Një transformim tjetër për ushtrinë
Për integrimin e plotë në Aleancë është e domosdoshme të vijojmë transformimin e themeleve doktrinore, kapaciteteve ushtarake e pa dyshim, tërë strukturës së Forcave të Armatosura. Ne e dimë gjithashtu se ky është një proces kompleks që do kohë. Ne dimë se kemi një detyrë të madhe dhe komplekse për të përballuar.
Gjatë Konferencës së parë të Integrimit në mars përcaktuam rrugën ku do të ecnim përpara për vitet e ardhshme dhe premtuam që, gjatë pesë viteve në vijim, do të krijojmë një Forcë të Armatosur plotësisht të ndërveprueshme, të aftë për t´u integruar butë në strukturat, operacionet dhe procedurat e NATO-s. Për të arritur këto synime, le t´u referohem disa prej sfidave tona kryesore:
Synimi kryesor i reformës së Forcave të Armatosura shqiptare është ndërtimi deri në fund të vitit 2010 i një force më të vogël, plotësisht profesioniste dhe më të aftë, si dhe konsolidimi i saj deri në vitin 2015.
Kjo nuk përfshin vetëm përshtatjen e fuqisë njerëzore e të strukturave të organizimit, por gjithashtu një ndryshim të rëndësishëm në konceptet operacionale, në sistemet e stërvitjes dhe, çka është më e rëndësishme, në konceptet e menaxhimit të mbrojtjes.
Një forcë plotësisht profesioniste nuk mund të përparojë pa një strukturë të përshtatshme mbështetëse. Në përshtatje me këto, ne kemi analizuar me kujdes dhe kemi nisur madje procesin e rishikimit dhe modifikimit të strukturës së Forcave tona të Armatosura.
Objektivi është që të rrisim frytshmërinë e komandimit dhe drejtimit, të mënjanojmë shtabet e njësitë e tepërta dhe të përshtatim strukturat e disa njësive për t`i bërë ato më efektive. Struktura e forcës dhe plani i përhapjes pasqyrojnë pikërisht këto objektiva. Ne do të rishikojmë tabelat e organizim-pajisjeve për çdo njësi dhe drejtori. Kjo do të sjellë një përmirësim të madh në procedurat tona të menaxhimit të burimeve.
Si pjesë e procesit të riorganizimit të forcës dhe në interes të një menaxhimi më të frytshëm burimesh, ne jemi duke studiuar përfitimet e integrimit të stafit të Ministrisë së Mbrojtjes e të Shtabit të Përgjithshëm në një organizëm të vetëm, me qëllim që të përqendrohet dhe përmirësohet procesi i planifikimit, bashkërendimi i programeve të modernizimit dhe shpërndarja e burimeve.
Zhvillimi i kapaciteteve të reja ushtarake është gjithashtu një synim tepër i rëndësishëm. Është i domosdoshëm ndërveprimi midis zhvillimit të doktrinave të reja operacionale, modernizimi i pajisjeve dhe sistemeve, përmirësimi i metodologjive stërvitore dhe arritja e zbatimit të objektivave të forcës si anëtare të NATO-s, për të cilat kemi premtuar dhe rënë dakord. Kemi nevojë të mendojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse për ndërveprueshmërinë dhe gatishmërinë e forcës si elemente kyç të integrimit në NATO.
Gjithashtu, një rëndësi të jashtëzakonshme kanë përpjekjet për të rishikuar, modifikuar dhe përmirësuar së tepërmi procedurat e zbatimit të planifikimit dhe buxhetimit tonë financiar. Jemi të përkushtuar plotësisht për të përmirësuar frytshmërinë e procedurave tona të planifikimit, prokurimit dhe menaxhimit të burimeve.
Rasti që kemi për të diskutuar dhe shqyrtuar në thellësi çështjet dhe veçoritë që shqetësojnë Forcat e Armatosura shqiptare është i rëndësishëm. Unë inkurajoj shtabet dhe ekspertët tanë të shfrytëzojnë me mençuri kohën dhe të përfitojnë sa më shumë të jetë e mundur nga përvojat dhe ekspertiza që përfaqëson Komanda e Aleancës për transformim dhe komandat e tjera të NATO-s.
*Fjala e ministrit të Mbrojtjes, zotit Arben Imami, në Konferencën e Komandës Aleate të Transformimit