jenë ende në burgje pa asnjë lloj akuze. Pak kohë më vonë 75 gazetarë të pavarur dhe aktivistë të të drejteve të njeriut u dërguan në burg. Me akuzën për akte terrorizmi ndaj Shtetit komunist të Kastros. Ndërkaq jeta e përditshme nuk është nga më të mirat  e mundshsme: nuk ka më mjekë sepse dërgohen jashtë shtetit, nuk ka më barna sepse shumica e tyre vihen në dispozicion të turistëve të huaj. Uji mungon në shtëpitë e qytetarëve kubanezë dhe në ato pak raste, kur ka ujë ky nuk është i pijshëm. Pastaj tollonat dhe një ushqim i cilësisë jo shumë të lartë dhe që shkakton epidemi dhe infeksione. Ja pra pse ikin nga regjimi komunist duke kritikuar regjimin e Kastros. Në Kubë pra në vendin “ku gjendet terreni pjellor” – kështu do të përkthehej emri Kuba, po t’u referohemi indigjenëve kubanë, në terrenin e madh (coa=vend, terren dhe bana = vend i madh) tashmë rreziku është vërtet i madh. Nuk ka lidhje me “kërcënimet” revizioniste por me kolerën e cila rikthehet në vendin socialist pas më shumë se një shekulli. Është shfaqur më së shumti në provincën lindore të Granmës kjo epidemi shumë e rrezikshme. Sipas disidentëve deri më tani janë numëruar 29 viktima ndërsa mbi 1 mijë persona janë të sëmurë dhe të infektuar prej saj. Nga ana tjetër shifrat zyrtare që jep regjimi komunist janë më vogla në numër dhe sipas tyre të vdekur janë vetëm tre persona ndërsa rastet me të prekur rreth 60. Natyrisht “situata është nën kontroll” nënvizojnë nga qeveria e shtetit socialist. Ministria e Shëndetit Publik deklaron se vetëm tre persona kanë vdekur për shkak të kolerës ndërsa 50 janë të prekur prej saj. Përhapja ka ardhur si pasojë e virusit ndoshta nëpërmjet tubave të  sistemit hidrik të shkatërruar  nga shirat e shumtë dhe temperaturat e larta të këtyre ditëve. Por sipas disidentëve situata është tejet e ndërlikuar. Kundërshtarët  e regjimit komunist flasin për 15 viktima dhe rreth 1000 raste të tjera me të prekur. Spitalet janë në kaos ndërsa popullsia është në panik edhe për shkak të informacioneve të pakta që disponojnë. Sipas Bbc infektimi po përhapet shpejt në Santiago, Guantanamo, Santa Klara dhe kryqeqytetin Havana ku është shënuar edhe një rast i tillë. Ndërkaq edhe shtetet përreth po organizohen nëpër aeroporte duke marrë masa për njerëzit që mbërrijnë nga Kuba. E pra virusi i cili më së shumti është i përhapur në Azi dhe Afrikë, ka prekur tashmë edhe Kubën. Kjo sëmundje ngjitëse që manifestohet pas një inkubacioni që fillon nga një deri në pesë ditë e shoqëruar me diare, të vjellla dhe dhimbje të ndryshme të cilat ulin kripërat e trupit dhe lëngjet. Mund të merret duke ngrënë fruta, dhe zarzavate të paziera, pastaj fruta deti të cilat mund të kenë patur këtë sëmundje, mund të luftohet me antibiotikë ndërsa organizatat e ndryshme shëndetësore  thonë se vaksinimi ka një efekt 50%. Pra në vendin  ku lindi shkrimtari Italo Kalvino nga prindër italianë, në vendin me të cilin Heminguei kishte një raport të veçantë,  në vendin e kolerës komuniste siç do të cilësohej nga disidentët kubanë, ka rënë sëmundja e kolerës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›