E Diel, 1 Nëntor 2026

Industria me fason në prag falimenti

01/05/2009  Kërkohet ndihmë konkrete për të mbijetuar. Nga Qeveria asnjë përgjigje

Rreth 50 kompani kanë kyçur dyert dhe kanë nxjerrë në rrugë 11 mijë të papunë

Për shkak të krizës janë mbyllur rreth 50 kompani të prodhimit të veshjeve dhe kanë dalë të papunë rreth 11 mijë persona. Këto janë shifrat që vijnë nga industritë me fason, përfaqësues të të cilave kanë kërkuar që Qeveria të marrë masa konkrete. Përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve bënë të ditur dje shqetësimin në lidhje me kërkesat e qarta për mbështetjen me kredi të buta për të përballuar efektet e krizës financiare ndërkombëtare që ka prekur këtë sektor, të cilat janë paraqitur zyrtarisht. “Nga muaji tetor-nëntor i vitit të kaluar, kur u vunë re shenjat e para të ndikimit të krizës në këtë sektor, ato u thelluan në muajt në vijim. Deklarojmë sot se janë mbi 50 ndërmarrje në rang vendi që kanë ndërprerë pjesërisht apo tërësisht veprimtarinë e tyre prodhuese. Asnjë masë lehtësuese nuk është marrë deri më sot, pavarësisht premtimeve të qeveritarëve”, - thanë përfaqësues të Dhomës. Madje në të kundërt, sektori i fasonit në Shqipëri ku përfshihen më shumë se 400 ndërmarrje që prodhojnë veshje dhe rreth 80 kompani që prodhojnë këpucë, ku punësohen jo më pak se 100 mijë të punësuar, me rreth 4,5 miliardë lekë xhiro ekonomike, u godit edhe nga e ashtuquajtura reformë fiskale e qeverisë. Sipas përllogaritjeve, në një ndërmarrje me 50 punëtorë, ka një humbje të fitimit vjetor prej 1.08 milionë lekë. “Dhoma vlerësoi deklarimin e zëvendësministrit të Financave z. Florjon Mima se “qeverisë i dhimbsej qoftë edhe një punëtor i pushuar nga puna” dhe priti që qeveria të lehtësonte këtë sektor për një periudhë kalimtare, jo duke ulur taksat dhe as duke falur detyrimet, por duke përdorur fondet parazitare dhe korruptive të nxitjes së punësimit dhe formimit profesional si fonde të garantimit të pagimit të detyrimeve shoqërore dhe shëndetësore, të paktën për një periudhë 6-mujore. Kjo do të ndihmonte bizneset në kapërcimin e vështirësive të momentit, deri në një periudhë kur biznesit të fasoneve t’i rikthehej likuiditeti i munguar nga pasojat e krizës në vendet kontraktore si Italia, Greqia, Gjermania”, - thanë ata.

Forumi

Zhvillohet sot forumi “Shqipëria si Fuqi Energjetike” në ambientet e panairit Ndërkombëtar të Teknologjisë dhe Cilësisë për vitin 2009, organizuar nga Konfindustria. Në forum do të diskutohen potencialet energjetike që ka vendi dhe investimet në këtë sektor, me pjesëmarrjen e kompanive më të rëndësishme evropiane të energjetikës, biznesit, politikës, botës akademike.

Fondi i garancisë

2.5 milionë euro janë destinuar për ndërtimin e Fondit Shqiptar të Garancisë. Pritet që skema pilot e funksionimit të tij t’i paraqitet Komitetit Drejtues të këtij programi brenda muajit maj 2009. Ky fond do t’i vijë në ndihmë sektorit privat shqiptar për të pasur një akses më të lehtë në linjën e kredisë specifikisht, por edhe në sistemin e kreditimit në përgjithësi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›