E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një tjetër fabrikë pas guroreve ndot Urën Vajgurore

01/05/2009  Qyteti nën tym e blozë, nuk reagojnë zyrtarët. Deri më tani asnjë matje nga vetë firma

URË-VAJGURORE- Një tjetër fabrikë pas guroreve ndot ambientin e qytezës të Urës—Vajgurore. Aktiviteti i prodhimit të asfalto-betonit gjatë të cilit çlirohet gaz me erë të keqe në natyrë mësohet të jetë shqetësimi i ditës për banorët e lagjes “18 Tetori” në këtë qytezë, të cilët jetojnë çdo ditë mes rrezikut për shëndetin e tyre. Në afërsi të lagjes ku aktualisht banojnë 380 familje vazhdon të kryejë aktivitetin një fabrikë asfalto-betoni, aktivitet gjatë të cilit mësohet se nuk respektohen normat për mjedisin.

Ndotja

Gjatë aktivitetit të prodhimit të asfalto-betonit sipas banorëve mësohet se çlirohen shumë gazra, ngrihet shumë tym dhe blozë. Fabrika është me një distancë rreth 500 m nga pika më e largët dhe vetëm 200 m nga pika më e afërt e lagjes, duke u bërë kështu problem për shëndetin e banorëve. Këta të fundit disa herë kanë ngritur zërin për këtë shqetësim duke ju drejtuar Bashkisë së Urës Vajgurore. Sipas tyre, në kohën që firma punon për prodhimin e asfalto-betonit në ajër çlirohen re të mëdha tymi që ndotin gjithë zonën. Kryetari i bashkisë, Syrja Ormënaj, mësohet se me disa shkresa i është drejtuar komunës Otllak për ndërhyrje, pasi aktiviteti ndodhet në territorin që administrohet jo nga bashkia, por nga komuna Otllak. Për këtë aktivitet ditët e fundit dhe prefekti Thoma Rumniçi mësohet se i ka kërkuar komunës Otllak ushtrimin e kompetencave si pushtet vendor për të negociuar me firmën për respektimin e ligjeve mjedisore. Sipas shkresës me numër 554/2 që mban datën 21 04 2009, prefekti i Rumniçi i kërkon kryetarit të komunës Otllak marrjen e masave deri në bllokimin e aktivitetit prodhues së firmës. Në lidhje me këtë problem ka reaguar dhe Agjencia rajonale e Mjedisit. Drejtori i kësaj agjencie Ajet Veleshnja ka pohuar se subjekti në fjalë është i pajisur me leje mjedisore, por nuk ka kryer asnjë monitorim të shkarkimeve në ajër. Sipas drejtorit Veleshnja, nga kjo agjenci ky subjekt ka qenë vazhdimisht nën vëzhgim dhe i është kërkuar pronarit të tij plotësimi i kushteve mjedisore. Kjo agjenci e ka penalizuar firmën me dy gjoba me vlerë 50 mijë lekë dhe 30 mijë lekë. Ndërkohë të alarmuar deklarohen banorët e Urës Vajgurore, të cilët marrin çdo ditë ajrin e ndotur me grimca të rrezikshme nga shkarkimet e kësaj fabrike. Shumë prej tyre shprehen tepër të indinjuar dhe nga masat e marra prej pushtetarëve, të cilët nuk po interesohen për shëndetin e qytetarëve që i kanë zgjedhur. Kështu ata kërkojnë me ngulm marrjen e masave të menjëhershme dhe të shtrëngojnë firmën që të zbatojë të ligjin mjedisor dhe të mos dëmtojë më tej shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve penalizime për ndërhyrësit në rrjet

Bllokohen çezmat publike në Porto Romano

Çezmat janë sharruar apo taposur për t’u devijuar për në banesa

DURRES- Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve sh. a. ka vendosur të ndërhyjë për të penalizuar të gjithë ata persona që kanë vënë dorë në rrjetin e ujit të pijshëm përgjatë rrugës nga lagjja numër 15 drejt Porto Romanos. Tre vjet më parë ujësjellësi shtroi tubacionin 300 mm në anë të rrugës që përshkon zonën e banuar nga Spitalla drejt Porto Romanos dhe në çdo 300-400 m ka vendosur një çezmë publike. Porto Romano është populluar në dhjetë vitet e fundit dhe pas krizës së thellë për furnizimin e popullatës me ujë, shoqëria vendosi të shtrijë tubacionin dhe si fillim të vendosë disa çezma në anë të rrugës për shërbime publike. Një shërbim i tillë shoi etjen e qindra e mijëra banorëve nga Spitalla deri në Porto Romano dhe i dha fund rrugës së gjatë të banorëve për të mbushur ujë. Nga ana tjetër, investimi që ka kapur shifrën e 20 milionë lekëve, shmangu tregtimin e ujit me bote të mbushur tek ujësjellësi. Por pas një periudhë 3-vjeçare në të gjithë gjatësinë prej gati 4 km nga Spitalla, ku përfundon sistemi i furnizimit me ujë në çdo banesë e deri në Porto Romano asnjë çezmë nuk është më në gjendje funksionale. Diku tubacioni është sharruar, diku tjetër është taposur, ndërsa në pjesën më të madhe persona që banojnë në këtë zonë kanë devijuar ujin duke e dërguar në banesat e tyre. Edhe pse punonjësit e shoqërisë së ujësjellës-kanalizimeve kanë pasur dije lidhur me këtë ndërhyrje si dhe me rikthimin në gjendjen e mëparshme të krizës së ujit, çështja është lënë në heshtje. Drejtoria i Ujësjellësit, ing. Agron Islami ka theksuar se do të riorganizohet një vëzhgim në terren dhe do të penalizohet çdo individ, i cili ka prekur linjën e furnizimit të popullatës me çezma publike. Por deri në nisjen e këtij aksioni që do të kërkojë kohë për t’i shkuar deri në fund e për të rikthyer ujin e pijshëm, banorët e Porto Romanos duhet të zgjedhin ujin e puseve për të larë dhe rrugën e gjatë për të mbushur ujë në lagjet më të afërta të qytetit të Durrësit. Çështja e ujit të pijshëm në Durrës vijon të mbetet problematike edhe në qytet pasi Durrësi merr jo më shumë se 2 orë ujë në ditë dhe renditet ndër qytetet me furnizimin më të paktë me ujë të pijshëm. Ujësjellësi që furnizon Durrësin me ujë është ndërtuar në vitin 1977 për një popullsi që në atë kohë ishte jo më shumë se 50-60 mijë banorë. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›