Një tjetër mrekulli e botës!
Janë aq madhështore dhe të përkryera, deri në përsosmëri, të ashtuquajturat “mrekulli të botës”, sa që të rralla janë veprat, objektet apo vendet që mund ta meritojnë privilegjin e jashtëzakonshëm të të qenit të tilla! Duke qenë se bota zhvillohet, përparon e zbulohet gjithnjë e më shumë, edhe “mrekullitë e botës”, nga ato 7 më klasiket që kanë qenë renditur ndër shekuj, kanë nisur të shtohen disi, gjithsesi me pikatore, sepse edhe e përkryera absolute nuk është e lehtë të gjendet apo të krijohet. Me këtë hyrje, pak si jashtë teme për synimet e mia gazetareske, megjithatë, edhe kështu nuk do të heq dorë nga fusha e sporteve. Konkretisht, jam duke i rënë rrotull, vetëm e vetëm që të them a të pohoj se ajo shfaqje spektakolare e Barcelonës ndaj Bajer Leverkusenit për Ligën e Kampionëve të Europës, veçanërisht ajo që bëri futbollisti i saj Lionel Mesi, kur shënoi aq gola sa asnjë tjetër nuk i kishte realizuar më parë, nëpërmjet një stili krejtësisht origjinal dhe të papërsëritshëm, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një prej atyre gjërave që sot me të drejtë bota i klasifikon tek mrekullitë e saj! Kush e pa e nuk u mrekullua atë mbrëmje nga ndeshja e Barcelonës dhe e Mesit?! Kishte kohë që kjo mrekulli e Barcelonës po bëhej më e plotë dhe e vërtetë, prej Mesit e shokëve të tjerë të kësaj skuadre, që me një trajner të ri si Guardiola çdo gjë që preknin, e kthenin në ar! Kampionë të Spanjës dhe të Botës, ata nuk kanë lënë kupë dhe trofe tjetër që ndodhet mbi këtë rruzull që t’mos e kenë fituar! Por, nuk mjafton me kaq; ndryshe nga të tjerët që gjithashtu mund të jenë të fortë e shpesh edhe fitimtarë të zot, epërsia e Mesit dhe e skuadrës së tij shoqërohet vazhdimisht me shfaqje të tilla në lojë, që dhurojnë vetëm kënaqësi dhe argëtim. E di se nuk jam duke thënë ndonjë gjë të veçantë rreth kësaj skuadre-mrekulli dhe atij që qëndron në majën e saj, Mesit, megjithatë, nuk mund të rri indiferent ndaj asaj pjese skeptike këtu e nëpër botë, që nuk e kanë për gjë që edhe mrekullitë bëjnë sikur nuk i shohin, duke dashur që nëpërmjet meskinitetit e nihilizmit të tyre jetik, të përpiqen për të zbehur të madhërishmen, që me shkëlqimin e saj veçse i verbon ata. Kam parasysh ndonjë ndeshje kur Barcelona e humb ose e barazon, siç ka ndodhur me çdo skuadër që nga shpikja e futbollit, që në lojë futet për të tre rezultatet, dhe kaq mjafton për disa që pastaj të nisin dërdëllitjet e tyre për të ashtuquajturin “fundi i një cikli” të kësaj skuadre, e cila ndërkohë, e ka të gatshme sfidën tjetër për të kryer një nga ato mrekullitë e radhës, me lojë e rezultat dhe ku ai, Mesi, mbetet gjithnjë zoti i gjithçkaje të bukur e mahnitëse. Në këtë mbresë të këndshme të radhës për Barcelonën e kryemjeshtrin e saj, Mesi, që këtë herë po e shpreh nëpërmjet këtij komenti, fare mirë mund të përdorja si argument të mrekullisë që ata po shfaqin në fillim të këtij shekulli, fjalët e shumta lavdëruese dhe epitetet po kaq emblematike të mjaft personaliteteve të futbollit dhe të mediave të përbotshme, që veçanërisht pas shfaqjes së madhe ndaj skuadrës gjermane, kanë pasur një jehonë të jashtëzakonshme, por mendova se duke i njohur formacionit të Guardiolës vetëm faktin e krijimit të një shkolle krejt të re dhe të papërsëritshme deri tani në shfaqjen e mjeshtërisë në lojë, argumentet e tjera nuk do të ishin veçse një mbështetje më shumë për artin e shfaqur nga kjo skuadër. Në se dikush do të kërkojë ndonjë pikë referimi me shkollën e sotme të Barcelonës, përqasja, ndonëse jo e plotë, mund të jetë “Ajaksi” holandez i Kroifit të viteve ‘70-të, që pat sunduar botën me futbollin e tij total. Por, ndryshe nga ajo lojë gjithëpërfshirëse e holandezëve, sa në mbrojtje aq edhe në sulm, që gjithsesi e pat tronditur atë tradicionalizëm klasik të futbollit që prej lindjes së tij, kjo shkollë e re e Barcelonës mbetet e pakrahasueshme, ngaqë vlerat e paraardhësve të saj i ka ngjitur në një shkallë më të lartë nga ana fizike, duke e shoqëruar gjithë përmbajtjen e lartë të lojës së saj, me një art të shprehuri krejtësisht të ri dhe origjinal. Kjo skuadër krejtësisht e veçantë për nga lëvizjet e studiuara dhe pasimet milimetrike të një gjeometrie të përsosur në çdo cep të fushës, pavarësisht se një ditë do ta mbarojë me të vërtetë ciklin e saj, gjithsesi do të mbetet në kujtesën e gjithkujt, si një nga mrekullitë që bota i fali njerëzimit në fushën e futbollit... Futbolli do të vazhdojë të përsoset, por ajo që Mesi dhe Barcelona e tij po bëjnë deri tani, do të mbetet si një nga mrekullitë e kësaj bote, të cilën njerëzit, sa herë ta kujtojnë, do t’iu ngjallë vetëm ndjenjën e bukur të një shfaqjeje, që ata do të donin të mos mbaronte kurrë!...